Konfidustria: Kujdes në përzgjedhjen e operatorit të 4-t celular
Konfindustria, nisur nga domosdoshmëria e përmirësimit të funksionimit të tregut të telefonisë së lëvizshme në vend, këshillon ekzekutivin shqiptar për përzgjedhjen sa më të kujdesshme dhe sa më të shpejtë të operatorit të 4-t në Shqipëri. Konfindustria përshëndet veçanërisht pjesëmarrjen e kompanisë me kapital publik “Vala” të Postë-Telekomunikacioneve të Kosovës (PTK), në tenderin për operatorin e 4-t të telefonisë së lëvizshme në Shqipëri, duke e vlerësuar si një operator cilësor që ofron shërbime me kosto ndjeshëm më të ulët sesa çka ofrohet tashmë në tregun e ngjashëm të Shqipërisë dhe njëkohësisht me cilësi mjaft të mirë. Gjithashtu, Konfindustria e vlerëson veprimin e mësipërm të garimit të PTK-së për të qenë e pranishme në tregun e Shqipërisë si lëvizje strategjike, largpamëse dhe mjaft e dëshiruar në vendimmarrjen politike të Kosovës drejt krijimit të Tregut të Hapur Mbarëshqiptar në përfitim afatgjatë të nxitjes së zhvillimit ekonomik të hapësirave shqiptare. Lëvizja e mësipërme e vendimmarrjes politike të Kosovës është e domosdoshme në kushtet e krizës globale me pasoja të ndjeshme edhe në ekonomitë e Shqipërisë, Kosovës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në proces integrimi në BE. Hyrja e operatorit të 4-t do të shënojë liberalizimin real të tregut strategjik të telefonisë së lëvizshme në dobi të uljes së kostove dhe rritjes së cilësisë së shërbimit për bizneset dhe qytetarët. Kusht i rëndësishëm për sa më sipër është përzgjedhja nga tenderi në zhvillim e sipër të një kompanie serioze dhe rezultative të fushës, për të shmangur çdo mundësi kompromentuese të konkurrencës në të ardhmen dhe pengesë për arritjen e qëllimit të licencimit të operatorit të 4-t të telefonisë në përfitim të ekonomisë, biznesit dhe qytetarëve shqiptarë. Konfindustria është e gatshme që nëpërmjet mbështetjes institucionale dhe nxitjes së vendimmarrjes politike për kryerjen e përmirësimeve ligjore të nevojshme të sektorit, të ndihmojë fituesin e tenderit të licencës se 4-t të telefonisë së lëvizshme për hyrjen sa më të shpejtë në tregun përkatës të industrive shqiptare dhe në tregun shqiptar në përgjithësi.