FMN: “Bankat private po shtojnë rrezikun duke u munduar të rrisin fitimet”
Për të siguruar fitime të larta, bankat në vendin tonë abuzojnë me dhënien e kredive si në drejtim të normave të larta të interesit, ashtu edhe në drejtim të transparencës. Në një studim të Fondit Monetar Ndërkombëtar që u është dorëzuar ekspertëve të Bankës së Shqipërisë, thuhet se “është evidentuar në sistemin bankar shqiptar kostoja e lartë e ndërmjetësimit, e cila ka ardhur vazhdimisht në rritje. Kjo rritje e lartë i referohet rritjes së investimeve të bankave në aktive me rrezik më të lartë dhe ndryshimit të strukturës së depozitave në favor të atyre në valutë, me norma më të ulëta interesi”. Sipas studimit të FMN-së, mendohet se këto kosto të larta ndërmjetësimi pengojnë zhvillimin ekonomik të rajonit dhe flasin për një mungesë eficience. “Ndryshimi i ambientit të biznesit nëpërmjet reformave institucionale dhe nxitja e konkurrencës midis bankave, zhvillimi i sektorit jobankar, do të ishin hapat e përshtatshëm për rritjen e eficiencës dhe uljen e kostove të ndërmjetësimit financiar”,- rekomandon FMN-ë. Këtë konstatim e ka bërë dhe vetë Guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, i cili ka lëshuar kritika të ashpra ndaj bankierëve muajin e kaluar, duke lajmëruar se do të forcojë edhe më shumë rregullat e mbikëqyrjes dhe masat administrative ndaj tyre. Shqetësimi i BSH-së qëndron në faktin se, përveç rritjes së ritmit të kredisë, bankat më së shumti e japin huan në valutë, ndërkohë që të ardhurat janë në lekë. Treguesi i kredive me probleme ndaj totalit të portofolit të kredive në terma bruto, përllogaritet 3,6 për qind në fund të janarit 2008, kjo përqindje një vit më parë ka qenë rreth 2.6 për qind.
Drejtoria e Doganave, këtej e tutje do të ketë një godinë të re
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka tashmë një tjetër pamje. Dje ka përfunduar rikonstruktimi i godinës së Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në Laprakë, e cila është inauguruar nga ministri i Financave, Ridvan Bode dhe drejtori i Përgjithshëm i DPD-së, Përparim Dervishi. Gjatë ceremonisë kreu i Doganave, Përparim Dervishi, tha se ky investim është në vazhdimin e përmirësimit të infrastrukturës së shërbimit doganor në vend. Edhe ministri i Financave, Bode, në fjalën e tij qëndroi në të njëjtën linjë me kreun e Doganave përsa i përket përmirësimit të shërbimit doganor ndërsa tha së “të ardhurat e siguruara nga doganat bënë të mundur realizimin e buxhetit shtesë”. Projekti i rikonstruktimit të godinës së Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave është një investim prej 65 milion lekësh. Punimet për rikonstruktimin e godinës filluan në shtator të vitit të shkuar duke u finalizuar këtë muaj.
1 Gusht 2008