Pakti, përcaktohen kufijtë detarë me Greqinë 4 ditë para vizitës së Karamanlis
ADI SHKEMBI
Në prag të vizitës së Kryeministrit grek Kosta Karamanlis në Tiranë, qeveria shqiptare miraton marrëveshjen për përcaktimin e kufirit ujor me vendin fqinj. Në të njëjtën mënyrë siç u miratua marrëveshja për varrezat, e cila i parapriu ardhjes së ministres së Jashtme Dora Bakojanis, marrëveshja e miratuar dje në qeveri do të nënshkruhet nga dy kryeministrat në Tiranë në fillim të javës së ardhshme. Burimet diplomatike bëjnë të ditur se për të konkretizuar termat e kësaj marrëveshje është negociuar mbi një vit dhe në dy kryeqytetet janë zhvilluar pesë raunde bisedimesh. Bëhet e ditur gjithashtu se përkundrejt çdo hamendësimi, kufiri ujor është ndarë në masë të barabartë për të dyja shtetet me rreth 150 pika ndarëse (nga Korfuzi deri në Vlorë) dhe e vetmja pikë, e cila nuk është përcaktuar akoma, por që pritet të marrë një përgjigje të shpejtë është ajo ku ujërat detare bashkojnë të tria vendet, Shqipërinë, Greqinë dhe Italinë. Kryenegociator i palës shqiptare ka qenë sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Ferid Hoxha, ndërsa për palën greke ka qenë këshilltari special i ministres Bakojanis, Xhorxh Savaides.
Marrëveshja
Në hyrje të marrëveshjes konfirmohet dëshira e mirë e dy vendeve për të formuar lidhjet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit mes tyre si dhe vetëdija për nevojën për të delimituar me saktësi hapësirat detare mbi të cilat dy vendet ushtrojnë apo do të ushtrojnë sovranitetin, të drejtat sovrane apo juridiksionin e tyre në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. “Kufiri detar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe republikës së Greqisë do të caktohet në përputhje me parimin e baraslargësisë. Në mënyrë më specifike, vetëdija e delimitimit do të jetë vija e mesme, çdo pikë e së cilës është e baraslarguar nga pikat më të afërta të vijës bazë (si kontinentale ashtu edhe ishullore) nga e cila matet gjerësia e ujërave territoriale detare”, thuhet në nenin 1 të marrëveshjes ‘ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe të zonave të tjera detare, që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare’. Gjithashtu, në marrëveshje dy palët angazhohen të marrin përsipër për të zgjidhur në rrugë diplomatike, çdo mosmarrëveshje që mund të lindë në lidhje me interpretimin apo zbatimin e saj. “Nëse një mosmarrëveshje e tillë nuk zgjidhet brenda katër muajve nga dita në të cilën një nga palët bën të ditur synimin e saj për të filluar procedurën e parashikuar në paragrafin e mësipërm, ajo do t’i dërgohet me kërkesën e secilës prej palëve, Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ose ndonjë organi tjetër ndërkombëtar”, thuhet në marrëveshje.
Milo: Kufijtë u diskutuan në vitet ‘70
Ish-ministri i Jashtëm shqiptar, sot kryetar i PDS-së, Paskal Milo, tha dje për “Panorama”, se çështja e kufijve detarë me Greqinë nuk është diskutuar asnjëherë mes dy shteteve gjatë kohës që ai ka qenë në detyrën e kryediplomatit. Sipas tij, çështja e kufijve detarë me Italinë dhe Greqinë është ngritur që gjatë periudhës së komunizmit. “Në fund të viteve ’70 është diskutuar kjo çështje, por nuk u arrit të konkludohej në përcaktimin e kufijve shtetërore detarë. Vetëm nga mesi i viteve ’80 është bërë e mundur të përfundohej një marrëveshje me Italinë, ndërsa me Greqinë nuk është diskutuar më”, tha Milo. Sipas tij, të vetmet çështje kufijsh me Greqinë kanë qenë ai i lumit Vjosë dhe e piramidave të kufirit tokësor.