E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi kandidati kryesor për PD-në e Tiranës

29/03/2005  Konferenca e prillit do të votojë zëvendësuesin e Minarollit

Konferenca e Partisë Demokratike për Tiranën do të zhvillohet në ditët e para të muajit prill. Burime nga PD-ja e Tiranës shprehen se në mbarim të punimeve të konferencës dhe për njërën prej nëndegëve të mbetura në kryeqytet nuk mbetet gjë tjetër vetëm se përcaktimi i datës së konferencës nga kryesia qendrore e partisë. Të njëjtat burime shprehen se në krye të listës qëndron deputeti Sokol Olldashi, i cili duket se tashmë ka marrë dhe miratimin e lidershipit dhe të Kryesisë së partisë për të drejtuar në katër vitet e ardhshme PD-në e Tiranës. Kryetari aktual, Vili Minarolli i ka ezauruar të dy mandatet në këtë post dhe në bazë të statutit nuk mund të kandidojë më. Përveç Olldashit, në listën e kandidaturave janë dhe Bamir Topi, Spartak Ngjela, Bujar Nishani, Aleksandër Biberaj etj. Por, duket se Olldashit i është dhënë për kandidim edhe zona e Laprakës, ku është zgjedhur deputet në vitin 2001 Vili Minarolli, kryetari aktual i PD-së Tiranë, që e bën Olldashin kandidatin kryesor. Kryeqyteti, nga ana e krerëve të PD-së, është cilësuar si arena e betejës në zgjedhjet e ardhshme parlamenatare. Numri i madh i zgjedhësve, por dhe numri i konsiderueshëm i zonave në Tiranë, rreth 20 me gjithë rrethinat, e bëjnë kryeqytetin vend përcaktues në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Ndërkohë, pozicioni i kryetarit të degës së PD-së Tiranë është përcaktues dhe për përzgjedhjen e personave që do të bëjnë pjesë në shtabet elektorale të deputetëve në 20 zonat e Qarkut të kryeqytetit. Mënyra e organizimit si dhe volumi i madh i punës, sidomos në këto pragzgjedhjesh kanë bërë që Kryesia e PD-së të mendohet mirë për kandidaturat që do të përcaktojë, duke shtyrë herëpashere zhvillimin e konferencës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›