E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDR ul kërkesat për koalicionin me PD

29/03/2005  Kryetari i aktual i PD-së për Tiranën, Vili Minarolli, e ka konsideruar si të dështuar procesin

Genc Pollo ka takuar Sali Berishën për bisedimet paraprake

Lënia e katër zonave të lira në qarqe të ndryshme të vendit, duket se është kushti i fundit i reformatorëve për të bashkëpunuar me PD-në në zgjedhjet e ardhshme. Zona 7, në Shkodër, ku pritet të kandidojë kryetari i Grupit parlamentar, Nard Ndoka, një zonë në Tiranë, për kryetarin e partisë, Genc Pollo, zona numër 27, në Durrës, për sekretarin e përgjithshëm, Ferdinant Xhaferri, si dhe kandidimi në Korçë për Tritan Shehun, duket se është oferta përfundimtare e PDR-së për bashkëpunim. Burime në PDR shprehen se zona e Durrësit dhe Korça nuk mund të quhen zona të sigurta, pasi rezultati në to është i diskutueshëm.

Bisedimet

Të njëjtat burime shprehen se bisedimet janë zhvilluar dhe në rang kryetarësh, mes Pollos dhe Berishës, por janë mbajtur sekret, për arsye se deri tani nuk ka pasur një marrëveshje përfundimtare. Nga ana e tij, kreu demokrat ka dhënë garanci të plota se marrëveshja do të arrihet me çdo kusht, duke premtuar për gjetjen e formulës së bashkëpunimit. Gjithashtu, mësohet se vetë reformatorët kanë përfshirë nga debatet, lidhur me kërkesat e drejtuar PD-së. Deklaratat e një dite më parë të nënkryetarit të PDR-së, Tritan Shehu, sipas të njëjtave burime, është cilësuar si personale dhe që s'ka të bëjë me qëndrimin e partisë për këtë çështje. Zona që ai kërkon në Korçë mësohet se është bërë pengesë për ecjen e mëtejshme të bisedimeve, pasi PD-ja deri më tani ka refuzuar që ta lëshojë këtë zonë për PDR-në.

Lëvizjet

Ndërkohë, aleancat dhe zonat e lira për aleatët duket se kanë stepur dhe punën për përzgjedhjen e kandidaturave në Partinë Demokratike. I ndikuar dhe nga lëvizjet e kundërshtarit, kryetari i PD-së, ose është vonuar në përzgjedhjen e kandidaturave, ose është detyruar të bëjë lëvizje të kandidatëve nga njëra zonë në tjetrën. Burime në PD shprehen se akoma nuk është vendosur se cilët do të jenë konkurrentët në një numër të madh zonash. Sokol Olldashi, i planifikuar për të kandiduar në Durrës, është zhvendosur për në zonën e Laprakës, ku në zgjedhjet e 2001-it është zgjedhur deputet Vili Minarolli. Gjithashtu, zonën ku u shpall deputet Shaban Memia në vitin 2001, pritet ta marrë nënkryetri i Grupit parlamentar, Jemin Gjana. Për Genc Rulin, i rikthyer së fundi në PD, është parashikuar Gjirokastra, ndërsa është menduar që të vendoset në një nga zonat e sigurta të PD-së në Krujë, Gramoz Pashko. Gjithsesi për të vendosur përfundimisht për kandidaturat do të priten përfundimet e bisedimeve me PDR-në, ndërsa për aleatët republikanë duket se PD-ja ka vendosur t'iu rezervojë këtyre të fundit proporcionalin dhe disa zona të lira në jug të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›