Xhufi: Ndjekje penale për Bollanon
Nënkryetari i LSI fajëson kreun e Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, për moskthimin e pronarëve te pronarët e vërtetë. Pëllumb Xhufi, në një prononcim për mediat deklaroi se, "zoti Bollano, si kryetar i Bashkisë së Himarës, as në mandatin e parë dhe as në mandatin e dytë nuk e ka ngritur menjëherë problemin e pronave të himarjotëve, përkundrazi është fare e qartë që është i interesuar ai dhe qarqet, që çështja e pronave në Himarë të ngelet e ngurtësuar, pra pronat e himarjotëve të mos quhen në tregun normal të tokës si në çdo vend tjetër të Shqipërisë". Sipas tij, kryebashkiaku ka penguar që pronat e himarjotëve të hipotekohen nga ata, pra të kenë titujt e pronësisë. "Kjo është gjendja në Himarë, himarjotët nuk janë në gjendje të bëjnë veprime në tokat e tyre, me trojet që ata zotërojnë, pra të ndërtojnë, të shesin, të blejnë, sepse është bllokuar një gjë e tillë dhe me një synim fare të qartë, pikërisht nga zoti Bollano, i cili do ta mbajë peng Himarën. Ai do që ta mbajë Himarën një ishull të izoluar nga pjesa tjetër e Shqipërisë", deklaroi Xhufi. Ai theksoi se Bollano po merr një rol të veçantë, ku pretendon që Himara duhet të ketë një status të veçantë, madje jep dhe identitete të ndryshme, që nuk kanë të bëjnë me realitetin e vendit. "Dhe për më tepër pretendon që të luajë një rol edhe në kuadrin ballkanik, ku bën deklarata, të cilat implikojnë dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinje. Gjithsesi gjykoj që ky njeri ka shkelur çdo masë, ka shkelur Kushtetutën dhe ligjet e këtij vendi dhe për një gjë të tillë më duket se është dhe në ndjekje penale. Ajo që ne do të kërkonim është që ligji të bënte detyrën edhe për zotin Bollano", theksoi Xhufi. Sipas tij, "nuk mund të zgjidhet çështja e pronave fshatçe, siç u tha pra me komisione vendore të ngritura nga zoti Bollano edhe në dritën e fakteve të reja, që kanë dalë për implikimin e tij në trafikun e trojeve dhe tokave në Himarë. Në Himarë do të veprojë ligji i shtetit, siç vepron në të gjithë Shqipërinë. Në qoftë se ligji është i keq, sigurisht duhet parë, por që ligji nuk mund të bëhet i ri në Himarë. Ajo që dua të theksoj dhe ajo që nuk më tingëlloi mirë, janë pikërisht thirrjet, ideja për të gjetur një zgjidhje për Himarën, të ndryshme nga çdo vend tjetër në Shqipëri, më duket krejt e paligjshme.