E Hënë, 2 Nëntor 2026

Meta me tregtarët: Qeveria dhe bashkia klimë të re për biznesin

Autori i Lajmit: red.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, kërkoi dje nga qeveria dhe pushteti vendor që të krijojnë një klimë të re për biznesin e vogël. Komentet e tij Meta i bëri pas takimit me tregtarë në tregun Çam në Tiranë, një ndër të cilët dhe invalide. “Sikurse e shikoni kjo vizitë këtu nuk është thjesht një rast i veçantë, mendoj se kemi shumë raste të tjera sikurse dhe rasti i kësaj zonje të nderuar e cila edhe pse është invalide merret me një aktivitet për të përballuar jetën. Pavarësisht se edhe kjo zonjë e nderuar e konfirmoi se edhe këto artikujt këtu i ka marrë me fatura borxh dhe nuk është dot në gjendje të përballojë as taksat e qeverisë apo të bashkisë dhe jo më për të arritur të përballojë jetën”, - tha ai. Sipas kreut të LSI-së është shumë e rëndësishme për qeverinë dhe për pushtetin vendor për të krijuar një klimë krejt tjetër për biznesin e vogël sidomos për këtë lloj aktiviteti me të cilin merren shumë njerëz. “Në mënyrë të veçantë kjo është e rëndësishme pë r invalidët të cilët për të jetuar detyrohen të merrem me këtë aktivitet dhe nuk përballojnë dot a ilaçet e tyre”, -tha ai. Gjatë takimeve të zhvilluara me tregtarët, Meta u informua që shumë biznese të tilla të detyruar nga kushtet ekonomike dhe nga xhiroja e pakët që bëhet janë detyruar të falimentojnë dhe të mbyllin dyqanet. “Ju e shikoni se këtu kemi dhe qepena të mbyllur që janë biznese që kanë falimentuar, kanë dështuar, dhe kjo tregon që Shqipëria është në krizë”, -tha ai. Ndaj theksoi Meta, jo vetëm duhet ta njohim krizën nga afër, gjë sikurse për fat të keq nuk e bën Kryeministri aktual, por duhet ta nxjerrim vendin nga kriza dhe të krijojmë një klimë të re për biznesin, të krijojmë një optimizëm dhe një besim edhe tek konsumatori në mënyrë që ekonomia të dalë nga ky ngërç dhe të fillojë të lëvizë.

Ky lajm është publikuar: 23/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›