Meta: “Rama të prishë paktin me PD-në nëse Berisha paraqet rrezik”
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka reaguar pas deklaratës së kreut të PS-së, Edi Rama, i cili e akuzoi Berishën si një faktor “të rrezikshëm”, çka sipas Ramës u pa dhe në zgjedhjet e Kasharit. “Unë vërtet jam çuditur kur kam dëgjuar pas 72 orësh kryetarin e PS-së, i cili foli në mënyrë të papërgjegjshme dhe tepër kontradiktore, për një ngjarje që duhet analizuar me përgjegjësi dhe me seriozitet”, - tha dje Meta. Më tej kreu i LSI-së është shprehur se nëse vërtet Rama e sheh si të rrezikshëm rolin e Berishës, atëherë ai duhet të bëjë autokritikë për marrëveshjen e lidhur me të. “Nëse ka vërtet ato mendime për Sali Berishën, për rrezikun që Berisha u kanos zgjedhjeve në Shqipëri, atëherë ai duhet të bëjë një autokritikë të madhe për të gjitha pushtetet që i dha Sali Berishës në natën e 21 prillit, pa pyetur deputetët e tij, partinë e tij dhe njëkohësisht duke vazhduar me Berishën për të penguar popullin shqiptar për t’u shprehur për këto ndryshime, të cilat në fund të fundit kanë të bëjnë me sovranitetin e të gjithë shqiptarëve”, - u shpreh Meta.
Reagimi
Duke iu referuar deklaratës së kryetarit të PS-së, që u justifikua për humbjen e zgjedhjeve të Kasharit, Meta theksoi se, “së pari duke u bashkuar me të për shqetësimin që ngriti përsa u takon problemeve që kishin zgjedhjet edhe në komunën e Kasharit, unë dëshiroj që ta ftoja edhe njëherë publikisht mikun tim Edi Rama që të mos vazhdojë më të ushqejë iluzione për veten e tij, dhe aq më tepër të bindë deputetët e PS-së dhe socialistët e vërtetë dhe popullin shqiptar se me Sali Berishën ai ka bërë ose mund të bëjë ndonjë reformë të rëndësishme dhe pozitive për vendin”. Më tej Meta ka shtuar se rezultati i zgjedhjeve të Kasharit ishte një tregues i presionit të jashtëzakonshëm të qeverisë, të shtetit nga ministrat e kabinetit të qeverisë, të cilët ishin atje pikërisht për të ndikuar mbi rezultatin e zgjedhjeve të 27 korrikut. “Jo vetëm kaq, por ne si LSI ishim në garë me Partinë Demokratike dhe shtetin, sepse ndaj mbështetësve të LSI-së u bënë shumë presione pa asnjë arsye nga ana e policisë e deri te shantazhet e tjera të bëra nga përfaqësues të shtetit”, - tha Meta.
Rama
Kryesocialisti Edi Rama shprehu keqardhje dy ditë më parë për pompozitetin e kotë me të cilin kryeministri Sali Berisha dhe kreu i LSI-së Ilir Meta rendën të nxjerrin konkluzione triumfale. “Madje qoftë kryeministri, qoftë ish-kryeministri, u ngutën të lajnë me Partinë Socialiste hesape, që pa asnjë dyshim do t'i bëjmë, por vetëm në kohën e në vendin e duhur: Në vitin 2009, në të gjithë Shqipërinë. Ndërkohë le të bëjmë gati sistemin e ri zgjedhor, që do të hyjë në funksion në vitin 2009, duke e mbyllur me Kasharin kapitullin e shëmtuar të sistemit të vjetër, që edhe të dielën në Kashar nxori nga kutitë më shumë vota sesa numri i votuesve, shpërndau afro 500 certifikata të reja deri në fund të ditës së votimit, pa llogaritur një prurje certifikatash nga një komunë tjetër, derdhi rrugëve e kafeneve të fshatit tërë shpurën e ministrave të shoqëruar nga shpurat e tyre vetjake dhe hodhi në qarkullim para nën dorë për blerje masive votash”, - është shprehur Rama. Kryesocialisti ka deklaruar se gara e vërtetë do të zhvillohet me një sistem të kontrolluar zgjedhor dhe në garancinë e kartave të identitetit. Le të bëjmë gati kartat e identitetit, të rikonceptojmë pa humbur kohë administratën zgjedhore dhe të garantojmë me ligj transparencën e financimit të fushatës e pastaj t'ua lemë në dorë 3 milionë e 100 mijë shqiptarëve të na rendisin lirisht në listën e preferencave të tyre. Pastaj flasim”, - tha Rama.
1 Gusht 2008