E Diel, 1 Nëntor 2026

FMN: Shqipëria në krizë, do shkurtohen vende pune

TIRANE- FMN-ja ka dhënë sot paralajmërim se Shqipëria është e prekur nga kriza ekonomike sepse bizneset po përballen ne humbje të mëdha dhe për pasojë do të shkurtojnë vendet e punës. Kreu i FMN, Gerwin Bell theksoi se shqiptarët do të përballen me humbjen e vendeve të punës gjatë vitit 2009, ndaj paralajmëroi qeverinë që të ruajë fondin e emergjencës.

Kjo deklarata u bë sot në Tiranë, gjatë një konference për shtyp, ku z. Bell theksoi se gjatë vitit 2009 kriza do të prekë edhe ekonominë shqiptare, ku do të rritet numri i të papunëve. Por sipas tij, krahasuar me vendet e Ballkanit, kriza në Shqipëri është më e butë.

"Viti që sapo kemi nisur do të jetë i vështirë për konsumatorët shqiptarë, bizneset ne investimet e tyre, për sistemin e kredive dhe të një sërë faktorëve të tjerë ekonomik", u shpreh ai. Në këto kushte drejtori i FMN-së i ka sugjeruar qeverisë shqiptare të marrë masa për ta përballuar krizën. Sipas z.Bell, qeveria duhet të bëjë mbushjen e deficitit buxhetor. "Për deficitin buxhetor duhet të përdoren të ardhurat nga privatizimet", u shpreh ai. Ndërsa shtoi se "nuk duhet të preket fondi i emergjencës".

Deklarata e kreut të Fondit Ndërkombëtar Monetar vjen në një kohë kur kriza botërore është shtrirë në gjithë botën përfshirë edhe vendet e Ballkanit. Kjo deklaratë vjen në rrymë të kundërt me ato çka ka deklaruar qeveria shqiptare se vendi ynë nuk do të preket nga kriza dhe për më tepër ne jemi vendi me rritjen më të madhe ekonomike në Europë.

Duke qenë një vit elektoral politika shqiptare nuk ka pranuar publikisht se vendi ynë mund të preket nga kriza. Përpos FMN-së ky alarm është dhënë edhe nga vetë bizneset, sidomos ata që eksportojnë të cilët janë shprehur se gjenden në vështirësi. Ndërsa Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani iu ka kërkuar tre ditë më parë bankave private që të kreditojnë bizneset.


Redaktoi: R.Dedaj  

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›