E Shtunë, 31 Tetor 2026

rethet shkurtR

FIER
Zjarr në shkollën 9-vjeçare

FIER - Panik dhe frikë në shkollën 9-vjeçare "Naim Frashëri" në qytetin e Fierit. Një shpërthim i fuqishëm e më pas një zjarr në ambientet e brendshme të kësaj shkolle ka bërë që të jepet alarmi dhe të gjithë nxënësit të dalin në oborrin e shkollës. Pas pak minutash klasat kanë qenë të boshatisura, ndërsa policia e zjarrfikësit kanë mbërritur në vendngjarje. Vijimi normal i mësimit ka rifilluar rreth një orë e gjysmë më vonë. Drejtori i Arsimit Rajonal, Tahir Kastrati, lidhur me zjarrin e rënë u shpreh se shkak kishte qenë mbingarkesa në rrjetin elektrik. Ai tha se rrjeti elektrik është stakuar pasi paneli elektrik u përfshi nga flakët. Duhet theksuar se në të gjitha shkollat e qytetit të Fierit të ftohtët e këtyre ditëve, për të ngrohur ambientin e klasës përdoren rezistenca, ç'ka çon edhe në mbingarkesën e rrjeteve elektrike.

------------------------------------------------------------

Librazhd


Vidhet farmacia në Qukës


LIBRAZHD - Hajdutët kanë filluar serialin e vjedhjeve edhe në zonat e thella. Mbrëmjen e së martës, një grup hajdutësh kanë vjedhur një farmaci në fshatin Qukës-Shkumbin. Farmacisti Ruzhdi Kuriqi e ka zbuluar vjedhjen e farmacisë së tij kur ka vajtur në punë në mëngjes. Forcat e policisë kanë shoqëruar disa persona për hetime të mëtejshme. Po dy netë më parë, në qendër të qytetit të Librazhdit, në pallatin mbi librarinë hajdutët kishin vjedhur të gjitha këpucët e një apartamenti të këtij pallati trekatësh.

----------------------------------------------------------------------------


DURRËS/ Teksa përpiqeshin të mbanin flakët nën kontroll, një tjetër bombolë gazi ka shpërthyer në banesë


-------------------------------------------------------------------------

Shkojnë për të shuar zjarrin,
katër zjarrfikës në spital


DURRËS - Shkojnë për të shuar zjarrin, por katër prej zjarrfikësve përfundojnë në spital. Ngjarja ndodhi dje në mesditë në qytetin e Durrësit, ndërsa punonjësit e shërbimit zjarrfikës M.Çoba, T.Ndoj, Z.Dervishi dhe A.Kërtusha janë dërguar me urgjencë për trajtim mjekësor në spital. Së bashku me ta, në spital ka përfunduar edhe një nga fëmijët e ArtanTonuzit, banesa e të cilit është djegur. Banesa e tij u përfshi nga flakët mesditën e së mërkurës. Vetë kryefamiljari ka deklaruar se fillimisht shkak për ngjarjen është bërë shpërthimi i një bombole gazi me të cilën e shoqja po gatuante drekën. Është njoftuar zjarrfikësja dhe në kohën kur punonjësit po tentonin të shuanin flakët, ka plasur edhe bombola e dytë, që përdorej për ngrohje. Si rrjedhojë, katër punonjësit zjarrfikës: Dervishi, Çoba, Kërtusha dhe Ndoji janë dërguar në spital. Në shtëpi bashkë me çiftin ishin edhe dy fëmijët, si dhe gjyshi. Apartamenti gjendet në katin e shtatë të një pallati 8-katësh, i ndërtuar rreth pesë muaj më parë. Shtetasi Tonuzi ka hyrë në këtë apartament me rastin e Vitit të Ri, ndërsa dje thuajse të gjitha orenditë i janë dëmtuar. Punonjësve të shërbimit zjarrfikës u është ofruar ndihma mjekësore e cila ka mbërritur me shumë vonesë, edhe pse të vënë në dijeni si nga reparti zjarrfikës edhe nga grupi hetimor i policisë.

-----------------------------------------------------------------------


Pinte me shokët, vdes mësuesi

LIBRAZHD - Një mësues ka humbur jetën mbrëmjen e kaluar teksa ishte në një festë me shokët e tij dhe po konsumonin alkool. Xhevdet Toromani nga Përrenjasi, 54 vjeç, është dërguar në spital rreth orës 19:30, por kur ka mbërritur atje, tashmë kishte ndërruar jetë. Burime nga policia bëjnë të ditur se ende nuk është kryer ekspertiza për të gjetur shkakun e vdekjes, megjithatë është mbërritur në lokalin ku po zhvillohej festa në Dragostunjë dhe pritet që të gjehen edhe arsyet se si ndërroi jetë mësuesi i matematikës në gjimnazin e Përrenjasit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›