FMN: Buxheti përballon borxh 40% të GDP-së
“Buxheti që po diskutohet tani parashikon një rritje të shpenzimeve primare prej vetëm pak më shumë se 2 për qind dhe ky është një buxhet i vështirë, që do ta quaja ideal, nëse borxhi publik do të ishte 30 apo 40 për qind e GDP-së”, u shpreh pak ditë më parë ish-shefi i Misionit të FMN për Shqipërinë, Gerwin Bell. Por fatkeqësisht, borxhi publik është gati 60 për qind dhe në këtë mjedis edhe ai buxhet shumë i vogël ka rreziqe të mëdha”, - shtoi ai. Zyrtari i FMN-së tha se qeveria shqiptare ka dy përqasje ndaj borxhit. “Një është mbajtja nën kontroll e rritjes së shpenzimeve dhe këtë e kanë bërë. Tjetra është shpresa për një rritje më të mirë ekonomike. Por parashikimet tona kanë qenë të sakta gjatë tre viteve të fundit”, - shtoi ai. Sipas tij, nëse parashikimet e tyre realizohen, do të bëjnë përparim për pakësimin e borxhit. “Por pikëpamja jonë është se kjo është shumë e rrezikshme. Ne kemi rekomanduar shqyrtimin e të dy elementeve – për uljen e borxhit duhet të përmirësohen të ardhurat dhe të ulen shpenzimet. Mbajtja e shpenzimeve tek 2 përqindëshi është një objektiv ambicioz, nëse nuk parashikon ndryshime strukturore, si pakësimi i shërbimeve sociale apo i shërbimeve publike. Nëse nuk i bën këto, është pothuajse e pamundur të mbash shpenzimet tek 2 përqindëshi. Nga ana tjetër, është e vërtetë se, nëse rritja ekonomike do të jetë më e lartë, edhe të ardhurat do të ishin më të larta. Në këtë buxhet, sipas mendimit tonë, është llogaritur një rritje prej 8 për qind të të ardhurave, që është sigurisht shumë optimiste”.