Pallatet për të pastrehët, banorët denoncuan abuzimet
HETIMI/ Në prokurori mbërritën denoncime për ndarje të padrejtë të apartamenteve dhe abuzime me punimet
ELBASAN - Vendimi i Komisionit të Këshillit Bashkiak për strehimin tashmë është nën hetim. Shkak për këtë janë bërë denoncimet e disa prej banorëve të pallatit 8-katësh, të cilët e akuzojnë këtë komision se ka shpërndarë në mënyrë të padrejtë apartamentet duke ua dhënë edhe personave që nuk meritojnë dhe plotësojnë kriteret duke marrë ryshfet.
Mësohet se akuzat e ngritura në këto momente nga organi i akuzës janë "shpërdorim detyre" dhe "mitmarrje".
Këto denoncime janë administruar nga prokuroria, e cila ka kërkuar të gjitha informacionet dhe dokumentacionin mbi procesin e shpërndarjes së apartamenteve. Por njëkohësisht, banorët kanë denoncuar edhe punimet e këqija të kryera në këtë pallat, ku ata ankohen se u mungon ashensori, uji i pijshëm.
Ankesat e banorëve dhe nisja e hetimeve nga prokururoria e Elbasanit ka përfshirë edhe institucionin e Entit të Banesave, i cili ka menaxhuar projektin dhe ka lidhur kontratat me përfituesit e strehimit.
Sali Cani, drejtor i këtij institucioni, thotë se projekti i 40 apartamenteve ka kaluar të gjitha procedurat ligjore dhe se procesi i ndarjes është ndjekur nga Këshilli Bashkiak i Elbasanit.
Ai pranon se ka pasur ankesa nga qytetarët për probleme të tilla si uji i pijshëm, cilësia e dyerve e dritareve apo ashensori, si edhe shuma që duhet të paguajë çdo familje, duke treguar se banorët janë ankuar se për kushtet që ofron, qiraja që ata paguajnë është e lartë.
Cani sqaron se pallati është projektuar me 8 kate, 40 apartamente, kafazin e ashensorit pa ashensor, pa pompë për furnizimin me ujë të pishëm, me kosto 24-25 mijë për m2. "Vendimi për mungesën e ashensorit ka qenë për faktin se do të strehoheshin familje të varfra dhe ashensori ka nevojë për shpenzime të tjera shtesë për çdo familje, thotë Cani.
- Projekti fillestar nuk ka parashikuar problemin e furnizimit me ujë të pijshëm. Ky projekt ka marrë lejen e ndërtimit në Bashkinë e Elbasanit.
Kjo e fundit, duke pasur parasysh kontratën me Ujësjellësin për furnizimim me ujë të pijshëm deri në katin e katërt, nuk duhet të kishte miratuar projektin pa një zgjidhje për furnizimin me ujë të pijshëm, - vijon drejtori.
Pallati i strehimit është kthyer në një objekt hetimi dhe për dëshminë e tij është thirrur edhe kreu i Entit të Banesave. Ai ka dëshmuar për procedurat e ndjekura për lidhjen e kontratës së qytetarëve dhe për rolin e Entit në këtë proces.
Procedurat e pallatit të strehimit i ka verifikuar edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ndërkohë, ndërsa banorët përfitues ankohen, anëtarët të Këshillit Bashkiak e quajnë të papranueshëm hetimin e tyre.