Idrizi dhe Tahiri braktisin PS-në dhe PDI-në, shpallin krijimin e PDU-së
Shaban Sulçe
Ndonëse nuk mori pjesë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, Partia për Drejtësi dhe Unitet do të jetë e përfaqësuar në Kuvend nga dy deputetë. Deputetët Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri kanë braktisur përkatësisht Partinë Socialiste dhe Partinë për Drejtësi dhe Integrim, për të shpallur dje krijimin e partisë më të re në skenën politike shqiptare. Kjo ishte një lëvizje e paralajmëruar prej javësh, por dje deputetët Idrizi dhe Tahiri kanë konkretizuar hapin e tyre. Në një konferencë për shtyp ata kanë bërë të ditur krijimin e Partisë për Drejtësi dhe Unitet, e cila, sipas tyre, do të jetë një parti që do të jetë në funksion të çështjes kombëtare, por, nga ana tjetër, edhe një aleate e maxhorancës së re qeverisëse. Kryetari i PDU-së do të jetë ish-deputeti socialist, Idrizi, ndërsa ish-deputeti i PDI-së, Dashamir Tahiri, do të mbajë funksionin e nënkryetarit të kësaj partie.
Çështja çame
Çështja çame duket se ka qenë arsyeja, sipas deputetëve Idrizi dhe Tahiri, në ndërmarrjen e kësaj lëvizjeje politike, për të cilën ata shpresojnë të gjejnë zgjidhje. “Ne do të ndërmarrim iniciativa të ndryshme politike, juridike, diplomatike për të trajtuar aspekte të veçanta të çështjes sonë kombëtare, në veçanti çështjen çame, duke e promovuar dhe zgjidhur atë”, - thanë drejtuesit e PDU-së gjatë konferencës së djeshme për shtyp. Sipas tyre, krijimi i PDU-së është mjaft i nevojshëm për çështjen kombëtare. “Mbështetur në objektivat tona, ne besojmë se kjo parti nuk do të jetë parti pa identitet në radhën e atyre që i shtohen ansamblit kakofonik të pluralizmit shqiptar, por do të jetë partia me identitetin më të qartë kombëtar të tij. Ne do të jemi zëri parlamentar i një sërë organizatash dhe rrjetesh të shoqatave patriotike në tërë territoret shqipfolëse. Do të koordinojmë punën me çdo individ që do të japë idetë e veta për këtë çështje dhe nuk do të biem pre e asnjë tundimi deri në plotësimin përfundimtar të të gjitha të drejtave dhe lirive që bashkëkombësit shqiptarë meritojnë. Ne do të punojmë për marrëdhënie më të mira me vendet pranë nesh, Greqinë dhe shtetet e tjera, nisur nga parimet e njohura të fqinjësisë së mirë dhe interesit reciprok. Që mos të kalojmë në heshtje përkundrejt çdo padrejtësie që na ndodh në nivel kombëtar dhe personal, ne do të ngremë zërin për të drejtat tona, për t’u bashkuar me çdo zemër shqiptare, që dëshiron të japë sado pak për kombin e vet, për të treguar sa jemi e sa vlejmë”, - deklaruan deputetët gjatë shpalljes së partisë më të re.
Kuvendi
Partia për Drejtësi dhe Unitet figuron forca e katërt politike në Kuvend, pas PD-së, PS-së dhe LSI-së. Madje, PDU-ja rezulton më e fuqishme edhe se Partia Republikane, e cila është përfshirë në qeveri. Lëvizja politike e Idrizit dhe Tahirit ka prishur konfigurimin e Kuvendit pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Largimi i Idrizit nga PS-ja e ka reduktuar numrin e deputetëve opozitarë nga 66, në 65, ndërkohë që deputetët e PS-së ngelen 64. Interesant është fakti se Partia për Drejtësi dhe Integrim, e cila ishte surpriza e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke fituar një mandat dhe duke qenë shumë pranë të dytit, nuk do të figurojë më si parti parlamentare për shkak se Tahiri, deputeti i saj i vetëm, është larguar duke krijuar një parti të re.
Deputetët Idrizi dhe Tahiri, të zgjedhur në qarkun e Vlorës
Idrizi
Shpëtim Idrizi u zgjodh për herë të dytë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në zgjedhjet e 28 qershorit, nën siglën e Partisë Socialiste. Ai kandidoi në qarkun e Vlorës duke u renditur i katërti në listën e Partisë Socialiste në këtë qark. Idrizi, i njohur si mbështetës i ish-kryeministrit Fatos Nano, nuk doli asnjëherë hapur kundër vendimeve të kryetarit aktual të PS-së, Edi Rama. Largimi nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste shënoi një surprizë, edhe pse lakohej prej kohësh në ambientet e politikës. Gjithsesi, duket se në këtë vendim të Idrizit ka ndikuar origjina e tij çame.
Tahiri
Dashamir Tahiri ishte një nga emrat surprizë të zgjedhjeve të 28 qershorit. Tahiri, i cili kandidoi për Partinë për Drejtësi dhe Integrim, siguroi mandatin e deputetit në qarkun e Vlorës, ku ai kryesonte listën e kandidatëve të PDI-së në këtë qark. PDI-ja arriti një rezultat të suksesshëm në qarkun e Vlorës, duke siguruar një mandat me votat e saj. Tahiri vjen nga fusha e biznesit dhe kandidoi për herë të parë si deputet në zgjedhjet e 28 qershorit.
Afrimi i Idrizit, mollë sherri midis Tahirit dhe Muhedinit
Bashkëpunimi me deputetin çam të PS-së u kthye në një mollë sherri në gjirin e Partisë për Drejtësi dhe Integrim, si dhe midis kryetarit të kësaj partie Tahir Muhedini dhe deputetit të saj Dashamir Tahiri. Gjatë muajit gusht Muhedini deklaroi në një intervistë televizive se kishte filluar negociatat për të afruar pranë PDI-së deputetin Idrizi. Por kjo deklaratë nuk u mirëprit nga drejtues të tjerë të PDI-së, madje edhe nga vetë deputeti Tahiri, i cili akuzoi Muhedinin se po përpiqej që të bënte pazare personale në kurriz të çështjes çame. “Çështja çame për mua është e shenjtë dhe si e tillë ajo nuk mund të ngatërrohet me karrige pushteti apo me leje ndërtimi”, - do të deklaronte deputeti Tahiri në përfundim të një prej mbledhjeve të Kryesisë së PDI-së, ku ndodhën edhe debate të ashpra me kryetarin Muhedini. Sipas tij, prioriteti kryesor është zgjidhja e çështjes çame, mbështetja e pakufizuar e qeverisë “Berisha” dhe aspak lakmia e karrigeve të pushtetit për përfitim personal e momental.
1 Tetor 2009