Investimet publike më 2012, shterojnë fondet e brendshme
Raporti përmbyset për herë të parë më 2012, pasi historikisht fondet e huaja në zërin e investimeve kanë qenë në minorancë në krahasim me ato që ka akorduar buxheti gjatë viteve të shkuara.
Burimet e brendshme për financimin e investimeve publike po shkojnë drejt shterimit. Për herë të parë në buxhetin e vitit që vjen, nga shuma totale 69.7 miliardë lekë që i dedikohet investimeve, 27 miliardë lekë janë parashikuar të jenë financime të brendshme dhe 43 miliardë lekë financime të jashtme. Raporti përmbyset për herë të parë më 2012, pasi historikisht fondet e huaja kanë qenë në minorancë në krahasim me ato që ka akorduar buxheti gjatë viteve të shkuara. Në buxhetin e këtij viti investimet u financuan 41 miliardë lekë nga burimet e brendshme dhe 32 miliardë lekë nga burimet e jashtme. Ndërsa në vitet e mëparshme ky raport ka qenë edhe më i thellë. Sipas projektbuxhetit që po diskutohet në Kuvend, shpenzimet kapitale për vitin 2012 parashikohen në masën 69.7 miliardë lekë, pra rrjedhimisht ato parashikohen të arrijnë nivelin 5% të PBB. Ministria e Financave në relacionin që e shoqëron projektbuxhetin sqaron se në prioritizimin e listës së investimeve do të vazhdojnë të përzgjidhen ato të cilat janë vazhdim i projekteve të mëparshme, si edhe investimet që cilësohen strategjike për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, në përputhje edhe me programin e qeverisë. Njëkohësisht, shpenzimet kapitale si me financim të brendshëm ashtu edhe të huaj do të vazhdojnë të përqendrohen në sektorët prioritarë të qeverisë si: infrastruktura, arsimi, shëndetësia, mbrojtja, bujqësia e zhvillimi rural. Me konkretisht, investimet me burime të brendshme parashikohet të jenë 1.97% të PBB. Ndërsa investimet me burime të huaja parashikohen në nivelin e 3% të PBB, nga 2.5% e PBB që kanë qenë në buxhetin e rishikuar 2011. Bazuar në shpërndarjen e shpenzimeve publike midis ministrive, vlerësohet se në vitin 2012 niveli i shpenzimeve publike do të shënojë rritje për të gjithë sektorët prioritarë. Kështu, sektori i arsimit do të arrijë nivelin 3.2% të PBB, ndërkohë që shpenzimet në sektorin e shëndetësisë parashikohen të arrijnë në 2.6% të PBB. Gjithashtu, shpenzimet për sektorin e bujqësisë parashikohen të rriten në nivelin 0.5% te PBB, ndërkohë që 3.05 % e PBB parashikohet niveli i sektorit të infrastrukturës. Buxheti në favor të infrastrukturës rrugore për vitin që vjen është parashikuar të jetë vetëm 12 miliardë lekë ose rreth 55.2% të totalit të investimeve publike. Në projektbuxhetin 2012 parashikohet që 32.7% e investimeve publike për këtë ministri të jenë investime me financim të brendshëm. Kështu me këto fonde parashikohet ndërtimi dhe rehabilitimi i 80 km rrugë të rrjetit kombëtar, e vlefshme me 2.2% të rrjetit total, sipas standardeve të projektimit. Sistemim asfaltim dhe riveshje e 27 kilometrave rrugë të rrjetit kombëtar, e vlefshme me 0.7% te rrjetit total. Gjithashtu, parashikohet përmirësimi i gjendjes së infrastrukturës hekurudhore nëpërmjet zëvendësimit të traversave në 0.3 km linjë, ndërrimit të çakllit në 1.5 km linjë, ndërrimit të traversave në 78 copë ndërruese dhe realizimit të punimeve mbrojtëse të linjës hekurudhore nga rrëshqitjet në katër zona problematike. Pjesën më të madhe të financimeve do t’i marrin segmentet që janë në proces ndërtimi, të tilla si Unaza veriore Korçë, me 25 833 milionë lekë financim për 2012-ën, disa vepra në autostradën e re Kukës-Morinë me 147 527, Rruga e Arbrit me 272 000 milionë lekë, rruga Milot - F. Krujë 654 000 milionë lekë, Lushnjë-Berat me 40 146 milionë lekë, By Pass Plepa-Kavajë-Rrogozhinë do të financohet me 350 110 dhe rruga e Valbonës me më shumë se 135 milionë lekë.
Shpenzimet Kapitale
Shpenzimet kapitale deri në fund të muajit shtator 2011 janë realizuar në nivelin e 91.4 për qind të parashikimit të periudhës ose në rreth 62.5 për qind të planit vjetor. Sipas Ministrisë së Financave, rreth 692.8 milionë lekë janë dhënë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për investime. Brenda këtyre shpenzimeve, investimet me financim të brendshëm janë realizuar në masën 77.9 për qind, ndërkohe që investimet me financim të huaj janë realizuar në masën 42.9 për qind të parashikimit vjetor.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, investimet e brendshme rezultojnë rreth 3.2 miliardë lekë më të ulëta ose rreth 9.2 për qind më pak, ndërkohë që investimet me financim të huaj rezultojnë rreth 2.4 miliardë lekë më të larta ose rreth 20.5 për qind më shumë. Për rrjedhojë, investimet në total në fund të muajit shtator 2011 janë rreth 1.4 për qind më të ulëta ose rreth 0.7 miliardë lekë më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.