'Nuk autorizuam prishjet në Jalë'
Grupi i Menaxherëve të BB-së, pranon gabimet e tij në projekt: "Nuk reaguam në kohë për shembjet"
Banka Botërore dhe Paneli i Inspektimit, distancohen nga prishjet e objekteve në Jalë. "Nuk ka hetim për korrupsion"
Fshati i Jalës do të mbahet mend për një kohë të gjatë nga zyrtarët e Bankës Botërore. Më shumë se gjithçka, rëndësinë më të madhe në atë vend nuk e kanë brigjet shkëmbore, deti apo banorët, por disa rrënoja dyvjeçare shtëpish.
Për afro një muaj, mes Uashingtonit dhe Tiranës ndodhet në mes Jala, me objektet e saj pa leje. Një projekt i përgatitur në vitet 2004-2005 dhe i miratuar për t'u financuar nga BB-ja, në qershor të 2005-ës, i cili parashikonte rregullimin dhe pastrimin e të gjithë bregdetit të Jugut, ka provokuar prej disa javësh një valë akuzash të ashpra mes qeverisë dhe opozitës, duke përfshirë në to edhe disa segmente të vetë Bankës Botërore.
Me një kosto të përgjithshme prej afro 38.6 milionë dollarësh, Banka Botërore kishte rënë dakord të financonte rreth 17.5 milionë të kësaj shume. Për të mbikëqyrur këtë projekt, qeveria kishte ngritur Njësinë e Koordinimit të Projektit, e drejtuar nga zoti Jamarbër Malltezi, dhëndri i Kryeministrit Berisha.
Banka Botërore deklaroi dje nëpërmjet një deklarate për shtyp, se prishja e objekteve në Jalë nuk ka qenë e autorizuar nga ajo. Në deklaratën e saj, ajo pranonte përgjegjësitë e veta mbi këtë çështje, por mohoi në mënyrë kategorike se ishte e përfshirë në aksionin për shembjen e afro 15 objekteve pa leje të banorëve të Jalës.
Hetimi për shembjen nisi nga një Panel Inspektimi, pas pretendimeve të banorëve të dëmtuar nga kjo ngjarje, sipas të cilëve, projekti i financuar me fonde të Bankës, parashikonte shembjen e banesave.
Paneli i Inspektimi, i kundërshtuar shumë nga disa zyrtarë të lartë të qeverisë, bëri vërejtjet e tij ndaj Grupit të Menaxherëve, i cili ishte përgjegjës për mbikëqyrjen e disa vendimeve të caktuara rreth zbatimit të këtij projekti.
"Grupi i Menaxherëve i pranon konstatimet e Panelit në lidhje me veprimet e Njësisë Shqiptare të Koordinimit të Projektit dhe efektet që kanë pasur ato për kërkuesit",- shkruhet në raportin dhe rekomandimet e Grupit të Menaxherëve, i bërë pas publikimit të raportit hetimor të Panelit të Inspektimit.
Ky Grup pranon se janë bërë një sërë gabimesh gjatë përgatitjes së projektit, paraqitjes së tij para bordit dhe mbikëqyrësit të projektit.
"Këto gabime janë të papranueshme dhe nxjerrin në pah një mosfunksionim të rëndë të mekanizmave të llogaridhënies, përgjegjësisë dhe kontrollit mbikëqyrës, që ushtron mbi projektin Grupi i Menaxherëve",- shkruhet në raportin e këtij grupi.
Sipas tij, projekti nuk duhej t'i ishte paraqitur për miratim bordit, në mungesë të një moratoriumi për prishjen e ndërtimeve ekzistuese, dhe as kjo masë nuk është ndjekur në mënyrë aktive me qeverinë.
Grupi shkruan në raportin e tij se, në fillim të vitit 2005, ekipi i projektit i kërkoi qeverisë të nënshkruanin një marrëveshje për një moratorium mbi prishjen e objekteve, por, sipas tyre, qeveria shqiptare e kundërshtoi, pasi mendonte se binte ndesh me legjislacionin vendës.
Në deklaratën e përbashkët për shtyp të panelit dhe bankës, thuhet se, "qysh prej fillimit të vënies në zbatim të projektit, Grupi i Menaxherëve duhet ta kishte sqaruar rolin e Njësisë së Koordinimit të Projektit ndaj programit në zbatim e sipër të qeverisë shqiptare, për prishjen e objekteve, duke ditur rreziqet që u kanoseshin objektivave të projektit.
"Ekipi i projektit duhet t'ia kishte sqaruar Njësisë Shqiptare të Koordinimit të Projektit se fotografitë ajrore të zonës së projektit, nuk duhet të përdoreshin si mjete për të vënë në shënjestër prishjen e objekteve ekzistuese",- citohet në deklaratë.
Po aty, shkruhet se kjo njësi punësohet nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe jo nga Banka Botërore.
Ky institucion ka pezulluar përkohësisht financimin e projektit, deri në një vendim të dytë. Në deklaratë thuhet se asnjë anëtar i qeverisë, Njësisë së Koordinimit, apo punonjës i bankës, nuk është objekt hetimi për korrupsion.