E Diel, 1 Nëntor 2026

FMN, biznesi probleme me sistemin juridik dhe kadastrën

29/03/2005  Raporti tërheq vëmendjen e Qeverisë për të marrë masa në segmentet që cënojnë investimet e huaja

Përpjekjet e qeverisë për të përmirësuar klimën në të cilën gjendet biznesi, edhe pse nuk është konsideruar i dështuar, nuk është quajtur i mjaftueshëm nga FMN-ja. “Indikatorët e klimës së biznesit mbeten zhgënjyes”, ka deklaruar në raportin e fundit të publikuar në internet Fondi Monetar Ndërkombëtar. Problemeve të vjetra të licensimeve, barrierave administrative apo sektorit informal, i janë shtuar dhe çështje të reja që cënojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë sigurinë e bizneseve në vend. “Eshtë e nevojshme një program më i shpejtë dhe reforma urgjente në sistemin juridik në kadastër dhe për sa i takon të drejtës së pronës”, ka bërë të ditur në raport FMN-ja. Raporti i publikuar në internet në fillim të marsit, është reflektim i politikave dhe arritjeve në sektorin fiskal dhe atë monetar të qeverisë gjatë vitit 2004. Mes shumë çështjeve të ngritura, FMN-ja flet dhe për masat administrative dhe ato fiskale, që duhet të ndërmarrë qeveria gjatë këtij viti, për të ndihmuar në rritjen e investimeve të huaja, por dhe për të reduktuar barrierat për biznesin vendës.

“Qeveria duhet të vazhdojë të vërë në zbatim planin administrativ të masave për të larguar barrierat për biznesin dhe investimet”, ka bërë të ditur raporti i FMN–së. Sipas këtij raporti, qeveria është duke planifikuar një seri të re masash për të ndryshuar situatën dhe për të luajtur nga pozicioni i deritanishëm, ku e ka lënë biznesin. Në planin e masave nënkuptohet dhe heqja e barrierave, për sa i takon licensimeve, procedurave të regjistrimit, kohëzgjatjes së tyre si dhe kostos zyrtare apo dhe asaj informale. Kjo do të bëhet bazuar në një skemë të re në muajt në vazhdim dhe, duket se FMN-ja pret të shikojë tregues të tjerë për sa i takon klimës për të vlerësuar efektshmërinë e këtyre masave. Ndërkaq duket se indikatorët e momentit e lënë Shqipërinë shumë larg mesatares së vendeve të rajonit dhe asaj të OECD-së, për sa i takon treguesve të licensimit apo të kostove të hapjes së biznesit. Kështu për të filluar një biznes, shqiptarët duhet të kapërcejnë burokracitë e 11 procedurave, nga 10 që është mesatarja në rajon, apo 7 në vendet e OECD-së. Ndërkaq për sa i takon kostos për frymë të hapjes së një biznesi, Shqipëria ka thyer të gjitha rekordet. Nga 21.7 për qind që është mesatarja në rajon, apo 10.2 për qind që është në vendet e OECD-së, në Shqipëri ky tregues është 65 për qind.

Reformë sistemi juridik

Ndryshime kadastër

Sigurimi i të drejtës së pronës

Shqipëria Mes Rajon Mes OECD

Numri i procedurave 11 10 7

Kohëzgjatja në ditë 47 48 30

Kosto % për fyrmë 65 21.7 10.2

Fshehja e kostove 33 51 49

Gjetja e kredive 0 49 48

Importuesit mohojnë rritjen e çmimit të naftës

Viktor Nushi përgënjeshtron rritjen e çmimit, bursa sot cakton vlerat e reja

Importuesit kanë kundërshtuar informacionet për rritjen e çmimit të naftës në masën 105 lekë për litër. Sipas tyre, nafta D2 në treg, në asnjë rast nuk është shitur më shumë se 98 lekë për liter. “Dje ka qenë 95 lekë për litër dhe askush nuk mund të thotë gjë për rritje të mëtejshme, deri sa të përcaktohen çmimet në bursën e së martës”, ka bërë të ditur Viktor Nushi, në lidhje me lajmet për një rritje prej 7 lekësh brenda tri ditëve të çmimit të naftës. Sipas importuesve, nafta 105 lekë në treg është rezultat i abuzimeve të tregtarëve të vegjël, të cilët afishojnë çmime abusive, duke krijuar konfuzion në treg. Prej ditësh importuesit kishin lajmëruar për një rritje të mundshme të çmimit të naftës, nisur dhe nga perspektivat jo shumë optimiste të naftës në tregun ndërkombëtar. Sipas importuesve, tashmë tregu vendës është drejtpërdrejtë në ndikimin e krizës që ka përfshirë gjithë botën, pasi rezervat kanë mbaruar dhe impakti i rritjes së çmimit importohet menjëherë. Kështu, gjatë javës së kaluar, një litër naftë ka kapur vlerën e 92 lekëve në doganë dhe importuesit janë të shqetësuar për impaktin negativ që ka në këtë moment akciza mbi çmimin e naftës. Çmimi i një ton nafte në bursën ndërkombëtare arriti në 600 dollarë për tonë, duke shkuar më tej nga shifra që kishin parashikuar specialistët. Megjithatë rritja e çmimit të naftës në vend, u ndje në momentin kur bursa ndërkombëtare stabilizoi çmimet në nivelin e 520 dollarëve për ton. Pikërisht në këtë moment, një litër naftë u shit dje me 98 lekë, duke rikthyer plotësisht krizën e naftës në vend. “Askush nuk mund të japë një parashikim të saktë, nëse do të vazhdojë të rritet apo do të stopohet, por mund të thuhet se rritja në tregun ndërkombëtar nuk ishte e papritur dhe kishte ditë që çmimi rritej çdo ditë”, thotë Nushi. Megjithatë do të jetë dita e sotme dhe çmimi që do të marrë një ton naftë në tregun ndërkombëtar, që do të përcaktojnë dhe nivelin e ri të çmimit në Shqipëri. Duke iu referuar të dhënave, duket se në harkun kohor të një viti, çmimi i naftës në vend është rritur me 40 lekë. Në mars të 2004-ës, çmimi i një litri nafte në treg ishte 60 lekë. Një vit më pas, çmimi i tregut është vendosur në vlerën e 100 lekëve, duke kërcënuar, madje, për një rritje të mëtejshme të tij. Këtë vlerë, çmimi i naftës e vendosi për disa ditë në tetor të 2004-ës, për t’u ulur më pas në dhjetor, deri në nivelin e 85 lekëve për litër. Kështu duket se krizë tjetër po kërcënon jo vetëm sektorin e naftës, por dhe gjithë industritë që varen prej saj.

Çmimi i eurodiesel-it

105 lekë për litër

Çmimi i naftës D2

95 lekë për litër

Çmimi i naftës së “Armo”-s

88 lekë për litër

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›