Ndoka: “Berisha të ndalë përndjekjen e demokristianëve”
Kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka ka mbledhur dje Këshillin Kombëtar të kësaj partie ku ka analizuar situatën e politike pas shkarkimit të tij nga posti i ministrit të Shëndetësisë, duke u shkelur në këtë mënyrë dhe marrëveshja mes PDK-së dhe PD-së. Gjatë fjalës së tij në këtë mbledhje kryetari i PDK-së, Nard Ndoka i bëri apel Partisë Demokratike dhe kryeministrit Berisha që të rishikojnë dhe njëherë narrëeshjen me PDK-në dhe qëndrimin që do të mbajnë me këtë parti. “Siç jeni në dijeni, Partia Demokristiane është jashtë koalicionit qeverisës, përfaqësuesit e saj legjitimë u larguan nga postet politike që mbanin në qeveri. Ky vendim i njëanshëm i kryeministrit Berisha, në shkelje të hapur të marrëveshjes së nënshkruar midis dy partive, PDK-së dhe PD-së për të bashkëqeverisur, për ne nuk ishte i papritur, edhe pse është i pamotivuar dhe dëmton rëndë interesat politikë të maxhorancës së djathtë dhe qeverisjen e saj”, - tha Ndoka. Gjatë fjalës së tij Ndoka përmendi disa nga arritjet e PDK-së dhe reformat që ai ndërmori në krye të ministrisë së Shëndetësisë. “Unë ndjehem krenar të deklaroj, se në ministrinë e Shëndetësisë, që u drejtua për një periudhë gjashtëmbëdhjetë mujore nga demokristianët, u bënë më shumë reforma se sa ishin bërë në shtatëmbëdhjetë vitet e qeverisjeve të majta e të djathta. Ministria hartoi dhe tashmë kemi një dokument zyrtar të Strategjisë së Shërbimit Shëndetësor 2007 - 2013, me afate, detyra, dhe synime konkrete si dhe futëm konceptim e menaxhimit në sistemin shëndetësor”, është shprehur Ndoka. Por sipas tij pavarësisht arritjeve, PDK përjashtohet nga qeverisje dhe rikthehen forca politike që kanë probleme me ligjin dhe që kanë përgjegjëse për tragjedinë e Gërdecit. “Pavarësisht këtyre arritjevePDK dhe përfaqësuesit e saj në qeverisje, u vunë në shënjestër të sulmeve dhe të skenarëve nga më të papranueshmit. Kjo luftë e gjatë dhe primitive u finalizua me ndryshimet e fundit në qeveri, kur PDK-ja u la jashtë qeverisjes, ndërsa u kthye në qeverisje forca politike që kanë probleme me ligjin dhe që duhet të përgjigjen para drejtësisë për tragjedinë e Gërdecit. Ne kemi gjykuar dhe gjykojmë se ndryshimet e fundit në qeveri u kryen nën shantazhin e Gërdecit. U kthye në qeveri Partia Republikane që është përgjegjësie direkte për tragjedinë e Gërdecit dhe i larguan nga qeverisja demokristianët, ata që shëruan plagët e Gërdecit”, është shprehur Ndoka. Këshilli Kombëtar i Partisë Demokristiane në përfundim të mbledhjes miratoi një rezolutë nëpërmjet të cilës i kërkon Partisë Demokratike dhe kryeministrit Berisha të ndërpresë përndjekjen e dhe pushimin nga puna të anëtarëve të Partisë Demokristiane në të gjitha nivelet. “PDK, nëpërmjet rezolutës së miratuar në Këshillin Kombëtar i kërkon PD-së dhe kryetarit të saj të reflektojë dhe t’u përmbahet marrëveshjeve të nënshkruara, sepse fryma përçarse dhe përjashtuese dëmton maxhorancën e djathtë dhe rrezikon fitoren e së djathtës në zgjedhjet e ardhshme”, shkruhet në rezolutë.
1 Gusht 2008