FMN: Shqipëria nuk është përfshirë nga kriza ekonomike
Ekonomia shqiptare nuk është prekur nga kriza globale dhe në të ardhmen nuk rrezikohet prej saj. Madje, në vitin 2009 Shqipëria do të ketë një rritje ekonomike më të lartë se vendet e rajonit. Deklarata është bërë dje nga Gerwin Bell, përfaqësuesi i misionit të FMN-së për Shqipërinë. Bell tha dje se do të ketë një ngadalësim të rritjes ekonomike dhe për këtë, politikat duhet t’i përshtaten kësaj situate, me qëllim që efekti të jetë sa më i vogël. Shefi i FMN-së u shpreh se Shqipëria është në një pozicion disi më të mirë se vendet e tjera të rajonit dhe kjo ka të bëjë me disa nga politikat e mëparshme dhe në mënyrë të veçantë edhe me programet që ne kemi pasur me Shqipërinë. “Është e rëndësishme të kuptohet se ajo që do të shohim në Shqipëri do të jetë një ngadalësim i ndjeshëm, por unë nuk do ta quaja këtë krizë. Unë nuk mendoj se Shqipëria është në krizë. “Shqipërisë do t’i duhet të përballet me një ngadalësim dhe politikat do të duhet t’i përshtaten kësaj”, - është shprehur Bell. Ai argumentoi se sistemi bankar në Shqipëri është i sigurt dhe ka likuiditet, dhe kredinë e ka dhënë në euro apo dollarë, ndërkohë diçka që ndeshet shpesh në sistemin bankar rajonal, është se disa kredi që janë dhënë hua në franga zvicerane ose në jenin japonez. Ai vlerësoi se praktikat e mëparshme kanë qenë tepër të matura në mbikëqyrjen bankare dhe aktualisht bankat kanë kapital të mjaftueshëm për të absorbuar kreditë e këqija. Bell nënvizoi se ekonomia shqiptare është më shumë fleksibël dhe ka të ngritura disa masa mbrojtëse. “Shqipëria ia doli që të zbatonte me sukses regjimin e inflacionit të shënjestruar, çka i lejoi Bankës së Shqipërisë të ulte normat e interesit. Dhe kjo është diçka që shtetet që nuk kanë politikë monetarë të pavarur, nuk mund ta bëjnë dot”, - theksoi shefi i FMN-së. Ai vlerësoi se Banka e Shqipërisë ishte gjithashtu në gjendje që të siguronte likuiditet të mjaftueshëm deri tani për sistemin bankar gjatë vitit që shkoi, kur kjo ishte e nevojshme në fund të vitit të kaluar pas ngjarjeve globale që nga tetori. “Shqipëria ka një kurs këmbimi fleksibël, që është shumë i rëndësishëm. Kursi i këmbimit ju ndihmon për të absorbuar disa goditje që mund t’ju prekin. Zhvillimet e fundit në kursin e këmbimit kanë përmirësuar konkurrueshmërinë e eksporteve shqiptare, si dhe i kanë bërë prodhuesit shqiptarë që të konkurrojnë me importet më konkurruese, p.sh. sektori vendas i bujqësisë është në një pozicion më të mirë ndaj prodhimeve bujqësore të importuara. Kjo ndihmon gjithashtu në anën e të ardhurave, kur bie fjala për taksat mbi importet, pasi tani importet janë pak më të shtrenjta”. Ai tha se ka shumë faktorë që janë të mirë në Shqipëri. Por theksoi se është e rëndësishme që politikëbërësit nuk duhet t’i lënë politikat e matura. Ai sugjeroi që në mënyrë të veçantë është e rëndësishme që buxheti të jetë i shtrënguar. “Dhe ka disa mekanizma ekzistues, në rast se p.sh. të ardhurat do të binin, diçka që e shohim si të mundshme, disa nga shpenzimet kontingjente në buxhet nuk duhet të kryhen. