Zhvlerësimi i lekut rrit borxhin me 300 mln euro
Sipas Ministrisë së Financave, zëri i rivlerësimit të valutave ka qenë një element i rëndësishëm i stokut të borxhit në vitet 2006-2009, duke arritur në nivelet 1,60% dhe 2,16% ndaj PBB-së. Ja arsyet:
Borxhet e shtetit shqiptar janë rritur me 300 milionë euro në tre vitet e fundit, vetëm si rezultat i kursit të këmbimit, ku leku është nënçmuar ndaj valutave sidomos ndaj euros. Sipas Ministrisë së Financave, zëri i rivlerësimit të valutave ka qenë një element i rëndësishëm i stokut të borxhit në vitet 2006-2009, duke arritur në nivelet 1,60% dhe 2,16% ndaj PBB-së. Qysh në momentin që qeveria mori një kredi sidikale rreth 250 milionë euro për ndërtimin rrugës Durrës-Kukës dhe më pas emetoi Eurobondin për shlyerjen e saj, borxhi i jashtëm i vendit u rrit dhe ndër të tjera edhe risku nga kursi i këmbimit u shtua. Sipas Ministrisë së Financave, ndikimi i kursit të këmbimit në stokun e borxhit të jashtëm ka qenë një zë pak i vlerësueshëm deri në vitet 2008. Por në vitin 2009 është vlerësuar që ndikimi i kursit të këmbimit arriti në 27,4 miliardë lekë, ose 2,3% ndaj PBB. Me një shumë absolute konsiderueshëm më të vogël është vlerësuar ky tregues në vitin 2010 rreth 1,5 miliardë lekë, por në vitin 2011 parashikohet qe ndikimet e tij të jenë deri në 7,5 miliardë lekë ose 0,6% ndaj PBB. “Këto risqe zvogëlojnë mundësinë e huamarrjes dhe detyrojnë parashikimin e kontigjencave të mundshëm në këtë drejtim. Por nga ana tjetër borxhi i jashtëm i vendit është rritur ndjeshëm kohët e fundit edhe për shkak të strukturimit të borxhit të vjetër që Shqipëria kishte para viteve 1990 me disa vende, kryesisht vende të Lindjes. Zëri i riskedulimeve të borxhit të jashtem ka ndikuar në shtesën e stokut të borxhit si rezultat i përfshirjes së tyre në momentin e riskedulimit dhe më pas edhe në shlyerjen e këtij borxhi. Thuajse i gjithë borxhi i vjetër është riskeduluar në vitet gjatë pesë viteve të fundit, duke ndikuar në një rritje prej mbi 200 milionë USD në stokun total të borxhit publik. Në vitin 2008 shtesa bruto e borxheve të vjetra ishte 4,6 milionë euro dhe e gjitha është shlyer brenda vitit. Me pas në vitin 2009 ka qenë 33,5 milionë euro dhe 5,8 milionë euro pagesa, duke shtuar neto me 28,7 milionë euro borxhin. Ndërsa në vitin 2011 është vlerësuar shtesa me 10,1 milionë euro dhe ripagesa 1,3 milionë euro, duke dhënë ndikim neto me 8,8 milionë euro ose rreth 1,2 miliardë lekë. Ndërsa në vitin 2010 nuk ka pasur përfshirje të riskedulimeve të vjetra në stokun e borxhit. Nga ana tjetër borxhi i jashtëm i kontraktuar me terma jokoncesionale vazhdon të rritet në raport me borxhin me interesa koncesionale. Me kategorizimin e Shqipërisë, jo më si një vend me të ardhura të ulëta, shpjegohet dhe kontraktimi me financim te huaj gjithmonë e me tepër me interesa tregtare. Për nëntëmujorin e vitit 2011 borxhi koncensional është vetëm 1.20% më i lartë se borxhi tregtar, duke sinjalizuar per trendin e financimit te huaj me terma tregtare gjithmone e me tepër. Në fund të 9-mujorit 2011stoku i borxhit të jashtëm arriti në nivelin 2,3 miliardë euro. Ndërsa totali i borxhit, duke përfshirë edhe borxhin e brendshëm, arriti në rreth 7 miliardë euro.
Sipas Ministrisë së Financave, ndikimi i kursit të këmbimit në stokun e borxhit të jashtëm ka qenë një zë pak i vlerësueshëm deri në vitet 2008. Por në vitin 2009 është vlerësuar që ndikimi i kursit të këmbimit arriti në 27,4 miliardë lekë, ose 2,3% ndaj PBB.