E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti Europian kunder Traktatit per masat fiskale

Traktati ndërqeveritar i cili pritet të reformojë disiplinën fiskale është kthyer së fundmi në një përballje mes forcave politike dhe vendeve europiane. Një javë nga takimi i ministrave të financave të Europës, Parlamenti Europian, në sesionin e Strasburgut, ka votuar një rezolutë në të cilën kanë kritikuar, mes të tjerash, marrëveshjen pasi sipas europarlamentarëve është e përqëndruar më tepër mbi rigorozitetin sesa mbi nxitjen e ekonomisë. Rezoluta e promovuar nga katër eurodeputetë të cilët janë pjesëmarrës në negociatat për traktatin, është aprovuar me një mazhorancë prej 521 votash në favor. Në këtë dokument, Parlamenti mendon se disiplina fiskale, pavarësisht se është baza e rritjes së qëndrueshme, nuk mund të provokojë e vetme rimëkëmbjen ekonomike. Eurodeputetët përmes kësaj rezolute kërkojnë që në Traktatin e ri të ketë sinjale që përcaktojnë miratimin e menjëhershëm të detyrimeve europiane. Ndërkohë që nga shumë vende mes të cilëve Roma dhe Parisi, rriten presionet që Berlini të zbusë qëndrimet e veta, duke pranuar një rol më të madh të BQE-së, apo të fuqizojë mbrojtjen financiare të Fondit të Shpëtimit. Mbi këtë çështje ka ndërhyrë edhe presidenti i ri i PE-së, Martin Schulz, në Asamblenë Parlamentare. Masat shtrënguese nuk mund të kenë efekte të mëtejshme pa një rritje ekonomike, ka deklaruar Schulz. Të synosh vetëm në rregulla rigoroze është e gabuar, ka thënë ai. Po ashtu edhe presidenti i KE, Barroso, ka ritheksuar se Europa nuk është e dënuar të shkojë në recesion. Objektivi kryesor i shumicës nuk është vetëm ndihma në rritjen ekonomike përmes masave shtrënguese, por mbi të gjitha një përgjigje kolektive ndaj krizës së borxheve, me qëllim bindjen e tregjeve. Por pavarësisht kundërshtimeve dhe replikave nga shumë vende ndaj Traktatit të propozuar nga Gjermania, kancelarja Angela Merkel mbetet e palëkundur në qëndrimet e saj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›