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme këtë vit, që të gjitha të ardhurat nga privatizimi të përdoren për të financuar buxhetin dhe jo për të financuar shpenzime shtesë”, - tha Bell. Ai vlerësoi përpjekjet e fundit të qeverisë në ndihmë të eksportuesve shqiptarë, siç është përjashtimi i rimbursimit të TVSH-së. Sipas Bell, në mënyrë të ngjashme, normat më të ulëta të interesit do të ndihmojnë. “Por gjëja e parë e rëndësishme është që buxheti të ketë një kërkesë për financim, që mund të përballohet dhe pastaj t’i lihet fleksibilitetit të ekonomisë shqiptare që të luajë rolin e vet. Dhe mbi këto baza, unë mendoj se Shqipëria mund të regjistrojë rritje këtë vit, krahasuar me rënien në ekonomitë e zhvilluara dhe në vende të tjera të rajonit. Kjo nuk është koha për aktivizëm nervoz, por kjo është koha për një dorë të sigurt që të sigurohet stabiliteti makroekonomik”, - nënvizoi Bell. Shefi i FMN-në nuk pranoi të japë një shifër të saktë se sa do të jetë rritja ekonomike për vitin 2009 në Shqipëri, pasi sipas tij, parashikimet e bëra nga FMN dy herë kanë rënë. Por ai theksoi se deri tani ka disa pika të forta të ekonomisë shqiptare që duhet të ndihmojnë në këtë situatë, por ka gjithashtu nevojë për vazhdimësi të maturisë në politika. “Dhe nëse bëhet kjo, do të jetë përsëri e mundur të arrihet rritje ekonomike pozitive”, - nënvizoi Bell. Nga ana tjetër, ai veçoi se Shqipëria është rritur më shumë se vendet e tjera në 10 vitet e fundit, kur kushtet ishin të mira. “Ne mendojmë se Shqipëria do të ecë më mirë se vendet e tjera në rajon tani që kushtet janë të këqija. Por do të ketë qartësisht një ngadalësim në shkallën e rritjes, duke konsideruar dy situatat e ndryshme. Shqipëria nuk mund t’i shmanget pjesës tjetër të botës”, - deklaroi dje Bell.
BSH: Inflacioni i janarit arriti në 2.1 për qind
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e radhës vlerësoi dje se inflacioni në muajin janar 2009 rezultoi 2.1 për qind, pothuajse në të njëjtin nivel me atë të fundvitit 2008. Tendenca në rënie e inflacionit është ndikuar nga rënia e çmimeve të lëndëve të para në tregun botëror, reflektuar dhe në tregun vendas, si dhe nga kushtet të qëndrueshme makroekonomike në vend. Vrojtimet e besimit të bizneseve dhe konsumatorëve, për tremujorin e fundit të vitit 2008 kanë regjistruar një rënie prej 10 pikë përqindje të treguesit të tendencës ekonomike, i cili megjithatë është mbi nivelin mesatar të 5 viteve të fundit. Vlera e këtij treguesi pasqyron vlerësimin në rënie të bizneseve për nivelin e prodhimit, punësimit, kërkesës dhe situatës së tyre financiare. Zhvillimet në sektorin e jashtëm tregojnë se në muajt e fundit të vitit 2008, shkëmbimet tregtare u rritën me 15 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Importet kanë ruajtur ritme të larta rritje, prej 16%, ndërkohë që eksportet kanë shfaqur ngadalësim të ritmeve të rritjes, duke ndikuar në thellimin e mëtejshëm të deficitit tregtar. Treguesit monetar paraqesin ngadalësim të ritmeve të rritjes në muajin dhjetor, duke transmetuar sinjale për një ngadalësim të mundshëm të kërkesës për mjete monetare. Ritmi vjetor i rritjes së parasë së gjerë shënoi rënie në nivelin 8%. Zgjerimi i M3 është mbështetur kryesisht nga kredia për ekonominë, si dhe nga rritja e financimit të sektorit publik në përgjigje të kërkesës më të lartë për fonde nga sektori fiskal. Portofoli i kredisë shënoi një ngadalësim të ritmeve vjetore në 35%, e ndikuar nga zgjerimi i ulët mujor që shënoi kredia në muajin dhjetor 2008. Zhvillimet në tregun financiar tregojnë për transmetim të kënaqshëm të vendimit të fundit të politikës monetare, duke reflektuar lehtësimin e kushteve monetare. Në tregun ndërbankar, në muajin shkurt, interesat për transaksionet njëditore