FMN: Shqipëria me rritje ekonomike, i bëri ballë krizës globale

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përcjellë sot sugjerimet e radhës drejt qeverisë shqiptare, përsa i takon ruajtjes së stabilitetit makro-ekonomik në vend. Sipas shefit të misionit të FMN-së, Gervin Bell, rritja ekonomike në Shqipëri, nuk po ndodh me ritmet e para krizës botërore, ndërsa vlerësoi se ajo i rezistoi kësaj krize.
FMN parashikoi për vitin 2011, një rritje prej 2.7 për qind. Duke mos lënë në periferi çështjen e borxhit, Bell deklaroi se niveli prej 59 për qind është i lartë dhe Shqipëria nuk duhet në asnjë mënyrë të kapërcejë nivelin 60 për qind.
Si një nga çështjet kryesore aktuale, ndryshimi i buxhetit nuk u konsiderua si ideal dhe për këtë kreu i misionit të FMN-së, Bell kërkoi që buxhetimi të mbështet mbi parashikime realiste. Për mos thellimin e mëtejshëm të borxhit, FMN rekomandoi shkurtimin e shpenzimeve me 20 miliardë lekë.
Ndërkaq, parashikimet e autoriteteve financiare shqiptare, janë për një rritje ekonomike 5 për qind. Sipas ministrit, Bode, Shqipëria pritet të jetë në krye të rritjes ekonomike, por sigurisht jo në nivelet e shpresuara në programet e vitit të kaluar. Lidhur me borxhin publik, numri një i Financave deklaroi se deficiti do të mbetet në të njëjtat nivele ose të ulet në mënyrë graduale”.
Gjithashtu, FMN sugjeroi përmirësime fiskale dhe mbështetje për bizneset investuese, me qëllim nxitjen e rritjes ekonomike në të ardhmen.
...