E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Ekonomisë u vendos gjoba HEC-eve të vogla me koncesion



Zbatimi i kontratave dhe respektimi i afateve të punimeve në hidrocentralet e vogla, të dhëna me koncesion për subjekte të caktuara biznesi, do të nisë të shqyrtohet nga Ministria e Ekonomisë. Të dhëna zyrtare bëjnë me dije se METE, paralelisht me vijimin e procesit të dhënies me koncesion të hidrocentraleve të tjera, do të kontrollojë me anë të një grupi ekspertësh të saj respektimin e kontratave në lidhje me afatet dhe me vlerën e investimeve për rreth 40 HEC-e të vogla që janë deri tani me koncesion. Sipas të dhënave, një pjesë e këtyre hidrocentraleve të vogla nuk kanë nisur fare nga puna, ndërkohë që të tjerat janë edhe ato larg afateve në kryerjen e punimeve. Të dhënat bëjnë me dije se, METE nuk do të lejojë që kontratat të mos respektohen dhe të gjitha subjektet që zyrtarisht do të gjenden me thyerje të këtyre kontratave do të penalizohen. Qeveria shqiptare, duke qenë se i cilëson shumë të rëndësishme hidrocentralet e vogla në strategjinë e saj të energjisë, do të vendosë afate të tjera fikse për të gjitha subjektet, në rast se ngadalësitë në zhvillimin e punimeve kanë pasur të bëjnë me arsye objektive dhe me mosrakordim mes agjencive të ndryshme të qeverisë apo të pushtetit vendor. METE dhe Agjencia Kombëtare e Koncesioneve kanë në proces për dhënie me koncesion edhe 40 hidrocentrale të vogla. Në ligjin që ka miratuar qeveria shqiptare me konsulencën e ekspertëve të Bankës Botërore për koncesionet e hidrocentraleve të vogla, është saktësuar se subjekti që ofron investimin më të madh, prodhimin, shfrytëzimin më optimal të ujit dhe mbrojtjen më të mirë të mjedisit, duke siguruar njëherazi edhe sasinë më të madhe të energjisë, do të fitojë koncesionin. Këto kërkesa të rëndësishme të ligjit janë paraqitur në të gjitha projektet për marrjen me koncesion të hidrocentraleve të dhëna deri tani, por punimet në to nuk kanë nisur ende. Qeveria kishte parashikuar që brenda vitit 2009 nga hidrocentralet e vogla të prodhohen së paku 200 milionë kilovat-orë energji elektrike. Kjo sasi është shumë e vogël krahasuar me nevojat e vendit (7,5 miliardë kilovat-orë në vit), por ajo do të ndihmonte mjaft, pasi ajo do të mund të furnizonte zona të caktuara, komuna dhe biznese të caktuara, dhe në anën tjetër do të ulte ndjeshëm humbjet teknike.

1 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›