dhe ato njëjavore reflektuan ulje. Në tregun primar yeild-et e letrave me vlerë të qeverisë kanë pasqyruar rënie për të gjitha maturitetet. Të dhënat paraprake për depozitat në lekë tregojnë reduktim të normave të interesit, por gjykohet se kjo është e lidhur dhe me përfundimin e disa ofertave promorcionale të janarit, veçanërisht për depozitat afatshkurtra. Në tregun e brendshëm valutor vihet re se gjatë muajit janar, në terma nominalë efektivë, ecuria e lekut kundrejt shportës së monedhave kryesore ka vazhduar tendencën në kahun rënës. Banka e Shqipërisë gjykon se ka ardhur koha që të rritet përdorimi i instrumenteve më komplekse financiare, siç mund të jenë kontratat e së ardhmes. Mbështetur në analizën e mësipërme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi: “Të mbajë të pandryshuar, në nivelin 5.75 për qind, normën e interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjelltë të riblerjes me afat maturimi njëjavor”.
Subjektet financiare jobanka, si licencohen, BSH miraton rregulloren
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi dje në mbledhjen e radhës rregulloren “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka”, duke shtuar në përcaktime të reja. Kjo rregullore ka dhënë dhe disa përcaktime të reja, ku përcaktohen veprimtaritë financiare, të cilat në ndryshim nga rregullorja ekzistuese janë përcaktuar në përputhje me veprimtaritë financiare të përcaktuara në nenin 54, pika 2, të ligjit të ri “Për Bankat në Republikën e Shqipërisë”, duke përjashtuar ato veprimtari, ushtrimi i të cilave kërkon praninë e depozitave monetare dhe/ose të fondeve të ripagueshme nga publiku. Po ashtu, përfshihet në veprimtaritë e subjekteve edhe veprimtaria e këmbimit valutor, si veprimtari deri më sot jo e lejuar për subjektet financiare jobanka. Përcaktohen kërkesat për kapital për të ushtruar qiranë financiare dhe factoring-un në përputhje me nivelet e kërkuara për kapital në ligjet përkatës që rregullojnë këto veprimtari. Përcaktohen lehtësira në nivelet e kërkuara të kapitalit për institucionet financiare të mikrokredisë në procesin e licencimit të tyre. Përcaktohet kërkesa për pagesën e kapitalin fillestar minimal vetëm në monedhën vendase (lekë). Përcaktohen kërkesa për verifikimin e burimit të kapitalit, që do të kërkojë një deklaratë nga themeluesit, e shoqëruar kjo edhe me dokumente të tjera vërtetuese. Përkufizohet “mikrokredia” dhe “institucioni financiar i mikrokredisë” në përshtatje me rekomandimet e grupit të ekspertëve të Bankës Botërore për këtë qëllim. Përcaktohen disa kërkesa minimale për administratorët, në përshtatje me parimet e Komitetit të Bazelit për përzgjedhjen e administratorëve. Përkufizohen dhe përcaktohen kërkesa për miratimin e agjentit për të ushtruar veprimtarinë financiare të transferimit të parave, përkufizohen dhe përcaktohen karakteristikat e licencës dhe rastet e revokimit të saj, në përputhje me ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”. Përcaktohen në analogji me ligjin të ri “Për Bankat në Republikën e Shqipërisë”, rastet dhe dokumentacioni i nevojshëm për marrjen e disa “miratimeve paraprake” nga Banka e Shqipërisë. Përcaktohen, në analogji me ligjin të ri “Për Bankat në Republikën e Shqipërisë”, rastet e “detyrimit për njoftim”, menjëherë dhe brenda 30 ditëve. Rregullorja “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka” hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipëris