E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nevoja për para, bankat private fillojnë të rrisin përqindjet e interesit për depozitat



Ervin Koçi

Mungesa e likuiditetit dhe nevoja e ngutshme për para që kanë bankat private në vend, sidomos gjatë vitit të fundit, i ka detyruar ato që të nisin nga politikat favorizuese për shtimin e depozitave bankare. Ofertat e mira dhe rritja e përqindjes së interesit të depozitave bankare, janë parë si një mundësi e mirë për të shtuar sasinë e parave nga bankat e nivelit të dytë, të cilat kanë nevojë të madhe për qarkullim parash në një kohë kur portofoli i kredisë është rritur ndjeshëm. Këtë gjë e konfirmon edhe raporti më i fundit i Bankës së Shqipërisë, sipas të cilit tregu financiar në vend është karakterizuar nga vëllime të njëjta tregtimi me muajin e mëparshëm, ndërkohë që përqindjet e interesit në përgjithësi krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, janë rritur pothuajse për të gjitha llojet e maturimit dhe të monedhave. E gjithë kjo ecuri, ka pasqyruar zhvillimet në ekonominë e brendshme, ashtu edhe ecurinë e normave të interesit në tregun financiar ndërkombëtar. Në muajin prill, norma vjetore e rritjes së kredisë për sektorin privat qëndroi e pandryshuar me atë një muaj më parë, në 43 për qind. Kredia për biznese ka ruajtur ritmet mesatare të rritjes të fillimvitit, prej 38 përqindësh.

Interesat për kursimet

Norma e interesit të depozitave bankare që qytetarët mbyllin në bankat private në vend, është një ndër elementët kryesorë që përdor një banke tregtare për të tërhequr klientë drejt saj. Në qoftë se një bankë ofron interesa të lartë për depozitimet, të shoqëruar me një nivel të lartë sigurie dhe cilësie në shërbim, atëherë klientët janë të siguruar. Mirëpo, normat e interesit të depozitave përbëjnë kosto për bankat tregtare në vendin tonë. Në tregun tonë bankar, bankat pranojnë depozitime për maturitete dhe monedha të ndryshme. Në përgjithësi, normat e interesit si në lekë ashtu dhe në valutë, varen nga politikat vetjake të bankave tregtare, si ruajtja e konkurrencës në tregun bankar, të qenit agresive për të fituar pjesë në këtë treg, tërheqja drejt tyre e një monedhe të caktuar etj. Normat e interesit për depozitimet në valutë, varen kryesisht nga politikat monetare të bankave qendrore të monedhave përkatëse.

Interesat për monedhën vendase

Bankat e nivelit të dytë po rrisin interesin e depozitave për monedhën vendase Lekun dhe po ulin normën e interesit për depozitat në dollarë. Veprime të tilla kanë bërë këto ditë thuajse të gjitha bankat e nivelit të dytë në vend. Reagimi i sistemit bankar erdhi pas disa kritikave të ashpra të Bankës së Shqipërisë e cila tha se “bankat private ofronin interes për depozitat 7 për qind me pak se sa kërkonin për kreditë”. Rishikimi i interesave në monedhën vendase vjen si rezultat i politikës monetare të ndjekur nga BSH-ja, si dhe reflekton sinjalet dhe pritshmëritë e tregut. Norma mesatare e interesit për kursimet në monedhën vendase për afate 12-mujore është rreth 7 për qind. Interesi i kursimeve në lekë ka ardhur në rritje këto dy vitet e fundit për shkak se BSH-ja ka rritur çmimin e normës bazë të interesit për lekun në nivelin 6,5 për qind.

Masat shtrënguese

“Prirja rritëse e normave të interesit është në ndjekje të sinjaleve shtrënguese të politikës monetare”, - sqaron Banka Qendrore. Interesat për depozitat në lekë kanë treguar një rritje të ndjeshme, gjë që ka sjellë zgjerimin e diferencës së tyre me interesat e depozitave në valutë. Në të njëjtën kohë bankat kanë rritur normat e interesit në lekë dhe atë në euro. Ndikimin më të madh në rritjen e normës së interesit për huat duket se, e ka dhënë rritja e kërkesës për kredi. Si rezultat i kësaj situate norma mesatare e kredisë në monedhën vendase, është mbi 14,1 për qind, nga 13 për qind që ishte në fillim të vitit 2007. Gjithashtu, normat e interesit janë rritur edhe për kredinë në euro gjatë vitit 2007 në përputhje me ecurinë e interesave në tregun ndërkombëtar. Por, nga ana tjetër rritja e normave të interesit nuk ka ndikuar në uljen e ritmeve të dhënies së kredisë, duke ndikuar kështu në zgjerimin e parasë jashtë kanaleve bankare.

Çfarë ndodh kur ulen interesat e bankave private

Kur normat e interesit të bankave ulen, huamarrja bëhet më atraktive (joshëse). Kur në tregun bankar ekzistojnë norma të ulëta interesi, konsumatorët e kanë më të lehtë të blejnë një makinë apo një shtëpi. Blerja e një shtëpie, rrit kërkesën për mallra të tjerë si mobilie, pajisje elektrike, duke i dhënë kështu një shtysë rritjes ekonomike. Për më tepër, konsumatorët shpenzojnë më pak në kostot e interesit, duke u dhënë mundësi atyre të kenë më shumë para për të shpenzuar në mallra dhe shërbime. Gjithashtu, kur normat e interesit janë të ulëta, fermerët, prodhuesit dhe bizneset e tjera e kanë më të lehtë të marrin hua për të investuar në blerjen e makinerive të ndryshme dhe në ndërtimin e ambienteve të reja. Për më tepër, fitimet që këto biznese sjellin në të ardhmen janë më të vlefshme kur normat e interesit janë të ulëta sesa kur ato janë të larta.

Euroja, valuta më e përdorur për depozita dhe kredi

Pavarësisht se bankat po reagojnë ndaj normës së interesit për monedhën vendase dhe dollarin, euro paraqitet si valuta më e preferuar nga klientët dhe bankat për të marrë kredi, por edhe për të ruajtur depozita. Sipas një vëzhgimi në bankat e nivelit të dytë në Tiranë, në raport me vlerën që euro ka aktualisht me dollarin dhe lekun, interesat janë më të leverdishme. Në fakt, duke iu referuar normave të interesit, leku duhet të ishte më i favorizuar për depozitat, por për shkak të normës së lartë të inflacionit, interesi real që fitohet nga depozitat në lekë për afatet 12-mujore aktualisht nuk është më shumë se 4 për qind. Kështu duke ruajtur kursimet në euro, ato mbrohen më mirë nga inflacioni. Ndërkohë bankat dhe klientët e kanë euron monedhën më të përdorur edhe për kreditë. Rreth 70 për qind e kredisë në valutë është dhënë në euro.

1 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›