Tre majorë shqiptarë në vijën e parë të Luftës në Gjeorgj
Tre majorë të ushtrisë shqiptare ndodhen në Gjeorgji, madje ata janë vendosur në vijën e parë të luftimeve, që po zhvillohen mes forcave ruse dhe atyre gjeorgjiane. Një fakt i tillë është konfirmuar dje nga zv/ministri i Mbrojtjes në Tiranë Petrit Karabina, i cili tha se zona ku ndodhen tre majorët shqiptarë është e rrezikshme, "por jo e jashtëzakonshme". Sipas zv/ministrit të Mbrojtjes pavarësisht rrezikut, tre ushtarakët shqiptarë janë të përgatitur për të përballuar çdo situatë. Misioni në të cilin ndodhen tre ushtarakët shqiptarë të vendosur në vijën e parë të luftimeve Rusi-Gjeorgji udhëhiqet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, OKB. Bashkë me shqiptarët në terren ndodhen gjithsej 136 ushtarakë nga të gjitha vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Misioni i tyre është të monitorojnë zbatimin e marrëveshjes mes Abkhazisë dhe Gjeorgjisë. Komunikimi telefonik me tre majorët shqiptarë që ndodhen në zonën e luftimeve ka qenë i pamundur këto ditë. Infrastruktura dhe linjat janë tërësisht të shkatërruara në Gjeorgji për shkak të gjendjes së luftës. Megjithatë zv/ministri i Mbrojtjes Petrit Karabina, tha dje për "Vizion Plus", se ka pasur një lidhje telefonike satelitore me tre ushtarakët tanë. Zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes tha se, tre majorët e ushtrisë shqiptare janë në gjendje të mirë dhe se po vazhdojnë misionin nën udhëheqjen e OKB-së. Siç duket gjatë komunikimit telefonik me ta, zv/ministri ka mësuar edhe vendndodhjen e tyre. Njëri nga majorët është i vendosur në kryeqendrën e Abkhazisë kurse dy të tjerët, janë ndarë në dy anët e vijës së luftimeve që po zhvillohen mes forcave ushtarake ruse dhe atyre gjeorgjiane. Një marrëveshje e vitit 1993 mes Abkhazisë dhe Gjeorgjisë, e cila kishte për qëllim shuarjen e konfliktit të vjetër, është shkaku i prezencës së trupave ushtarake të OKB-së në brezin, ku aktualisht po zhvillohen luftime. Rreth 136 ushtarakë të paarmatosur ndodhen në terren për të verifikuar zbatimin e marrëveshjes, e cila u shkel nga palët vetëm tre muaj pasi u nënshkrua në vitin 1993. Për këtë shkak, në vitin 2003 OKB nënshkroi një rezolutë që i detyronte palët për armëpushim. OKB vendosi të dërgojë trupat ushtarake me qëllim monitorimin e zbatimit të marrëveshjes. Thirrjes së Organizatës së Kombeve të Bashkuara iu përgjigj edhe Shqipëria, duke atashuar ushtarakun e parë që zëvendësohet çdo vit me tre ushtarakë të tjerë. Burimet nga Ministria e Mbrojtjes thanë dje për gazetën "Panorama", se tre majorët shqiptarë ndodheshin në terren para se të fillonte lufta mes Rusisë dhe Gjeorgjisë. Ata kanë qenë duke përmbushur misionin në emër të OKB-së bashkë me 133 trupa tjerë të kësaj organizate në kohën që nisën luftimet. Megjithatë zv/ministri i Mbrojtjes e ka bërë publik këtë fakt vetëm ditën e djeshme, kur ka kaluar më shumë se një javë nga momenti kur Rusia dhe Gjeorgjia filluan luftimet nga toka dhe ajri. t.s
Tre ushtarakët shqiptarë të paarmatosur
TIRANE - Tre ushtarakët shqiptarë, të cilët ndodhen në vijën e parë të zonës ku janë përqendruar luftimet mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, janë të paarmatosur. Ata mësohet se kanë qenë në këtë gjendje, që në kohën kur filluan misionin e tyre në emër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Dërgimi i ushtarakëve të paarmatosur në terren është bërë për vetë misionin e tyre. Ata kanë për detyrë të monitorojnë zbatimin e marrëveshjes mes Gjeorgjisë dhe Abkhazisë, ndërsa misioni i tyre nuk janë veprimet ushtarake apo paqeruajtëse. Për këtë shkak, trupat ushtarake që ndodhen në terrenin e luftës në Gjeorgji nuk janë të pajisur me mjete armatimi. Numri i trupave të OKB-së të vendosur në terrenin ku po zhvillohen luftimet është 136. Ata janë ushtarakë nga të gjitha vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Që prej kohës kur filloi misioni i tyre ata raportojnë periodikisht zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar mes Gjeorgjisë dhe Abkhazisë. Pas trupave të tjera ushtarake shqiptare që shërbejnë me misione paqeruajtëse në Irak, Afganistan dhe në Bosnje, ky është grupi i katërt i ushtarakëve tanë që marrin pjesë në operacione ndërkombëtare.