FMN: “Ekonomia botërore në recesionin e madh”
“Ekonomia botërore po hyn në atë që quhet recesioni i madh”, - paralajmëron FMN-ja. “Për herë të parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore do të shënohet rënie e Prodhimit të Brendshëm Bruto në nivel global”. Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Përgjithshëm i FMN-së, Dominique Strauss-Kahn, gjatë një fjalimi në Dar es Salam të Tanzanisë. Aty janë mbledhur ministrat e Financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të 53 vendeve afrikane për gjetjen e strategjisë antikrizë për kontinentin. “Bota ka hyrë në recesion”, - ka thënë Strauss-Kahn. Sipas tij, FMN-ja pret që rritja ekonomike të zvogëlohet nën zero këtë vit, gjë që përbën edhe situatën më të vështirë. “Përkeqësimi i situatës financiare globale, e kombinuar me rënien e konsumeve dhe të besimit te ndërmarrjet, ka ulur kërkesën globale”. FMN-ja paralajmëron edhe se bankat rrezikojnë të përballen me humbje të tjera, pasi nuk janë zbuluar ende të gjitha aktivitetet që ndodhen në rrezik. Shumë vende, mes të cilave ato anëtare të BE-së, kanë kërkuar dyfishimin e fondit të FMN-së për krizën, duke e rritur nga 250 në 500 miliardë dollarë.
Elbasan, tatimet falin gjobat për 2800 subjekte biznesi
Rreth 2800 subjekteve të biznesit të madh dhe të vogël në Qarkun e Elbasanit u janë falur gjobat e prapambetura për shkak të hyrjes në fuqi të Ligjit Nr.9986 “Për faljen e detyrimeve doganore dhe tatimore”. Drejtori i Tatim-Taksave në Elbasan, Daja, tha se, “rreth 208 milionë lekë gjoba të prapambetura dhe kamatëvonesa janë falur nga qeveria shqiptare për 2800 subjekte të biznesit të madh dhe të vogël”. Kjo falje, sipas tij, cilësohet si amnistia më e madhe fiskale e bërë që prej 18 vitesh nga qeveria shqiptare si ndihmë ndaj biznesit. Grupit të biznesit të vogël iu është falur gjoba e kamatëvonesës me një vlerë prej 82 milionë lekë, biznesit të madh me vlerën 34 milionë lekë deri tani, pasi për këtë grup vijon puna edhe për faljen e një shume prej 92 milionë lekë. Bizneseve të sipërpërmendura iu është falur taksa e tatimit të vlerës së shtuar (TVSH), e tatim-fitimit, e të ardhurave personale, si edhe taksa të tjera.
11 Mars 2009