E Diel, 1 Nëntor 2026

New York Times: Euros po i ikën koha

Dritarja e mundësive për shpëtimin e euros po mbyllet shpejt, derisa kriza e borxheve e shteteve po shkatërron aftësinë e pagesës së bankave europiane dhe po rrit normat e huamarrjes, madje edhe për shtetet e fuqishme si Franca. Të shtunën, kriza rrëzoi liderin e dytë, kur kryeministri Silvio Berluskoni dha dorëheqjen pas 17 viteve të dominimit në politikat italiane, duke u hapur rrugën talljeve dhe gëzimit të turmave në Romë.

Sikurse në Itali, ashtu dhe në Greqi parlamentet e çrregulluara u mblodhën urgjentisht për të instaluar qeveritë më teknokratike-të përkushtuara në zbatimin e reformave dhe masave të komplikuara financiare të kërkuara nga Bashkimi Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Pavarësisht këtyre hapave drastikë dhe të qartë, ekziston një bartës i problemeve që mund të trondiste shpejt përparimin e Europës.

Mbi diskutimet për reforma dhe mekanizmat financiarë po rritet ngadalësimi i përmirësimit të “anemisë” së kontinentit në normën e rritjes drejt 0.5 për qindëshit për vitin 2012 e madje edhe kërcënimi për një recesion të dytë, vlerësoi Komisioni Europian në parashikimin e fundit për gjendjen e Eurozonës. Kjo vë në pikëpyetje mjaftueshmërinë e përpjekjeve të fundit të Eurozonës për qetësimin e tregjeve, përpjekjen për të rritur fondin e institucionit europian për stabilitet financiar nga 605 milionë euro në 1.4 trilionë euro ose për të gjetur fonde të reja. Në qendër të krejt kësaj qëndron Gjermania si udhëheqëse e bllokut verior të shteteve europiane, i cili përfshin Holandën dhe Finlandën, që vazhdojnë të insistojnë se vazhdimi i masave të shtrënguara financiare dhe korrektësia fiskale e borxhlinjve është e vetmja zgjidhje. Çfarëdo propozimi për të ndarë barrën me shtetet e zhytura në borxhe, duke mbledhur borxhin europian-edhe pse përmes konsumit të eksportit u është ndihmuar shteteve veriore në Europë, janë hedhur poshtë kryesisht për shkak të frikës së madhe për një lëkundje politike. Kur këshilli i pavarur i ekspertëve ekonomikë të Gjermanisë i propozoi kancelares Angela Merkel një mundësi për ndarjen e borxhit europian në mënyrë që të mbrohen Italia dhe Spanja, ajo hodhi poshtë këtë ide duke e cilësuar të pamundshme për shkak të traktateve europiane. Ajo gjithashtu kundërshtoi çfarëdo zgjerimi të rolit të Bankës Qendrore Europiane në blerjen e obligacioneve të shteteve në borxh, që do të mund të mbanin në nivel të ulët normat e interesit për borxhet e tyre, duke ia mundësuar kësaj banke të japë garanci për borxhin italian. Por kritikët thonë se nuk ka kohë për ndryshimin e traktateve për të cilët flet Merkel, meqë ndryshime të tilla do të merrnin vite për t’u zbatuar. “Kriza duhet të zgjidhet tani dhe ajo nuk do të presë që këto instrumente ta rregullojnë atë”, tha Bernhard Rrapkaj, kreu i socialdemokratëve gjermanë në Parlamentin Europian. Dobësia e Italisë-ekonomisë së tretë në Eurozonë, solli krizën në qendër të Eurozonës. Pavarësisht spekulimeve për braktisjen e Euros nga shtetet më të dobëta, kjo valutë e përbashkët nuk do të mund të mbijetonte pa Italinë. Nëse huamarrja bëhet aq e shtrenjtë sa që shkakton largimin e saj nga tregjet, nuk ekziston asnjë i ashtuquajtur mur i parave që do të ishte në gjendje ta ndihmojë ose të garantojë pagimin e borxhit të saj 2.6 trilionë eurosh. “Kemi hyrë në një skenar të llojit ‘ose bëje-ose dëmtoje”, tha Tomas Klau, kreu i zyrës së Këshillit Europian për Marrëdhënie Ndërkombëtare, në Paris. Diskutimet po shkaktojnë një ankth brenda Bashkimit Europian, veçanërisht në mesin e 10 shteteve anëtare që nuk e përdorin Euron e që i frikësohen një Europe në “dy linja”- të ndarë në dy blloqe të ndryshme, me rregulla të ndryshme që janë kundër interesave të tyre. Disa shtete brenda Eurozonës u frikësohen gjithashtu ndryshimeve të tilla, sepse ato do të kërkonin me shumë rigorozitet dhe disiplinë. Opsionet janë politikisht të vështira, tha zoti Klau nga Këshilli Europian për Marrëdhënie Ndërkombëtare. “Por alternativa është potencialisht aq shkatërruese saqë kostoja e veprimit-sado e madhe që të jetë, është shumë më e vogël sesa kostoja e mosveprimit, meqë mosveprimi mund të shkaktojë një varg ngjarjesh të cilat liderët europianë nuk do të jenë në gjendje t’i kontrollojë”, theksoi ai. (e.p.)

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›