Një vështrim vleror në shoqërinë shqiptare
29/03/2005 Vlerat si ideologji
Kjo trajtesë, që kërkon të marrë nën analizë konceptin e vlerës, kërkon të mbështetet paraprakisht në përfytyrimin e saj si një produkt social, që nënkupton nga ana e saj një “institucion” jokaotik e spontan, por të organizuar mirë. Si e tillë, koncepti i vlerës nuk duhet menduar si një ideal i thjeshtë, nga ku rrjedhin pëlqimet apo zgjedhjet (individuale apo kolektive), pasi ajo përbën një kriter, apo instrument, që udhëheq zgjedhjet, mënyrën tonë të të gjykuarit, menduarit dhe të vepruarit social. Në këtë mënyrë, vlerat manifestohen në një shoqëri, mbi bazën e së cilës vetë kjo e fundit strukturon e krijon bashkëjetesën midis aktorëve të ndryshëm social dhe vetë individit. Pra, mbi të gjitha vlera fiton apo zotëron një fokus social-praktik dhe nuk përbën më një koncept abstrakt apo ideal utopik. Tani ky sistem vlerash i shërben një rendi të caktuar social për ta konsoliduar dhe për ta bërë më solid trupin social dhe ndërgjegjen kolektive, bashkë me botëkuptimin individual. Kështu normat më të rëndësishme në shoqëri që Samner i cilëson si “more” përvijohen shpeshherë në trajtat e ligjit, duke u bërë të detyrueshme të zbatohen nga anëtarët e një shoqërie edhe nëpërmjet shtrëngimit fizik të ushtruar nga institucionet përkatëse brenda shoqërisë. Aq i dukshëm është roli i pushtetit në përcaktimin dhe krijimin e vlerave, saqë është mjaft e lehtë të kryesh një analizë krahasuese midis sistemit të regjimit komunist dhe atij të tranzicionit në Shqipëri. Është pikërisht pushteti nëpërmjet instrumenteve të tij shtrëngues që propagandon dhe kushtëzon individin e aktorët e ndryshëm social në rolin e tyre në shoqëri. Madje, jo krejt rastësisht ndërrimi i ideologjisë komuniste në një sistem tjetër (sistemi kapitalist i iniciativës së lirë) solli si pasojë një sistem të ri vlerash e preferencash. Kjo na lë të kuptojmë se në çdo rend apo sistem social ekziston një ridimensionim të vlerava në vlera të reja, ku të parat ndonjëherë zhvlerësohen për shkak të statusit joaktual që zotërojnë në një epokë të caktuar historike, siç ndodhi në Shqipëri në vitet ‘90.
Kushtëzimi i ndërsjellë i ideve dhe vlerave
Kjo fizionomi e vlerave, e ndikuar nga një ndryshim i mendësisë, apo i mentalitetit të parit dhe gjykuarit të realitetit, na shtyn të mendojmë se vlera përbën një aspekt thelbësor, që kushtëzon dhe kushtëzohet nga mënyra jonë e të vepruarit, menduarit apo e ideve që rrjedhin nga këto. Si rrjedhim, këto terma (ideja dhe vlera) nuk mund të përfytyrohen si të ndarë analitikisht, por mund të mendohen në një marrëdhënie në kohezion të plotë me njëri-tjetrin, aq sa edhe ndonjëherë mund të kemi një shkrirje të dy termave nën një term të vetëm (ide-vlerë). Është pikërisht në saj të këtyre ideve, që ne ndryshojmë, apo shndërrojmë vlerat, ndërkohë që po këto vlera shndërrohen nga idetë që kushtëzohen përsëri nga këto vlera. Kjo marrëdhënie dinamike (ide-vlerë) mund të vërehet mjaft qartë gjatë periudhës së monizmit. Propaganda në atë kohë përkrahte dhe propagandonte ato vlera që ishin në përputhje e në unison me ideologjinë zyrtare të kohës (doktrina e marksizëm-leninizmit), duke i cilësuar si antivlera ato që cënonin e binin në kontradiktë me këtë ideologji. Madje, edhe sistemi i vlerave në atë kohë shërbente si aspekt për përzgjedhjen e pranimin e ideve apo teorive. Por, ndonjëherë, ky identitet i vendosur midis vlerës dhe ideve (mendimit) mund të shfaqë pasoja, që mund të precipitojnë në totalitarizëm. Siç u dëshmua, në kohën e monizmit çdo mendim apo teori që ishte në përputhje me ideologjinë zyrtare cilësohej si një vlerë pozitive dhe kjo vlerë nga ana e saj bëhej e vetmja ide apo mendim i pranueshëm për atë regjim politik. Ndërkohë, në shoqërinë e sotme shqiptare, shohim të shfaqet një formë më e dobët e kësaj lidhjeje ide-vlerë, pasi çdo ide, që shprehet nga individi, nuk cënohet për shkak të vlerave apo statusit që zotëron ai në shoqëri. Është në natyrën e ideologjive të sistemeve të cilësuara si holiste (përparësi ka aspekti kolektiv sesa individual) që vlerat kolektive të nënkuptohen si pjesa më e rëndësishme e konceptimit të realitetit, ndërsa në demokracitë e emancipuara (sistemet joholistike), vlera kërkohet të përvijohet midis të tjerave si një dallim i veçantë e disi i ndryshëm nga idetë personale të individit apo grupit social.
