Iran: Të dhënat e OKB-së ndihmuan në vrasjen e shkencëtarit

Irani pretendon se informacionet, që dyshohet se kanë rrjedhur nga Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore e OKB-së, ishin shfrytëzuar në vrasjen e njërit prej shkencëtarëve iranianë gjatë javës së kaluar.
Shkencëtari Mostafa Ahmadi Roshan, ishte vrarë në Teheran më 11 janar, pasi në derën e makinës së tij ishte vendosur një bombë magnetike.
Zëvendës ambasadori iranian në OKB, Eshagh Al Habib, tha se ekziston “dyshim i lartë” se informacionet e “siguruara nga trupat e Kombeve të Bashkuara” ishin përdorur për planifikim të vrasjes.
Zëdhënësi i OKB-së, Martin Nesirki, tha se këto akuza po shqyrtoheshin.
Irani ka fajësuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për këtë vrasje por të dy këto vende e kanë hedhur poshtë çfarëdo roli në këtë sulm.