E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakrohet i riu nga Vlora, i vodhën varësen e floririt



Një 24-vjeçar nga Vlora kishte preferuar të kalonte festën e Halluinit në Tiranë, por kjo gjë i ka rrezikuar atij jetën, pasi është grabitur me dhunë nga dy persona. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës, në rrugën “Gjik Kuqali”, pranë një lokali në Tiranë kur Berti Hyseni, 28 vjeç, nga Berati, në bashkëpunim me një person tjetër ende të paidentifikuar nga policia, i ka vjedhur me dhunë një varëse floriri 24-vjeçarit Mariglen Xh., nga Vlora. I riu ka tentuar të mbrojë varësen nga hajdutët, por këta të fundit i janë kundërpërgjigjur duke e goditur me thikë. Ata e kanë goditur atë në pjesë të ndryshme të trupit duke e plagosur rëndë. I dëmtuari u transportua menjëherë në spital, ndërsa policia nisi hetimet për të identifikuar autorët. Burime nga policia thanë se nga hetimet e para u bë i mundur identifikimi dhe kapja e njërit prej autorëve, i cili dyshohet të jetë 28-vjeçari Berti Hyseni dhe po punohet për identifikimin e bashkautorit të tij.

Tiranë
Denoncon bashkëshortin për ushtrim dhune
Një 34-vjeçare ka kërkuar ndihmën e policisë pasi dhunohej fizikisht dhe psikologjikisht nga ish-bashkëshorti i saj. Ngjarja ndodhi dje, kur Flutura U., banuese në Frutikulturë-Kamzë, ka mbërritur në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 ku ka deklaruar se ish-bashkëshorti i saj, Bashkim U., 45 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj. Burime nga policia thanë se gruas iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes për “dhunën në familje”.
Materialet do t’i kalojnë gjykatës për veprime të mëtejshme. Kërkesa të tilla po shtohen çdo ditë në gjykatë.

Tenton vetëvrasjen me bar miu pas vdekjes së bashkëshortit

DEVOLL - Vdekja e bashkëshortit e ka çuar në një tentativë vetëvrasje një grua 48-vjeçare, e cila, në gjendje të rëndë psikike, ka konsumuar një lëndë të rrezikshme. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut bëjnë të ditur se katër ditë më parë, rreth orës 02:00, është transportuar në spital nga familjarët e saj shtetasja Z. B., lindur në fshatin Sheqeras, Korçë dhe banuese në fshatin Grac të Devollit, e cila kishte konsumuar një sasi ilaçi kundër minjve. Nga deklarimet e së vetëhelmuarës doli se më datë 30 tetor, rreth orës 23:00, ajo ka marrë ilaç miu pasi ka qenë e mërzitur se para një muaji i ka vdekur bashkëshorti. U kryen veprimet procedurale për veprën penale të “shkaktimit të vetëvrasjes e mbetur në tentative, thanë burimet e Policisë së Korçës, ku sipas tyre, e helmuara ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Korçës.

I dehur i djeg shtëpinë vëllait, arrestohet

KRUJË - Një person është prangosur pasi në gjendje të dehur i ka djegur banesën vëllait. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se të shtunën e kaluar, rreth orës 14:00, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Mirash Gjok Menga, 36 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Derven të rrethit të Krujës. Sipas tyre, Menga u prangos për arsye se më datë 30 tetor, rreth orës 08:00, pas një konflikti për motive të dobëta më vëllanë e tij, Mehill Gjok Menga, duke qenë dhe në gjendje të dehur, i ka djegur banesën duke i shkaktuar një dem prej 100 000 lekësh. “Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Durrësit për veprën penale të ‘shkatërrimit të pronës me zjarr’”, - thonë burimet policore.

Gjendet i sëmuri mendor i humbur

ELBASAN – Pas rreth 48 orësh policia gjeti një prej pjesëtarëve të familjes Dema në Elbasan, i cili ishte denoncuar i zhdukur. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut bëjnë të ditur se dy ditë më parë, rreth orës 10:00, u bë e mundur gjetja dhe shoqërimi i shtetasit Mark Spiro Mema, lindur dhe banues në lagjen “5 Maji”. 73-vjeçari ishte shpallur në kërkim policor më datë 29.10.2009 për largim nga banesa. Sipas deklarimeve të marra, ky shtetas është larguar me dëshirën e tij. Ndërsa familjarët kanë thënë në polici se ky shtetas është i sëmurë mendor.

Kapen 4 kosovarë me letra false në Portin e Durrësit

DURRËS – Porti i Durrësit shihet si një pikë transite për të kaluar në mënyrë ilegale nga shtetasit kosovarë, por vetëm gjatë fundjavës policia ka ndaluar të paktën katër prej tyre. Në të gjitha rastet është tentuar që të kalohet me dokumente të falsifikuara, por pas verifikimeve nga autoritetet portuale është bërë i mundur ndalimi i tyre dhe nisja e hetimeve në gjendje të lirë pasi ata kanë konsumuar veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve” dhe kalimit të paligjshëm të kufirit”. Burimet zyrtare të Policisë së Durrësit thonë se kanë ndaluar shtetasit; Gjelal Ibrahim Elezi, 28 vjeç, nga fshati Gjergjedell i komunës së Kaçanikut; Xhevdet Avdi Berisha, 25 vjeç, lindur në Podujevë të Kosovë dhe banues në fshati Godishnjak, Sokol Zymberaj, 18 vjeç, lindur në Istog dhe banues në fshatin Shishicë dhe Mon Sadikun, 44 vjeç, lindur në dhe banues në fshatin Osekylë, të komunës së Gjakovës. Në të gjitha rastet kanë pasur dokumente të falsifikuara dhe kanë tentuar të kalojnë përmes portit më të madhe të vendit për të shkuar në Itali.

3 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›