Hierarkizmi i vlerave dhe vlerat individuale
Ky organizim dhe propagandim i vlerave vërehet qartë edhe në aspektin e hierarkizimit të tyre, ku një vlerë cilësohet si më e epërme, përkundrejt të tjerave dhe ku këto të fundit nuk shërbejnë veçse si instrumente për të realizuar vlerën, që do të cilësohet si më e lartë dhe më e shenjtë. Ky proces klasifikimi, që ekziston në çdo rend social, dëshmon edhe një herë në përfytyrimin e konceptit të vlerës si një “institucion”. Brenda termit holistik të shoqërisë, përveç strukturave të ndryshme, një rol të rëndësishëm luan edhe individi. Kjo bën të lindin të ashtuquajturat vlera individuale që, shpeshherë, i kundërvihen vlerave sunduese të shoqërisë (vlerat kolektive). Këto vlera individuale jo rallë herë kanë një karakter të papjtueshëm me vlerat e pranuara socialisht nga shumica e shoqërisë. Në kohën e regjimit monist, që mbizotëronin vlerat me karakter holist, ku përkrahej qëndrimi kolektiv, vlerat individuale, në kundërshtim me ideologjinë zyrtare, përçmoheshin e kërkoheshin të eliminoheshin edhe nëpërmjet dhunës verbale apo fizike. Vetëm me ardhjen e viteve ’90, vlerat individuale fituan një epërsi, duke zotëruar statusin e përkrahjes së gjerë sociale, pasi ato u detyruan të shndërrojnë vlerat e regjimit të vjetër politik. Vlerat e përkrahura nga një pakicë e trupit social u bën tashmë sunduese, duke i zënë vendin vlerave të mëparshme.
Vlerta si antivlerë
Ky proces i ndërlikuar social i shndërrimit të një vlere në një tjetër bën që të lind një tension e një marrëdhënie konfliktuale ndërmjet vlerave të reja e atyre ekzistuese. Kjo në Shqipëri duket se po vazhdon ende në periudhën e zgjatur e të vështirë të tranzicionit. Në një prizëm logjik, këtu duket se lind një dualizëm vleror me dy pole ekstreme (vlerë positive/vlerë negative, e mirë/e keqe). Në këtë aspekt “filozofia” e tranzicionit e kuptoi përvijimin e një grupi vlerash të reja si krejt të kundërta dhe të papajtueshme me ato ekzistuese. E kaluara dhe e tërë bota vlerore e saj u cilësua si antivlerë në epokën e re të demokracisë e si të tilla ato duhet të zhvlerësoheshin radikalisht. Në këtë kohë, krejt gabimisht vlera u kuptua si e ngjizur vetëm nga fokusi politiko-ideologjik, kështu që më ndërrimin e sistemit poltik duhet të përmbyseshin e shndërroheshin radikalisht të gjithë vlerat e shoqërisë. Kjo mënyrë të vepruari solli për pasojë edhe humbjen e një identiteti social, duke u zhytur në një krizë vlerash (një orientim drejt të panjohurës me instrumente të panjohura) me pasoja të dëmshme social–ekonomike. Por, vetiu lind pyetja: Përse lindën këto dukuri të dëmshme. Shtrimi i kësaj pyetjeje i jep edhe më shumë rëndësi ndikimit që ka “institucioni” i vlerës në shoqëri, pasi ajo midis të tjerave ngërthen në vetvete edhe një natyrë të pakësimit të sjelljeve devijante në shoqëri. Ky “institucion” i padukshëm përbën një kuptim të përbashkët që e bën edhe më të lehtë e të mundur bashkëjetesën midis anëtarëve të një komuniteti social. Me asgjësimin apo me humbjen e këtij kuptimi të përbashkët u përvijuan disa vlera krejt personale, të vendosuar në mënyrë kaotike, duke e bërë të pamundur apo të vështirë vendosjen e një ndërsubjektivizimi vleror në qëndrimin përkundrejt çështjeve