E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Shqipëria, rritje e “argjendtë”

Shqipëria është vlerësuar e dyta në rajon për rritjen ekonomike të vitit 2008 dhe parashikimin për vitin 2009. 

BLEDAR HOTI

Një raport i fundit i ekspertëve të FMN-së dhe Bankës Botërore e rendit ekonominë shqiptare pas asaj të Malit të Zi. Në fakt, shifrat, bëjnë fjalë vetëm për rritjen ekonomike, pasi ekonomia shqiptare vazhdon të jetë ndër të fundit në listë. Sidoqoftë, vlerësimi, është tejet pozitiv, pasi kalon parashikimet e vendeve të tjera të rajonit.
Shqipëria
Prodhimi shqiptar parashikohet të rritet me 6 për qind gjatë këtij viti dhe më shumë se 6.2 për qind gjatë vitit 2009. Shifrat janë më të ulëta se të Malit të Zi, ekonomia e të cilit parashikohet të rritet me shifra 7 për qind. Por, sidoqoftë, GDP-ja shqiptare, edhe pse e varfër, do të ketë rritje më të madhe se vende aktualisht anëtare të BE-së si Rumania e Bullgaria. Raporti i publikuar dje edhe nga agjencia zyrtare shqiptare, thekson se Shqipëria ka bërë hapa progresivë në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe do të ketë rritje ekonomike të mëtejshme. "Mali i Zi, Shqipëria dhe Rumania janë vendet që kanë rritjen me ritme të larta të rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor".
Rritja ekonomike, sipas ekspertëve, bazohet në rritjen e madhe të kredidhënies. Në parashikimin e vet, FMN-ja thekson se gjatë vitit 2009, edhe inflacioni do të shënojë një ulje. Parashikohet që këtë vit mesatarja të jetë 4.1 për qind, ndërsa në vitin 2009 të jetë 2.9 për qind, duke e bërë më të prekshme për konsumatorët rritjen e prodhimit të brendshëm. "Rritja ekonomike në Shqipëri u mundësua nga dyfishimi i rritjes së investimeve, mbështetur dhe nga zgjerimi i shpejtë i kredive nga bankat. Në raport me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria pritet të ketë rritje të shpejtë ekonomike edhe në vitet në vijim".
Ekspertët e FMN-së parashikojnë se, rritja ka gjasa të zbutet në shumicën e vendeve të rajonit këtë vit, për shkak të një ngadalësimi në rritje në eurozonë, tregu i madh për vendet e sapohyra në BE dhe për shkak se prodhimi po lëviz më pranë ndaj potencialit.
Rajoni
Në përgjithësi ritmet e rritjes ekonomike rajonale janë më të larta këtë vit se një vit më parë. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe hapja e ekonomive rajonale në kuadër të globalizimit, i ka vënë vendet ballkanike para një konkurrence të fortë, ndërkohë që shanset për të përfituar janë rritur. Çmimet e larta të naftës dhe të disa produkteve kryesisht ushqimore, kanë pasur ndikime negative në pothuajse të gjitha vendet e rajonit.
Por ekspertët e FMN-së theksojnë se rritja mund të jetë shumë më e madhe, në rast se Shqipëria mbulon disa gropa të mëdha financiare. Sipas tyre, ekonomia shqiptare ka mundësi dhe hapësira për rritje më shumë se ritmet aktuale 6 për qind, por kriza e rënduar energjetike që ka shoqëruar me mosharmonizim reformash në disa sektorë, kanë frenuar mundësitë reale të mirëqenies së përgjithshme. Por, nga ana tjetër zhvillimet në sektorin e turizmit dhe shërbimeve në tërësi, bashkë me një tendencë pozitive të rritjes së eksporteve, pritet t'i japin një shtysë pozitive ritmeve të rritjes.
Banka Botërore në raportin e perspektives së rritjes globale të ekonomisë për vitin 2008, ka parashikuar një ngadalësim të rritjes së GDP-së në ekonomitë evropiane, duke theksuar se vetëm Shqipëria, Hungaria dhe Turqia bëjnë përjashtim, ekonomitë e të cilave ndryshe nga ato të vendeve të tjera do të vazhdojnë të rriten edhe përgjatë 2008-ës. Në Shqipëri rritja ekonomike do të vazhdojë të mbështetet në kërkesën e shumtë të brendshme, e cila do të vazhdojë të nxitet nga kreditimi, por edhe nga një rritje e investimeve publike. Ekonomia botërore do të ketë një rritje më të ulët gjatë 2008-ës për shkak të paqëndrueshmërisë financiare të shkaktuar në Shtetet e Bashkuara nga kriza e kredive, çmimi i lartë i energjisë dhe ndryshueshmëria e kursit.

Rritja e GDP

Shqipëria 6.0 përqind

Maqedonia 5.0 përqind

Serbia 4.0 përqind

Mali i Zi 7.2 përqind

Kroacia 4.2 përqind

Sllovenia 4.15 përqind

Rumania 5.4 përqind

Bullgaria 5.5 përqind

Bosnja 5.5 përqind

Përdorja e internetit

Shqiptarët përdorin më shumë internetin. Ky ishte konkluzioni i publikuar nga INTERNET WORLD STATISTICS, sipas të cilit në Shqipëri gjatë vitit 2007 numri i përdoruesve të internetit arriti në 471 mijë. Sipas statistikave, rritja e përdorimit të internetit vlerësohet më e madhja në Evropë, ose me afro 748.0 për qind në krahasim me vitin 2006. Në BE, rreth 48.1 për qind e popullsisë përdorin internetit, ndërsa në Shqipëri vetëm 15 për qind. Kontinenti, i cili ka përdorimin më të madh të internetit është Amerika e Veriut, me 73.6 për qind. Ndërsa kontinenti me përqindje më të ulët është Afrika, me 5.3 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›