E Diel, 1 Nëntor 2026

Hidrokarburet, grosistët shpjegojnë skemën e uljes në vend javën e ardhshme



Ervin Koçi

Konsumatorët shqiptarë do të kenë mundësinë që pas shumë kohësh të çlirohen disi nga çmimi gjithmonë e në rritje i hidrokarbureve. Lajmi i mirë që është bërë i ditur vetëm një ditë më parë dhe që e ka patur origjinën nga bursa ndërkombëtare, është përforcuar mandej edhe nga deklaratat e grosistëve shqiptar të hidrokarbureve. Sipas përfaqësuesit të Shoqatës së Hidrokarbureve, Viktor Nushi, javën e ardhshme në tregun vendas me pakicë, çmimet e karburanteve do të pësojnë një ulje me rreth 5 lekë për litër, duke ndjekur tendencën e çmimeve në bursat ndërkombëtare. Kreu i importuesve dhe grosistëve të hidrokarbureve në vend, Nushi, thotë për gazetën se “gjithmonë importuesit e mëdhenj janë në varësi dhe ndjekin kurbën e bursave ndërkombëtare, të cilat deri tani kanë pasqyruar më tepër rritje sesa ulje”. Muajt e fundit çmimet e karburanteve në tregun vendas kanë pësuar rritje të lartë nga 10 deri në 50 lekë, ndërkohë që kjo është hera e parë që importuesit në vend ndjekin kurbën e çmimeve në bursat e huaja. Kryetari i Shoqatës së Hidrokarbureve, Nushi, shpjegoi se, kjo është periudha që importuesit nisin furnizimet e reja. “Importuesit e naftës punojnë me rezerva, ku ligji lejon importim të tyre, duke mbajtur tre muaj rezerva. Në këto kushte, fillimi i importit të naftës me çmimet e reja, të cilat kanë shënuar ulje, do të përcillen edhe në tregun vendas”,- sqaron Nushi. Ai shton më tej se, “ulja e çmimeve nuk do të jetë e njëjtë në të gjitha pikat e shitjes së karburanteve, duke krijuar variabilitet të ndryshëm”. Ndryshimet e çmimeve në tregun vendas tregojnë edhe njëherë më së miri varësinë e furnizimit të karburanteve në vend nga importet. Edhe vetë shifrat zyrtare tregojnë pamundësinë e prodhimit vendas për të mbuluar kërkesat e konsumatorëve.

Nafta vendase

Sipas statistikave zyrtare, nafta e prodhuar në vend plotëson kërkesat vetëm për 20 për qind të tregut, ose e thënë ndryshe, ajo arrin në vlerën e 110 mijë tonë naftë e përpunuar në vit. Ndërkohë që kërkesa e konsumatorëve vendas llogaritet në 30 mijë tonë naftë në muaj, ku pjesa tjetër mbulohet nga importi. Sasia e naftës së importuar llogaritet në 320 mijë tonë në vit. Duke iu referuar statistikave zyrtare të ish-kompanisë shtetërore “ARMO”, nga viti në vit konstatohet një rritje e sasisë së naftës që përpunohet në rafineritë e Ballshit dhe të Fierit. Nga viti 2000 dhe deri tani nafta që përpunohet në këto rafineri ka shënuar mesatarisht rritje vjetore deri në 5 mijë tonë. Po ashtu, nuk duhet të harrojmë faktin që kostoja e përpunimit të saj nga rafineritë e vendit për ta kthyer në një produkt që do të shitet në tregun me pakicë, është shumë herë më e ulët se kostoja e naftës së importuar. Për rafinerinë e Ballshit, kostoja për përpunimin e një ton nafte është 22.292 lekë, por pavarësisht kësaj, kjo nuk ka ndikuar asnjëherë në plotësimin e kërkesave të tregut, e cila do të sillte ulje të çmimit.

Çmimi i naftës

Duke iu referuar të dhënave të shitjes së karburanteve, nga tregu vendas 1 litër naftë diezel dje është shitur 164 lekë, kurse çmimi i “eurodiezel”-it ka qenë 169 lekë/litri. Nga ana tjetër, në bursat ndërkombëtare çmimi i naftës së papërpunuar që prej dy javësh po shënon ulje. Dje, nafta e papërpunuar në bursën e Nju Jorkut ka rënë me 2 dollarë, duke u shitur në nivelin e 120 dollarëve për fuçi, nga 122.14 dollarë që është shitur. Rënia e çmimit është pasojë e një numri faktesh që tregojnë për rënien e kërkesës për naftë në botë. Çmimi i naftës së lehtë amerikane për porositë e gushtit në bursën e Nju Jorkut është gati e njëjtë me atë të djeshmen, kur një fuçi nafte ka kushtuar 122.19 dollarë, por për një moment ka rënë vetëm në 120.42 dollarë për fuçi, që është vlera më e ulët që nga 6 maji i këtij viti, bëjnë të ditur agjencitë botërore.

1 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›