E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet në PD, Berisha pa një sfidues “fasadë” për postin e kryetarit

Arbnori, Pollo dhe Butka, konkurrentët e kryetarit në vite. Parimi “një anëtar, një votë” do të sillte garën në parti

Ndërkohë që po afron mbajtja e Kuvendit Kombëtar të PD-së, që do të zgjedhë kryetarin e kësaj partie, ende asnjë anëtar i kësaj partie nuk ka paraqitur kandidaturën për këtë post. Gjatë 19 viteve të pluralizmit në Shqipëri, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka pasur vetëm dy rivalë për këtë post. Që të dy rivalët e Berishës kanë qenë “fasadë”, sa për të përmbushur detyrimin statutor, i cili parashikonte që për postin e kryetarit duhen dy a më shumë kandidatë. Ndërsa aktualisht kjo dispozitë nuk ekziston në Statutin e Partisë Demokratike dhe pritet që në zgjedhjen për postin e kryetarit të partisë, që do të zhvillohen më 12 dhjetor, të kandidojë vetëm kryetari i kësaj partie, Sali Berisha. Pra lideri i PD-së pritet të mos ketë asnjë rival, qoftë ky edhe “fasadë”. Pikërisht mungesa e një rivali për postin e kryetarit të njërës prej partive më të mëdha politike në Shqipëri ka rikthyer në mesin e të djathtëve debatin për vendosjen e parimit demokratik të zgjedhjeve, “një anëtar, një votë”, dhe lejimin e konkurrencës së lirë në parti. Burimet nga PD-ja bëjnë të ditur se vendosja e këtij parimi gjen mbështetje të gjerë në radhët e deputetëve dhe anëtarëve të strukturave drejtuese të partisë, megjithëse nuk prononcohen publikisht. Megjithatë, ky parim nuk është sanksionuar në Statutin e PD-së, ndaj pritet që në zgjedhjet e 12 dhjetorit, kryetari i partisë të zgjidhet me votim të fshehtë nga delegatët, shumica e të cilëve janë ithtarë të devotshëm të liderit aktual. Ndaj dhe këto zgjedhje nuk pritet të sjellin surpriza në PD. Posti i kryetarit të selisë blu, pa dyshim do të jetë edhe për të paktën katër vitet e ardhshme, “pronë” e Berishës. Deri tani nuk ka dalë asnjë kandidat rival ndaj tij, dhe pritet që të mos ketë të tillë.
Rivalët
Por ajo që ka ndodhur ndër vite ka treguar se edhe ata që kanë guxuar të garojnë kundër Berishës për postin e kryetarit të PD-së ose janë larguar nga kjo parti, ose kanë qenë thjesht rivalë “fasadë”. I pari që ka kandiduar përballë Berishës ka qenë i ndjeri Pjetër Arbnori, në Kongresin e PD-së të vitit 1997. Në atë periudhë, në Statutin e PD-së parashikohej që për postin e kryetarit duhej të kandidonin dy a më shumë anëtarë. Ndaj ishte e nevojshme që krahas Berishës, të ishte dhe një kandidat i dytë. Madje i ndjeri Arbnori, gjatë fjalës së mbajtur në këtë kuvend, ka bërë thirrje që delegatët të votojnë për Berishën, duke treguar qartë se qëllimi i kandidimit të tij ishte thjesht një detyrim statutor.
Më pas, në Kuvendin e vitit 1999, hodhi kandidaturën për postin e kryetarit të partisë Genc Pollo. Por ky i fundit u tërhoq nga gara në momentin e fundit. Pollo e akuzoi lidershipin e PD-së për konkurrencë të pandershme, për presion ndaj delegatëve dhe për mundësi manipulimi. Për këto arsye ai u tërhoq nga gara dhe pak muaj më vonë krijoi Partinë Demokrate të Re bashkë me disa anëtarë të tjerë të PD-së që e akuzonin Berishën për autoritarizëm. Me largimin e Pollos, sërish në përmbushje të detyrimit statutor, Berishës i duhej një rival në garë. Për këtë arsye u zgjodh Uran Butka. Nga zgjedhjet e zhvilluara në PD, si në ato të vitit 1997 dhe në ato të vitit 1999, kandidatët rivalë kanë marrë nga 7-11% të votave. Krerët e tjerë të PD-së, të cilët e kanë mbajtur këtë post për një periudhë të shkurtër, kanë qenë të emëruar dhe të drejtuar nga Berisha. I tillë ka qenë Eduard Selami dhe Tritan Shehu. Ndërsa Aleksandër Meksi, i cili e ka mbajtur këtë post vetëm për pak orë në vitin 1991, kur është themeluar PD-ja, është larguar pas presioneve të ndryshme dhe ky post i kaloi Berishës.

Shtohen deputetët demokratë që mbështesin ndarjen e posteve partiake nga ato qeveritare

Shumë deputetë të PD-së e mbështesin idenë e ndarjes së posteve partiake nga ato ministrore. Publikisht për median e kanë mbështetur këtë propozim për ndryshimin e Statutit të PD-së tre anëtarë të Kryesisë Qendrore të Partisë, si Fatos Beja, Aldo Bumçi dhe Aleksandër Biberaj. Por, burimet bëjnë të ditur se kjo ide mbështetet nga të tjerë deputetë të Grupit Parlamentar, por dhe nga anëtarë të strukturave vendimmarrëse të PD-së. Në një prononcim për mediat, Beja u shpreh se është e nevojshme që të ndryshojë Statuti i PD-së, duke parashikuar ndarjen e posteve ministrore nga ato të sekretarëve të PD-së. “Mënyrat ekstreme nuk janë asnjëherë të mira, pasi nëse drejtuesit e partisë do të vendosen të gjithë në pushtet, atëherë në parti nuk do të mbetet askush, dhe kjo do të sjellë humbjen e forcës së PD-së. Një parti në qeverisje ndien gjithmonë nevojën e mbështetjes nga strukturat për çdo ligj që bën qeveria”, - është shprehur Beja. Ndërsa kryetari i demokratëve të Tiranës, Aldo Bumçi, është shprehur se duhet të vendoset një traditë në PD, që parashikon largimin nga postet drejtuese në parti të personave që marrin portofola ministrorë në qeveri. “Kur fiton zgjedhjet është normale që figurat kryesore, njerëzit që kanë mbajtur peshën e kësaj partie në opozitë, të kalojnë në qeverisje. Ne periudhën 2005-2009, pjesa kryesore e vëmendjes ishte te qeveria dhe partia u la në një farë mënyre në heshtje. Mendoj që duhet ta tejkalojmë këtë fazë, të krijojmë një traditë. Në fund duhet të kemi një parti që të jetë aktive, të mbajë kontaktet me njerëzit, për këtë arsye partia ekziston. Strukturat të mblidhen, të jetë funksionale, pra duhet të ketë një vëmendje më të madhe në parti dhe kjo nuk mund të bëhet nëse postet janë në njësuara”, - tha Bumçi.

3 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›