E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA-s i del punë edhe me tifozë

36 adhuruese nga Holanda janë ndaluar që të shikojnë lojën e kombëtares së tyre kundër Danimarkës në “Soccer City”, pasi zyrtarët e FIFA-s i kishin akuzuar ato se kishin veshur funde të shkurtra për të promovuar një brend të palicencuar të birrës.

Gazeta jugafrikane “The Star” ka thënë se vajzat janë akuzuar për “marketing ilegal”. FIFA lejon vetëm marketingun e atyre firmave, të cilat kanë statusin special të sponsorizimit të Botërorit.

Zëdhënësi i birrës “Bavaria” ka hedhur poshtë mundësinë që vajzat kanë ndonjë lidhje me fushatën e tyre dhe ka thënë se grupi është ndaluar nga zyrtarë të FIFA-s pa arsye.

“Ishin funde të mira. Shumë në modë”, tha Peer Swinkles për “The Star”. “Sipas opinionit tim, njerëzit mund të veshin veshjet që ata dëshirojnë. Ne kemi lansuar artikullin e portokalltë në prill dhe atë e ka veshur edhe mbretëresha në ditëlindjen e saj. Holandezët e adhurojnë këtë ngjyrë dhe e veshin atë edhe gjatë pushimeve dhe ngjarjeve siç është Botërori”, tha ai.

Barbara Karstein tha se vajzat janë marrë në pyetje nga FIFA dhe nga policia.

“Policia na ka dërguar në hotel dhe ka kërkuar pasaportat tona. Ata kanë bërë kopje të pasaportave dhe kanë thënë se do të hulumtojnë. Ata kanë thënë se do të më akuzojnë. E tërë kjo pse kemi pasur të veshur fustan të portokalltë”, tha tifozja.

FIFA i ka thënë “The Star” se nuk ka të arrestuar, edhe pse disa vajza të reja jugafrikane po ashtu me të madhe po e përdorin birrën holandeze për të bërë marketing të fshehtë për brendin në fjalë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›