që shtroheshin përballë komunitetit e shoqërisë. Kjo është edhe një motiv për të shpjeguar frymën konfliktuale e të pakompromistë në shoqërinë e sotme. Nga ana tjetër, kjo mënyrë bipolare e arsyetimit të shoqërisë së sotme shqiptare (vlerat e regjimit të shkuar të menduara si antivlera dhe vlerat e periudhës së pluralizmit politik si vlera të vërteta) duket se lindi edhe nga fakti se këto dy pole nuk ishin të strukturuara njëlloj në këto hapësira (ekziston relativisht një mospërputhje midis vlerave të sotme dhe atyre të kohës së shkuar). Të vepruarit sipas kësaj mënyre bipolare bëri që shoqëria shqiptare të shihte te vlerat e kaluara vetëm aspektin politik të tyre, duke i cilësuar të gjitha si antivlera. Kjo logjikë krijoi në shoqërinë shqiptare të tranzicionit mjedisin për të lindur vlera krejtësisht të kundërta me atë të regjimit të shkuar, siç janë egoizmi individual, materializmi, mungesë respekti për ligjin etj.
Kështu, në gjithë këtë fazë të tranzicionit, sikundër edhe më përparë, duket se shfaqet një mënyrë skolastike e analitike (ndarëse) e të menduarit të shoqërisë, duke u fokusuar më tepër në aspektin e qartësisë e të dallimit antagonist ndërmjet vlerave sesa në atë të ndërveprimit e lidhjes së ngushtë midis vlerave të kaluara, të tashme dhe të ardhme. Ndërkohë, tani lipset të veprojmë disi më ndryshe. Në të vërtetë, nëse do të merrnim dy vlera (individualizmi egoist dhe altruizmi kolektiv) dhe do t’i shtonim një shndërrim vlere disi të ndryshme, por jo krejtësisht të ndryshme (të paktën edhe teorikisht), atëherë do të mund të përfitohej një vlerë e re dhe e ndryshme nga ato të dyja, duke lindur një lloj altruizmi individualist që bazohet mbi afirminin e individit dhe përgjegjësisë sociale që ndjen ai në komunitetin social ku jeton.
Rreziku i një monizmi vleror
Siç e përmendëm edhe më lart, çdo sistem social kërkon që, nëpërmjet vlerave, të gjykojë, vlerësojë realitetin dhe veten. Por jo çdo vlerë mund të cilësohet nga një shoqëri, apo nga një grup social, si e pranueshme. Si pasojë, këtu lind nevoja për hartimin e një klasifikimi të vlerave sipas një vizioni që shoqëria synon ta realizojë në të ardhmen. Ky hierarkizim vlerash rrjedh nga vetë vizioni i shoqërisë, pasi të përkrahësh një vlerë do të thotë të refuzosh nga ana tjetër një vlerë tjetër, të vendosësh se deri ku shkon e moralshmja, e lejuara, e pranueshmja. Kështu, lidhur me natyrën hierarkike të vlerave, që ekzistonte gjatë regjimit monist (në të vërtetë ekziston në çdo shoqëri), mund të vërejmë se jo të gjitha vlerat kishin të njëjtin vëmendje e interes nga shoqëria. Aty, si në çdo sistem social, mund të dallojmë dy tipe vlerash, që mund t’i cilësonim si vlera normative (parimet) dhe ato instrumentale (vlerat që vihen në përdorim për të realizuar parimet). Të parat janë vlerat më të larta që të sendërzuar në norma sociale marrin në rastet më të shumta trajtat e ligjit. Ndërkohë, vlerat e cilësuar si instrumentale kanë si qëllim final realizimin e të parave. Kështu psh., vlera parimore e altruizmit kolektiv realizohej nëpërmjet vlerës së sakrifikimit e vetëmohimit vetjak. I gjithë ky sistem vlerash në rendin monist duket se merrte trajtat skematike të një piramide, ku në kulm qëndronte qëllimi