Droga, pranga të akuzuarit për vrasje
DURRËS - Policia ka vënë në pranga mëngjesin e së mërkurës 18-vjeçarin Alfred Hoxha. Banori i Durrësit është arrestuar pasi ishte shpallur në kërkim rreth tre muaj më parë për një vrasje të ndodhur më 14 nëntor të vitit të shkuar. 18-vjeçari është një nga katër personat e akuzuar si autor i vrasjes së shtetasit Saimir Balla. Ndërsa tre autorët e tjerë u kapën ditën e ngjarjes, arrestimi i Hoxhës u bë i mundur vetëm dje. Saimir Balla, 25 vjeç, u qëllua me shtatë plumba në qendër të qytetit të Durrësit. Vrasja dyshohet se ka ndodhur për pazare droge të prishura.
Gramsh, përleshje me thika në fshat
GRAMSH - Masakron me thikë fshatarin e katundit fqinj, arrestohet autori. Shërbimet e policisë së Gramshit kanë arrestuar shtetasin Ligor Xhangoli, 29 vjeç, me banim në Grabovë pasi një ditë më parë qëlloi me thikë shtetasin S.T., 46 vjeç, me banim në fshatin Lenie. Grindja mes këtyre shtetasve ka ndodhur për motive të dobëta pasi më parë ishin zënë pas një sherri pronësie që kishin pasur të afërmit e tyre. Ndaj autorit është ngritur akuza e "plagosjes". Ndërkohë i plagosuri ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Shkodër, sallat e operacionit, të amortizuara
SHKODËR - Përveç mungesës së theksuar në medikamente, në spitalin rajonal të Shkodrës sallat e operacionit dhe instrumentet e tyre janë të amortizuara. Kjo gjë është pohuar nga drejtori i spitalit rajonal, Namik Kamberi, gjatë analizës njëvjeçare të sistemit shëndetësor në Shkodër. Ai ka shtruar domosdoshmërinë e ndërhyrjes sa më shpejt në rikonstruksionin e sallave të operacionit, instrumenteve që përdoren në to, autoklavës, si dhe pajisjen me medikamente. Sipas drejtorit të përgjithshëm të spitaleve në Ministrinë e Shëndetësisë, Bardh Spahija, së shpejti do të nisë tenderimi i medikamenteve mjekësore nga vetë spitalet pa u bërë kjo nga ministria, por nuk ka dhënë asnjë afat se kur spitalet do të mund të kenë medikamente të mjaftueshme.