E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Kërcënoheni nga kriza e kredive

Ndërsa i gjithë debati ekonomik në vend është përqendruar në krizën e ushqimeve, Fondi Monetar Ndërkombëtar, ka lëshuar dje një alarm mjaft të fortë, kur paralajmëroi se vendet në zhvillim rrezikohen nga kriza botërore e kredive. FMN deklaroi se Shqipëria ashtu si të gjitha vendet e tjera në zhvillim rrezikohet tashmë edhe nga kriza financiare që gjeneruan Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por që po përhapet me një shpejtësi të madhe, duke prekur një numër më të madh vendesh, dhe shumë më fort nga sa mendohej. FMN thotë se sistemi bankar në vendet në zhvillim të Evropës mund të përballet me vështirësi, çka do të ngrinte shumë pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë financiare. Në Shqipëri, situata bëhet më e vështirë, pasi kjo krizë potenciale ndërthuret dhe me rritjen e fortë të deficitit buxhetor gjatë këtij viti. Të dy këto kërcënime kanë alarmuar tashmë ekspertët, por edhe institucionet që monitorojnë ekonominë shqiptare.

Pse rrezikohemi?

Deri tani Shqipëria ishte lënë nga ekspertët, por edhe vetë Banka e Shqipërisë jashtë rrezes së ndikimit të krizës financiare. Disa herë Banka Qendrore ka deklaruar zyrtarisht se pasojat e krizës financiare në vend do të jenë të papërfillshme, për shkak të integrimit të pakët financiar të vendit tonë. Por FMN e fut Shqipërinë së bashku me vendet e tjera të rajonit, për herë të parë në listën e ekonomive që mund të goditen nga kriza e kredive, duke e argumentuar këtë me vetë situatën e sistemit bankar. "Varësia financiare nga vendet e Evropës Perëndimore i lë vendet në zhvillim të pambrojtur nga një krizë e kredive e origjinuar nga ekonomitë e avancuara", thuhet në parashikimin për ecurinë e ekonomisë së vendeve në zhvillim. Sistemi bankar shqiptar është i varur në pjesën dërrmuese nga vendet e zhvilluara, pasi shumica absolute e bankave që operojnë në Shqipëri janë degë të bankave, greke, austriake, italiane, vende këto që po shfaqin tashmë sinjalet e para të krizës amerikane të kredive.

Kredia

Gjatë tri viteve të fundit, norma e rritjes së kredisë në Shqipëri ka qenë mjaft e lartë, ndër më të lartat në rajon. Por ndryshe nga sa ka ndodhur në disa vende të tjera të rajonit, kjo rritje e fortë e kredisë për ekonominë nuk është shoqëruar me rritjen e depozitave. Kjo do të thotë se të gjitha paratë për të mbështetur rritjen e kreditimit kanë ardhur kryesisht nga jashtë, përmes grupeve bankare që zotërojnë bankat private në Shqipëri. "Vendet, ku sistemet bankare, janë fortësisht të varura nga huaja e jashtme mund të përballen me një rënie të papritur të kredisë, ose në një rritje të fortë të kostos së saj. "Ndonëse këto zhvillime nuk rrezikojnë që bankat mëma në vendet e avancuara të braktisin degët e tyre në vendet në zhvillim, ato mund të prekin mbështetjen financiare", thotë FMN. Kjo do të thotë se nëse bankat mëma do të preken nga kriza ato do të kufizojnë mbështetjen për degët e tyre në vendet në zhvillim. "Mungesa e likuditetit dhe rënia e aftësisë paguese mund të transmetohet shumë lehtë nga banka mëmë të dega e saj", vijon më tej raporti.

Efektet

Kriza financiare, tashmë botërore, do të ketë pasoja të rënda. Rënia e kredisë dhe rritja e kostos së saj do të sjellë, sipas FMN, uljen e prodhimit. Në vendet evropiane në zhvillim, ku bën pjesë edhe Shqipëria, ngadalësimi i prodhimit, si pasojë direkte e goditjeve financiare, ndërthurur kjo dhe me efektet zinxhir të rënies së kërkesës në ekonomitë e avancuara, pritet që të frenojnë rritjen e fortë ekonomike që është vënë re këto vitet e fundit në këto vende. "Humbjet e prodhimit do të jenë më të mëdha, në rast të një rënie të fortë të kredisë, sidomos në ato vende ku, ekspansioni i fundit është mbështetur në rritjen e shpejtë të kreditimit", paralajmëron FMN.

Grafiku

Ecuria e kreditimit 2003-2007

(%/GDP)

Rritja e kredisë 22

Rritja e depozitave 10

Rritja ekonomike e parashikuar

2007 6.0

2008 6.0

2009 6.1


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›