Fjala e Presidentit Topi në Samitin ndërkombëtar të Forumit të Krans Montanës, mbi krimin transnacional.

12 nëntor 2009
I nderuar Zoti Karteron,
Ju falënderoj për ftesën që më bëtë për të marrë pjesë në këtë samit të rëndësishëm të “Forumit të Krans Montanës”! Kam një kënaqësi të veçantë t’u drejtohem pjesëmarrësve të nderuar të këtij forumi.
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,
Çështja për të cilën ky forum i veçantë na ka mbledhur në Paris është e rëndësishme dhe kërkon një vëmendje sa politikanësh, aq edhe ekspertësh, bashkëpunimi i të cilëve mund të japë rrugëzgjidhje të efektshme dhe në kohën e duhur.
Sulmet e tmerrshme terroriste të 11 shtatorit 2001 e kanë bërë të qartë që terrorizmi është një sfidë e përbashkët dhe që lufta kundër tij kërkon veprim të përqendruar e global. Ai përbën një kërcënim serioz ndaj sigurisë së brendshme dhe të jashtme, ndaj marrëdhënieve paqësore midis shteteve dhe ndaj zhvillimit dhe funksionimit të institucioneve dhe parimeve demokratike. Shqipëria dënon kategorikisht të gjitha veprimet e terrorizmit, si kriminale dhe të pajustifikueshme, pavarësisht nga motivimi i tyre, format dhe manifestimi. Si vend anëtar i NATO-s dhe aspirues për anëtarësim në Bashkimin Europian, ajo u është bashkuar të gjitha përpjekjeve e luftës të vendeve demokratike duke u bërë pjesë edhe e strategjive dhe veprimeve parandaluese ndaj atyre që sponsorizojnë, organizojnë ose kryejnë akte terroriste.
Ne i kemi kushtuar një rëndësi të veçantë jo vetëm miratimit të një kuadri ligjor bashkëkohor, por edhe institucionalizimit të bashkëpunimit të agjensive të specializuara vendase dhe të huaja.
Terrorizmi apo krimi i organizuar lind, rritet, zmadhohet, ushqehet dhe lulëzon në kriza dhe nga krizat. Ai nuk ka kombësi. Fenomenet lokale, rajonale apo globale të mungesës së stabilitetit politik, ekonomik dhe varfërisë ekstreme, regjimet diktatoriale apo anti-demokratike janë vatrat apo parajsat fiskale ku krimi transnacional i të gjitha formave, merr oksigjenin për t’u përhapur dhe rrezikuar seriozisht popuj, vende, qeveri dhe rajone të caktuara.
Me të drejtë, në kushtet e një krize të përgjithshme finaciare, e cila lëkundi jo vetëm themelet e financave botërore, por edhe besimin ndaj tyre, ne duhet të shqetësohemi dhe të analizojmë efektet e saj politike dhe mbi shtetin e së drejtës, sidomos në vendet në tranzicion. Ky terren i favorshëm për fenomene të jashtëligjshme mund të sjellë aktivizimin e veprimtarisë së grupeve të krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, kryerjen e operacioneve kreditore jolegale, përfitimin e aksioneve të kompanive të lira si dhe pjesëmarrjen në blerjen e pasurive publike apo private.
Kështu në këto vende, dhe jo vetëm, krimi i organizuar lehtësisht mund të zotërojë një fuqi të madhe ekonomike dhe politike duke paralizuar gradualisht instrumentat dhe levat e shtetit për të vepruar kundër tij.
Shqipëria, Ballkani, Evropa Juglindore kanë një pozitë gjeografike lakmuese për tranzitimin e linjave ndërkombëtare të trafikimit të paligjshëm dhe të krimit të organizuar. Ndryshimi i sistemeve politike dhe krijimi i shteteve të reja, i pasuar me konflikte të zgjatura lehtësoi fenomene të tilla si kontrabandën, trafiqet e paligjshme, grabitjet dhe vjedhjen në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, nacionalizmin ekstrem të shoqëruar me dhunë, të cilët rrezikuan dhe vonuan proceset demokratike të vetë shteteve të këtij rajoni.
Sot, krimi i organizuar dhe të gjitha shfaqjet e tij janë në luftë të hapur me proceset e forcimit të institucioneve ligjore të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në këto vende. Kjo është një luftë shumë e vështirë, e komplikuar dhe e vazhdueshme, sepse përballet me teknika gjithnjë e më të sofistikuara dhe metoda bashkëkohore.
Shqipëria është në pritje të statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe e angazhuar në përmbushjen e standarteve demokratike, pjesë e rëndësishme e të cilave është edhe lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimit ekonomik.
