Fullani: Kriza ka prekur ekonominë shqiptare
Guvernatori, thirrje bankave: Rrisni kreditimin ndaj biznesit
Eksportuesit dhe Shoqata e Bankave, takim me kreun e BSH-së
Kriza po prek ekonominë shqiptare. Kjo është pranuar nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në një takim që ai zhvilloi dje me biznesin eksportues dhe Shoqatën e Bankave. Guvernatori pranoi se ekonomia shqiptare ka nisur të vuajë pasojat e krizës globale. Sipas tij, edhe pse ende sistemi bankar është i sigurt, ai pranoi se ekonomia shqiptare po vuan pasojat e krizës. Guvernatori tha dje se Shqipëria ka kaluar pasojat e fazës e parë të krizës dhe tani po vuan presion e fazës së dytë të kësaj krize. Fullani i deklaroi këto fakte në takim e zhvilluar me përfaqësues të kompanive eksportuese dhe të Shoqatës Shqiptare të Bankave, në ambientet e Bankës së Shqipërisë.
Ai pranoi se leku po zhvlerësohet dhe kjo po jep efektet në ekonomi. Guvernatori Fullani fillimisht ka diskutuar me të pranishmit rreth zhvillimeve më të fundit në ekonominë botërore dhe atë shqiptare. Zhvillimet makroekonomike të viteve të fundit dhe tendencat e përgjithshme të shfaqura në tregues të nivelit të jetesës tregojnë se ekonomia shqiptare arriti të dilte nga faza e tranzicionit, për të hyrë në grupin e vendeve në zhvillim. Megjithatë, aktualisht ekonomia shqiptare po ndikohet nga zhvillimet e raundit të dytë, që kanë prekur ekonomitë të zhvilluara të botës. “Gjatë dy muajve të fundit është evidentuar një zhvlerësim i moderuar i kursit të këmbimit. Megjithatë, duhet të kemi parasysh se Shqipëria gjendet në një pozicion më të favorshëm se ekonomitë e tjera të Evropës Lindore e Qendrore”, - tha Fullani. Në praninë e përfaqësuesve të Shoqatës Shqiptare të Bankave, Guvernatori Fullani ka kërkuar më shumë mbështetje për industrinë eksportuese, e cila ka dhënë një kontribut konkret në rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit. “Vlerësojeni më me kujdes rolin dhe potencialet e këtij biznesi, qëndrojini afër me këshilla dhe konsulencë financiare, rishikoni politikat tuaja të vendosjes së komisioneve për këtë biznes dhe jepini përparësi financimit më të madh të tij”, - ka apeluar Guvernatori. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë gjithashtu evidentoi domosdoshmërinë e shkëmbimit të informacionit midis Bankës së Shqipërisë dhe vetë bizneseve. Për këtë qëllim, ai i bën apel komunitetit të biznesit që të bashkëpunojë me Bankën e Shqipërisë, për të ofruar informacion të vlefshëm në lidhje me aktivitetin e tyre ekonomik dhe pritshmërinë e tyre në të ardhmen. Analizat dhe studimet që përpilohen mbi bazën e këtij informacioni, siç janë vrojtimet e biznesit, janë të vlefshme jo vetëm për Bankën e Shqipërisë në procesin e saj të vendimmarrjes së politikës monetare, por njëkohësisht ndihmojnë edhe vetë biznesin për hartimin e planit të tyre të zhvillimit në biznes. Duke pasur parasysh rëndësinë qe përfaqëson ky sektor për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, Shoqata Shqiptare e Bankave, në emër të sistemit bankar shprehu predispozitën e këtij të fundit, për të krijuar mundësitë e nevojshme për një mbështetje më të madhe për këtë sektor strategjik. Fullani tha se zhvillimet aktuale në ekonominë botërore e bëjnë të nevojshëm kujdesin në rritje për administrimin e portofoleve të mjeteve financiare, për menaxhimin e rrezikut në përgjithësi dhe atë të kursit të këmbimit më në veçanti, si dhe për identifikimin e mënyrave dhe instrumenteve alternative të financimit. Ai apeloi se bizneset duhet të investojnë në rritjen e kapaciteteve analizuese dhe parashikuese. Ato duhet të ndërtojnë skenarët e tyre të zhvillimit, përfshirë dhe parashikimin e humbjeve të mundshme financiare që shkaktohen nga mosveprimi.