E Diel, 1 Nëntor 2026

Pajisjet elektro-shtëpiake, etiketë sa energji harxhojnë



Pajisjet elektro-shtëpiake që do të blejmë tash e tutje, do të shoqërohen me një etiketë ku të jetë përcaktuar sasia e energjisë që harxhojnë. Qeveria miratoi dje projektligjin që përcakton treguesit e konsumit të energjisë dhe të burimeve të tjera, nga pajisjet për përdorim shtëpiak, nëpërmjet etiketimit dhe informacionit standard të produkteve. Ky ligj përcakton detyrimet për publikimin e informacionit të konsumimit të energjisë dhe të burimeve të tjera kryesore, veçanërisht nëpërmjet mënyrave të etiketimit e të informacionit për produktin, si dhe informacionit plotësues, për disa tipa pajisjesh për përdorim shtëpiak, duke i mundësuar konsumatorit zgjedhjen e pajisjeve, për përdorim shtëpiak, më eficiente ndaj energjisë. Ky ligj zbatohet për tipat e pajisjeve të mëposhtme për përdorim shtëpiak, edhe në rast se ato shiten për përdorim joshtëpiak: frigorifer, ngrirës dhe kombinimi i tyre; makinë larëse rrobash, makinë tharëse dhe kombinimi i tyre; makinë larëse enësh; furra; pajisje ngrohëse uji dhe pajisje mbajtëse uji të ngrohtë; mjete/pajisje ndriçimi; pajisje me ajër të kondicionuar. Ky ligj nuk zbatohet për: pajisjet për përdorim shtëpiak, të përdorura; etiketa të tjera të fiksuara në pajisjet për përdorim shtëpiak, që, për arsye sigurie, japin informacion për indikatorët e fuqisë.

Sipas këtij ligji informacioni, në lidhje me konsumimin e energjisë elektrike, të formave të tjera të energjisë, burimeve të tjera kryesore dhe informacioneve plotësuese sillen në vëmendje të konsumatorit nëpërmjet një skede informative dhe një etikete për pajisjen për përdorim shtëpiak, të ofruar për shitje, dhënie me qira, shitje me këste ose të ekspozuar për përdoruesin e fundit. Hollësitë për etiketën dhe skedën informative, për tipet e pajisjeve të parashikuara në këtë ligj, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Vendimi/et përcakton/ojnë, në mënyrë specifike: përkufizimin e saktë të tipit të pajisjes, që përfshihet; standardet e matjes dhe metodat që përdoren, për të përftuar informacionin referuar në nenin 1, të këtij ligji; hollësitë, për dokumentacionin e kërkuar teknik, referuar pikës 3, të këtij neni; dizenjimin dhe përmbajtjen e etiketës, referuar pikës 1, të këtij neni, e cila duhet të ketë karaktere sa më uniforme; vendin ku etiketa do të fiksohet në pajisje. Sipas rastit, mund të parashikohet që etiketa të bashkëngjitet ose të printohet në paketimin e pajisjes në fjalë; përmbajtjen dhe, sipas rastit, formatin dhe hollësi të tjera, në lidhje me skedën informative ose informacionin referuar pikës 2, të nenit 5, të këtij ligji. Informacioni në etiketë është i përfshirë edhe në skedën informative.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›