FMN: Kritika qeverisë kosovare për menaxhimin e parave
Pak ditë para pranimit zyrtar, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përpiluar një dokument për Kosovën, në të cilën drejton kritika të shumta për mënyrën e menaxhimit të parave nga ana e qeverisë kosovare. FMN thotë se buxheti i këtij viti është parashikuar në pritje jorealiste të qeverisë që do të kthehet huaja që i është dhënë KEK-ut nga buxheti i Kosovës. Por, nisja e privatizimit të kësaj kompanie publike dhe vonesat në këtë proces mund të bëjnë që edhe kthimi i kredisë të vonohet. Në përgjithësi, FMN ka paraparë rreziqe fiskale si pasojë e rritjes së shpenzimeve nga ana e qeverisë së Kosovës në masën 39 %. FMN thotë se asnjë rritje nuk bën të ndodhë, sepse do t'i vinte në pikëpyetje politikat e përgjithshme të shpenzimeve të qeverisë dhe do të përbënte një precedent të rrezikshëm për përgatitjet e buxhetit për vitin 2010. Në kuadër të rreziqeve fiskale, FMN thotë se gjendja e mjerueshme e KEK-ut ose kompanisë elektroenergjitike të Kosovës, mund të rezultojë e kushtueshme, pasi mund të ketë nevojë për më shumë import të energjisë elektrike. "Gjithashtu shpenzimet dhe financimi i autostardës që do të lidhë Kosovën me Shqipërinë, nuk janë vlerësuar sa duhet, sikurse edhe rreziqet për përkushtimet e qeverisë në projekte të ardhshme", saktëson raporti i FMN-së. Një tjetër pikë e rëndësishme e raportit, i bën thirrje qeverisë Thaçi që të mos bëjë thirrje për rritjen e pagave para zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit. Një tjetër kritike e organizatës ndërkombëtare financiare ka të bëjë me miratimin e ligjeve dhe dokumenteve të politikave pa i marrë parasysh shpenzimet dhe konsistencën e prioriteteve të qeverisë për planin afatmesëm të shpenzimeve. Këtu përfshihen Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetëve, Ligji për Shërbimin Civil, Ligji për Pagat e Shërbyesve Civilë, si dhe Letra e Bardhë e Politikave Sociale. Përfundimisht, FMN ka paraparë uljen e rritjes ekonomike në Kosovë nga 5.4 % sa ishte në vitin 2008, në 3.4 % për vitin 2009.