E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trasha e Topalli zhgënjejnë në Olimpiadë

Për t’u harruar debutimi i djeshëm i kuqezinjve Gerti Trasha dhe Edmond Topalli në ditën e katërt të Lojërave Olimpike “Pekin 2008”. 

Peshëngritësi shqiptar Gerti Trasha, i cili konkurroi në baterinë B në peshën 69 kg me 30 konkurrentë nga e gjithë bota, nuk mundi të kalojë asnjë nga tre provat 136 kg në stilin e shkëputjes, duke i dhënë fund kështu ëndrrës së tij olimpike. Në fakt, elbasanasi nuk ka qenë në një formë të mirë fizike. Synimi i Trashës në Olimpiadën e Pekinit ishte renditja mes 8 peshëngritësve më të mirë në peshën 69 kg, por që e marta rezultoi ditë tersi për 20-vjeçarin. Medalja e artë shkoi për sportistin kinez Hui Liao, i cili arriti të ngrinte në dygarësh 348 kg. Nëse në pjesëmarrjen e fundit në kampionatin evropian të zhvilluar në Linjano Sabiadoro ku kishte ngritur 140 kg dhe ku dhe siguroi edhe pjesëmarrjen për herë të dytë në Lojërat Olimpike, dje nuk shkoi sipas parashikimeve të tij. Në ditën e katërt të Olimpiadës konkurroi për Shqipërinë edhe përfaqësuesi i sportit të xhudos, Edmond Topalli në kategorinë -81 kg. Xhudisti shqiptar humbi përballë portugezit dhe kampionit të Evropës, Joao Neto, duke i dhënë fund shumë shpejt lamtumirën Olimpiadës “Pekin 2008” dhe debutimit të tij të parë në një eveniment të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›