E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodheli: “Meta po flet si Haxhi Qamili”



I menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Socialiste pas deklaratës së bërë nga kreu i LSI-së, Ilir Meta. Zëdhënësja e Kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, është shprehur dje se “Ilir Meta duhet të heqë dorë nga akuzat vulgare në adresë të PSSH-së dhe Edi Ramës, jo vetëm sepse rrugët tona me Sali Berishën kanë qenë dhe janë të ndara qartë, por edhe se është në të mirën e Ilir Metës ta kuptojë se nuk rritet dot politikisht as duke gjuajtur me gurët e politikës së vjetër mbi PSSH-në e mbi Edi Ramën. As duke bërë me Kasharin si dikur Haxhi Qamili që tha: ‘Sa të kem Sharrën s’pyes për Anglinë e Francën’”. Reagimi i Kodhelit është i dyti nga selia rozë pas qëndrimit që mbajti Rama dy ditë më parë. “Me keqardhje më duhet të nënvizoj diçka, që në një demokraci normale, mes forcash politike të pjekura e të përgjegjshme për ato që i thonë publikut, nuk do të qe hiç e nevojshme të nënvizohej. Por në kushtet tona është, për fat të keq, e pashmangshme. Për të mos lejuar që inteligjenca e popullit të fyhet nga deklarata e konkluzione joserioze, të cilat synojnë çoroditjen dhe manipulimin e opinionit publik me çdo kusht e me çdo mjet, është e udhës të thuhen sot, pas zhurmës së panevojshme dy fjalë thjeshtësisht të vërteta. Kashari nuk ishte kurrfarë testi për forcat politike shqiptare, por një garë lokale, mes katër individësh, të respektuar, të një komuniteti, të cilët ndanë mes tyre 7200 vota për të plotësuar vendin bosh të kreut të komunës”, - ka deklaruar Rama dy ditë më parë.

1 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›