Mbyllet numërimi i 8-ës dhe 9-ës, Lulzim Basha 73 vota para Edi Ramës. KQZ nis numërimin e 10-ës. Wollfarth, Ristani: Numërimi, transparent dhe korrekt

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar pak minuta më parë numërimin e votave të hedhura në kutinë e gabuar të njësisë bashkiake nr.8 dhe nr.9. Pas numërimit të 246 kutive të votimit në të dyja minibashkitë, kandidati i Partisë Demokratike dhe koalicionit të djathtë, Lulzim Basha kryesoi me 73 vota para rivalit të tij, të koalicionit të majtë, Edi Rama. Grupet e numërimit gjetën në 94 kutitë e njësisë nr.7, 7 vota të hedhura në kutinë e gabuar, që i takonin Lulzim Bashës dhe 6 vota për Edi Ramën. Ndërsa në njësinë bashkiake nr.9, nga numërimi i 152 kutive të votimit, u gjetën 26 vota për kandidatin demokrat Basha dhe 25 për atë socialist, Rama.
Numërimi i njësisë bashkiake nr.9
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po numeron aktualisht votat e hedhura ne kutine e gabuar, të njësisë bashkiake nr.9 në kryeqytet, e cila i përket KZAZ-së 53. Deri tani, pas hapjes së kutive në 8 njësi bashkiake të kryeqytetit, kandidati i koalicionit "Aleanca për Qytetarin", Lulzim Basha kryeson me 75 vota ndaj kandidatit të koalicionit "Aleanca për të Ardhmen", Edi Rama. Ky proces gjatë këtyre ditëve është shoqëruar me debate dhe polemika mes palëve për çështje që lidhen me kodet e sigurisë së kutive, me mospërputhje të tyre në disa raste apo me mungesën e këtyre kodeve në raste të tjera. KQZ filloi të shtunën (18 qershor) procesin e hapjes së kutive dhe numërimit të fletëve të kontestuara në 368 qendrat e votimit të Bashkisë Tiranë. Numërimi bëhet nga 8 grupe njëkohësisht, në të cilat bëjnë pjesë dy punonjës të administratës së KQZ-së dhe nga një përfaqësues i dy forcave politike, PD-së dhe PS-së
Numërimi i paradites, 8 grupet e numërimit finalizojnë votat e hedhura në kutinë e gabuar të njësisë bashkiake nr.8
Me 72 vota më shumë kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, vazhdon të jetë në avantazh ndaj kandidatit të “Aleancës për të Ardhmen”, Edi Rama. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbylli sot numërimin e votave të hedhura në kutinë e gabuar në njësinë nr.8 në Tiranë. Grupet e numërimit gjetën 7 vota të hedhura gabim për Lulzim Bashën dhe 6 vota për Edi Ramën. Pas mbylljes së procesit të numërimit të njësisë nr.8, ka nisur procesi me hapjen e kutive të njësisë nr.9. Janë gjetur 4 kuti të dëmtuara gjatë procesit dhe në sallë kanë nisur debatet mes përfaqësuesve të Partisë Socialiste dhe anëtarëve të KQZ-së. Anëtarët e opozitës kanë hedhur dyshime të forta për integritetin e tyre, dëshmi e të cilëve sipas saj nis që nga mospërputhja e kodeve e deri tek mosrakordimi i fletëve. Për momentin, procesi është ndërprerë, për të rifilluar në orën 18 të pasdites.
Wollfarth takon Ristanin: Procesi i numërimit, transparent dhe korrekt
Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth ka zhvilluar dje një takim me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani. Vizita e kreut të OSBE-së ishte e papritur, ndërsa KQZ po numëronte votat e njësisë bashkiake nr.8. Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Leonard Olli, vizita e ambasadorit të OSBE-së në mjediset e këtij institucioni ishte e rastësishme, ndërkohë që z. Wollfarth u ndal për pak çaste në hyrje të sallës së Komisionit, ku prej pesë ditësh po vijon numërimi i fletëve të hedhura në kutinë e gabuar në njësitë bashkiake të kryeqytetit. Më pas, ambasadori i Prezencës së OSBE-së zhvilloi një takim të shkurtër me kryetarin e KQZ-së, Arben Ristani. Ambasadori Wollfarth dhe në tërësi trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, kanë shprehur interes të fortë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, teksa me praninë e tyre gjatë numërimit në KZAZ kanë ndikuar pozitivisht duke qetësuar klimën mes palëve në interes të përfundimit të shpejtë të procesit dhe jo zvarritjes së tij.
...