E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ari Hani i çudit të gjithë, Bogdani jashtë

Ari Han ka lënë jashtë qendërsulmuesin e Kombëtares shqiptare, Erjon Bogdanin për ndeshjen miqësore kundër Lihteshtejnit, e cila do të luhet më 20 gusht në Tiranë. 

Jetmir Halilaj

 Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar dje listën e lojtarëve që ka përzgjedhur trajneri i kuqezinjve për ndeshjen miqësore dhe bomberi shqiptar nuk është pjesë e saj, duke ngritur shumë pikëpyetje për sa i përket vendimit që ka marrë Han. Ky i fundit ka lënë jashtë edhe Besart Berishën, sulmuesin tjetër të përfaqësueses, i cili shkëlqeu tre ditë më parë, teksa shënoi 2 gola në ndeshjen debutuese me Rozenborgun. I kontaktuar nga gazetarët nëpërmjet telefonit, Bogdani nuk e ka fshehur habinë për faktin që nuk ishte në listë, por nuk ka pranuar të bëjë komente dhe më pas ka fikur telefonin. Ndërkaq trajneri Ari Han nuk ka dhënë asnjë shpjegim për lënien jashtë të qendërsulmuesit, i cili aktivizohet te Kievo në Serinë A. Hipotezat e para janë ato që e cilësojnë vetëm një zgjedhje të momentit, pasi Bogdani nuk do të mungojë gjatë edicionit të ardhshëm, por nuk përjashtohet mundësia që Ari Han të përqendrohet totalisht te dy sulmuesit e tjerë, Edmond Kapllani dhe Hamdi Salihi. Trajneri i Kombëtares ka vendosur të thërrasë vetëm 18 lojtarë për ndeshjen kundër Lihteshtejnit. Arjan Beqaj dhe isli Hidi do të konkurrojnë për një vend titullari në portën kuqezi. Në mbrojtje holandezi ka vendosur të rikthejë Admir Telin dhe Endri Vrapin. Ndërkaq në repartin e prapavijës janë thirrur edhe Curri, Dallku, Vangjeli, Agolli dhe Andi Lila. Altin haxhi dhe Blerim Rrustemi nuk janë thirrur për këtë ndeshje. Në mesfushë do të jenë në dispozicion të Ari Hanit, Lorik Cana, Ervin Skela, Altin Lala, Klodian Duro, Ervin Bulku, Jahmir Hyka dhe Elis Bakaj. Në Sulm Ari Han ka vendosur të thërrasë vetëm Edmond Kapllanin dhe Hamdi Salihin. Burime pranë teknikut të përfaqësueses kuqezi, bëjnë të ditur se skema e ardhshme e Kombëtares shqiptare do të jetë 4-5-1.

Hipotezat/Ja pse s’u thirr sulmuesi
1) Bogdani tashmë është i afirmuar dhe fakti që luan në Serinë A nuk është e domosdoshme të provohet në një ndeshje kundër Lihteshtejnit modest. 2) Dëshiron të provojë Salihin dhe Kapllanin se sa janë të aftë të tërheqin sulmin të vetëm duke i aktivizuar një në çdo pjesë loje. (Bogdani i ka treguar tashmë cilësitë e tij). 3) Erjon Bogdani është “viktimë” e projektit të trajnerit për të rinovuar Kombëtaren dhe nuk bën pjesë në planet e Ari Hanit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›