KLD-ja dhe Ministria e Drejtësisë do të kalojnë në sitë dosjet për vrasje
Laureta Rryçi
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mbledhjen e tij të djeshme, diskutoi dhe vendosi mbi fillimin e një inspektimi tematik ndaj pesë gjykatave të shkallës së parë, në veprimtarinë gjyqësore të të cilave evidentohen një numër i konsiderueshëm çështjesh gjyqësore për vepra penale me kriminalitet të lartë. Sipas burimeve zyrtare nga Këshilli, nevoja për verifikimin e shkaqeve që kanë çuar në tejzgjatje të disa proceseve gjyqësore penale, një pjesë e të cilave mbartin edhe ndjeshmëri në publik dhe media, ka qenë objekt diskutimi në dy mbledhje të njëpasnjëshme të Këshillit dhe u finalizua me vendimin për këtë inspektim tematik të përbashkët midis Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe atij të Ministrisë së Drejtësisë. Objekti i inspektimit do të jenë çështjet gjyqësore penale gjatë viteve 2007 – 2008, të sjella në gjykatat e rretheve gjyqësore Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë dhe në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, në ngarkim të shtetasve të marrë të pandehur për kryerjen e shtatë llojeve të ndryshme të veprave penale, ndër të cilat: vrasja me paramendim dhe në rrethana cilësuese, trafikimi i narkotikeve, shpërdorimi i detyrës dhe veprat që lidhen me korrupsionin pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, apo të funksionarëve të lartë shtetërorë.
Inspektimi
Sipas njoftimit zyrtar, inspektimi u vendos në një frymë të plotë bashkëpunimi midis Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë. Sipas vendimit të djeshme, të dyja këto struktura inspektuese, për tre muaj, do të përmbushin qëllimin e këtij inspektimi, duke shtrirë secili fushëveprimin e verifikimit të veprimtarisë gjyqësore në vite të ndryshme kalendarike. Kjo metodikë e kooperimit institucional është garancia më e mirë për të evituar mbivendosjet e kompetencave ligjore, duke rritur rezultatet e inspektimit gjyqësor. Ky vendim shënoi dhe bashkëpunimin e parë pas shumë vite debatesh mes dy inspektorateve, të KLD-së dhe të Ministrisë së Drejtësisë.
Imuniteti
Mbi kërkesën e prokurores së Përgjithshme, Këshilli i Lartë i Drejtësisë miratoi autorizimin për fillimin e procedimit penal ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, Qani Hasa, duke evidentuar për pasojë ligjore të kësaj situate pezullimin nga detyra të gjyqtarit. Sipas argumenteve, Hasa duket se ka abuzuar në një çështje gjyqësore që lidhet me procesin e një të akuzuari për një vepër penale në Elbasan. Ndaj tij prokuroria kërkoi dhjetë vjet heqje lirie, ndërsa gjyqtari Hasa vendosi dënimin e tij me 5 vjet. Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi gjithashtu katër procedime disiplinore, ndër të cilat, në qëndrim konfirmues të Këshillit ndaj parashtrimeve të bëra nga ministri i Drejtësisë, u vendosën dy masa disiplinore dhe konkretisht: “vërejtje me paralajmërim” ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë Rasim Doda dhe “vërejtje” ndaj gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Anila Capo, procedimi disiplinor i së cilës u rishqyrtua nga KLD-ja në zbatim të Vendimit Nr.16, datë 27.4.2007 të Gjykatës Kushtetuese. Me kërkesë të ministrit të Drejtësisë u shtynë disa procedime disiplinore, ndërsa u rrëzua kërkesa e tij për procedimin disiplinor ndaj dy gjyqtarëve të tjerë.
Diskutimet për projektligjin mbi çështjet e huaja penale
Pjesë e diskutimeve në mbledhjen e djeshme në Këshill ishte dhe projektligji “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”. Ky projekt është i lidhur me aspekte të ekstradimit të shtetasve duke paraqitur rëndësi të veçantë në procese gjyqësore penale dhe mendimet e Këshillit për të do t’i transmetohen Ministrisë së Drejtësisë dhe Komisionit për Çështje Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut pranë Kuvendit të Shqipërisë
3 Nentor 2009