E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca, paqe me Moskën në letër, në terren luftë

Presidenti rus urdhëroi dje ndalimin e operacioneve ushtarake dhe tërheqjen graduale të trupave ruse nga Gjeorgjia, duke lënë shpresa reale për arritjen e paqes, por Gjeorgjia është skeptike, pasi në terren realisht bombardimet vazhdojnë. 

Sipas zyrtarëve gjeorgjianë, Moska vazhdon të bombardojë fshatra dhe qytete. Lajmi për tërheqjen e trupave erdhi pas ndërmjetësimit të Presidentit francez, Nikola Sarkozi në Moskë dhe takimit të tij me Dimitri Medvedev. Pas takimit që zgjati katër orë, më në fund Presidenti rus u bind të nënshkruajë paktin që do të sjellë të paktën një paqe afatshkurtër dhe të parashtrojë kërkesat e tij për Gjeorgjinë, duke refuzuar kategorikisht një takim me liderët e këtij vendi. Presidentët ranë dakord së pari, që palët në konflikt duhet të heqin dorë nga përdorimi i forcës; së dyti, që të gjitha operacionet ushtarake duhet të ndërpriten; së treti, që të gjithë personat në rajon duhet të kenë hyrje të lirë në ndihmat humanitare. Principi i katërt citon se trupat gjeorgjiane duhet të kthehen në pozicionin e tyre, që kishin para se të niste konflikti, ndërsa i pesti kërkon që trupat të tërhiqen në pozicionet e mëparshme por të lejohen të marrin masa sigurie shtesë, derisa një mekanizëm paqeruajtës ndërkombëtar të vendoset në vend. Principi i gjashtë i referohet fillimit të diskutimeve ndërkombëtare mbi statusin e ardhshëm të provincës separatiste të Gjeorgjisë, Osetisë Jugore dhe Abkhazisë. Lajmin për tërheqje Medvedev e konfirmoi edhe në një bisedë telefonike me shefin e politikës së Jashtme dhe Sigurisë në BE, Havier Solana. Sarkozi dërgoi në Moskë planin e përpiluar nga BE dhe OSBE, i cili ishte aprovuar më parë nga Presidenti gjeorgjian, Sakashvili. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov e vuri në dyshim këtë plan pasi ai tha se trupat gjeorgjiane nuk duhet të qëndrojnë më në territorin e Osetisë. Pas miratimit të planit nga Moska, Sarkozi u nis në Gjeorgji, ku sipas zyrtarëve, edhe pse Medvedev e bëri zyrtar lajmin për tërheqje, bombardimet në terren vazhdojnë, vetëm 20 km larg qytetit gjeorgjian, Gori. Menjëherë erdhi reagimi i Sekretares amerikane të Shtetit, Kondoliza Rajs, e cila tha se "janë bërë progrese, por operacionet ushtarake ruse në Gjeorgji duhet të ndërpriten menjëherë dhe plotësisht". Sarkozi në Tbilisi përcolli planin e nënshkruar tashmë nga Rusia, por hasi në dyshimin e liderëve gjeorgjianë, se Rusia do të respektonte një pakt të tillë.

NATO dënon pabarazinë e forcës

Vendet e NATO-s dënuan përdorimin e pabarabartë të forcës nga ushtria ruse, në ofensivën kundër trupave gjeorgjiane. Deklarata  u bë nga Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jap de Hop Shefer,  gjatë takimit të Ambasadorëve të vendeve anëtare në Bruksel. "Përdorimi i tepruar, i pabarabartë i forcës nga Rusia u dënua dhe u kritikua ashpër nga Këshilli i Atlantikut të Veriut. Për këtë arsye armëpushimi është kaq i rëndësishëm, duke përfshirë një ndërprerje të dhunës imediate. Njoftimi për ndërprerje të ofensivës ruse do të jetë një lajm i mirë, nëse konfirmohet në terren", tha Shefer pas takimit duke shtuar se perspektiva euroatlantike e Gjeorgjisë qëndron ende dhe se ky vend do të anëtarësohet një ditë në NATO, me gjithë frikën që shkakton kjo në Rusi.

“Rusia të pranojë propozimet”

"Rusia ka mjaft arsye të forta politike për të pranuar propozimet ndërkombëtare, lidhur me zgjidhjen e krizës me Gjeorgjinë", tha ministri i Jashtëm britanik, David Miliband në të përditshmen "Evening Standard". "Presidenti rus, Dimitri Medvedev, ka në këtë mënyrë mundësinë për të vërtetuar, se sa i rëndësishëm është për të respektimi i së drejtës. Ka shumë arsye të forta politike që Rusia të pranojë thirrjen e ndërkombëtarëve për një armëpushim dhe tërheqjen e trupave në pozicionet e para 7 gushtit", tha Miliband.

Perëndimi do të ndëshkojë Rusinë

Në përpjekje për të gjetur mënyra për të ndëshkuar Rusinë për pushtimin e saj në Gjeorgjinë pro-perëndimore, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre po marrin në konsideratë ta përjashtojnë Moskën, nga një klub ekskluziv i kombeve të fuqishme dhe të anulojnë një ushtrim ushtarak të përbashkët, NATO-Rusi, sipas zyrtarëve të administratës Bush. Uashingtoni dhe miqtë e tij janë detyruar të përballen me realitetin e pakëndshëm, se opsionet e tyre janë të kufizuara në masa kryesisht simbolike, si bojkotimi i takimeve të mbajtura në Rusi, që mund të kenë fare pak apo aspak ndikim në sjelljen ruse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›