Masat që ajo ka marrë në këtë drejtim synojnë:
Përafrimin e legjislacionit, veçanërisht përputhshmërinë e kuadrit ligjor me konventat penale e civile të Këshillit të Evropës kundër korrupsionit;
Vënien në zbatim të detyrimeve të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit;
Përafrimin e legjislacionit me standardet e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit;
Sigurimin e përputhshmërisë së kuadrit ligjor me konventat penale e civile kundër korrupsionit të Këshillit të Evropës;
Ndryshimet në Kodin Civil Shqiptar për ta përshtatur me standardet e Konventës Civile të Këshillit të Evropës.
Të ndërgjegjshëm se ky fenomen është rajonal dhe global, ne e kemi shtrirë bashkëpunimin me vendet e Evropës Juglindore në këto drejtime:
Thellimin e bashkëpunimit me strukturat e agjensive informative e të sigurisë, me ato të policisë dhe të prokurorisë së vendeve të rajonit si në nivel operacional ashtu dhe në shkëmbim të të dhënave në kohën e duhur.
Menaxhimin e integruar të kufijve me qëllim forcimin e kontrollit për të goditur krimin ndërkufitar.
Monitorimin e vazhdueshëm të të gjitha transaksioneve financiare të dyshimta të lidhura me financimin e trafikut të drogës dhe shkëmbim në kohë i këtyre informacioneve.
Evidentimin dhe goditjen me tolerancë zero të formave të korrupsionit që favorizojnë trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.
Zbutje e faktorëve socialë, ekonomikë, politikë dhe ligjorë në planin e brendshëm që kushtëzojnë rritjen e trafikut të drogës.
Shekulli i XXI mund të quhet pa dyshim, shekulli i tekonologjisë së lartë, i komunikimit të shpejtë dhe i distancave të shkurtuara. Por ai do të quhet shekulli i njerëzimit, në se qeveritë dhe vendet demokratike do të bashkojnë mundësitë, energjitë dhe strategjitë jo vetëm për të goditur fenomenet e krimit transnacional, por edhe për të asgjesuar rrënjët dhe burimet e tij të vërteta.
Shqipëria, populli i së cilës punon çdo ditë me shumë shpejtësi, për të arritur standardet e botës së qytetëruar, po luan një rol të rëndësishëm, konstruktiv dhe moderator në rajonin ballkanik. Një rajon tradicionalisht i trazuar nga problemet e konflikteve ndëretnike dhe ky ka qenë një terren i përshtatshëm për krimin transnacional, por në mënyrë të veçantë, vitet e fundit, ajo që bie në sy, sidomos pas krijimit të shtetit të ri të Kosovës, vihet re një rritje dhe intesifikim të raporteve dhe e dialogut politik midis vendeve ballkanike. Është kthyer në një ritual takimi vjetor i presidentëve të vendeve të Ballkanit ku përtej marrëdhënieve bilaterale, organizohen tryeza të rrumbullakta ku diskutohet për mjaft elementë, mes të cilëve mbizotërojnë nevoja për forcimin real të dialogut politik, nevoja për rritjen e bashkëpunimit ekonomik, nevoja e sintonizimit të të gjitha mjeteve ligjore dhe operacionale për të luftuar krimin transnacional.
Nga kjo pikëpamje, mund të them që Shqipëria ka rezultate të dukshme jo vetëm në luftën kundër korrupsionit, por edhe në parandalimin e fenomeneve që kanë të bëjnë me trafiqet e paligjshme. Ajo që ka ndodhur gjatë viteve të kaluar, ka rreth tre vjet që nuk ndodh më. Kemi një ndalim të trafikut të paligjshëm që kalonte nëpërmjet Shqipëri drejt Italisë. Sigurisht kjo ka ardhur nëpërmjet një rregullimi ligjor, por edhe nëpërmjet vullnetit të të gjitha forcave politike për të ndaluar këtë fenomen, i cili ishte i dëmshëm jo vetëm për vendet ku trafikoheshin qeniet njerëzore, por ishte i dëmshëm edhe për Shqipërinë dhe imazhin e saj.
Sot kjo mënyrë rregullimi, që ka të bëjë jo thjesht me vullnetin, por ka të bëjë edhe me ligjin, kjo mënyrë bashkëpunimi i ka dhënë Shqipërisë një imazh të ri dhe tashmë Shqipëria është pjesë e një sistemi rajonal dhe global në luftën kundër terrorizmit, kundër trafiqeve të paligjshme, kundër korrupsionit dhe kjo është një dëshmi, e cila nuk shikohet shikohet thjeshtë nga ata që jetojnë në Shqipëri, por konstatohet edhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët jo vetëm e monitorojnë rrugën e Shqipërisë drejt këtyre standardeve, por edhe e ndihmojnë, dhe kjo është arsyeja që Shqipëria sot është jo vetëm vend i NATO-s dhe është në rrugën e saj të sigurtë drejt anëtarësimit për në familjen evropiane.
Ju falemnderit për vëmendjen dhe ishte një kënaqësi e veçantë që ndaj me ju opinione shumë të rëndësishme për një problem të përbashkët!