final i ndërtimit të rendit komunist. Kjo mënyrë organizuari e vlerave të shoqërisë mund të përbëj atë që mund ta cilësojmë si një monizëm vleror, pasi e tërë bota vlerore e shoqëria tenton drejt një qëllimi të vetëm. Kështu një shoqëri tërësisht spiritualiste përbën një monizëm vleror, ashtu sikundër edhe një shoqëri tërësisht tekniciste e materialiste, që duket se po përvijohet në mendësinë e sotme të shoqërisë shqiptare, duke themeluar një frymë jotolerante të menduari e të vepruari social. Ndërkohë në shoqëritë demokratike e liberale, krejt në të kundërt nga ato totalitare, duket se dëshmojnë për ekzistencën e një pluraliteti vleror, ku shumë vlera e qëllime sociale bashkëjetojnë e ndërveprojnë dinamikisht. Ky ndërveprim përbën një kushtëzim reciprok të vlerave nga ku ndryshohen e ndikojnë te njëra-tjetra për të themeluar një pluralizëm vleror tolerant e liberal.
Risku dhe buon sensi që rrjedh nga hiperdinamizmi
Kjo marrëdhënie dhe ndërveprimi vleror midis vlerave të ndryshme në shoqëri në periudhën e monizmit dhe në atë të tranzicionit duket se ngreh një problem të madh dhe disa pyetje njëkohësisht. A mund të ndërveprojnë vlerat e ndryshme pa rënë në kontradiktë me njëra-tjetrën? A lejohet nga morali social ky ndërveprim vleror? Në realitet ky dinamizëm i të vepruarit midis vlerave të ndryshme duket se mbart dy përfundime që mund të cilësoheshin si pozitive (në përputhje me moralin social e ligjor) dhe negative. Kështu psh., në shoqërinë e sotme shqiptare ndërveprimi dinamik i vlerave të ndryshme si tolerance fetare, mikpritja etj., shihet si një proces i përkrahur dhe i dëshiruar nga shoqëria. Por, nga ana tjetër, ndërveprimi midis vlerave që bien në kontradiktë me njëra-tjetrën (psh., kundër ligjit) shihen nga shoqëria si një proces tepër i dëmshëm.
Ky fenomen ka ndodhur në rastin e organeve të drejtësisë në Shqipëri, ku dhënia e drejtësisë nga institucionet përkatëse në disa raste (drejtësia e cilësuar si vlerë pozitive kur është në përputhje me ligjin) ka ndërvepruar me vlera të tjera negative si mitmarrja, duke krijuar një fenomen të dëmshëm social.
Vlerta lipsen të gëzojnë qëndrueshmërin dhe universalitetet në një shoqëri demokratike e liberale
Si rrjedhim, shmangia e këtyre fenomeneve dhe konflikteve të dëmshme, që mund të lindin nga grupet e ndryshme sociale në shoqëri, nxjerr si kërkesë vendosjen e një bashkëjetese e drejtësie nëpërmjet organeve të shoqërisë civile e pushtetit politik. Vendosja e shanseve të barabarta “de facto” mund të jetë një nga nismat, që mund të jepnin rezultat në këto procese reformimi të shoqërisë. Në këtë mënyrë, realizimi i këtij qëllimi ngre në pah çëshjen e qëndrueshmërisë dhe të universialitetit të vlerave në shoqërinë shqiptare. Kjo nënkupton që zgjedhjet (individuale apo kolektive) duhet të jenë të mundura e të përsëritshme brenda të njëjtave kushte nga anëtarët e shoqërisë. Në kohën e regjimit monist, ne nuk e gjejmë të shprehur një mundësi të tillë (psh., individi me “biografi të keqe” nuk i gëzonte këto shanse në shoqëri) ose kjo mundësi ishte e rezervuar për një grup të kufizuar individësh, ndërkohë që edhe tani në kohën e tranzicionit shoqëria shqiptare po vepron njëlloj, për shkak të prestigjit të pabarabartë që është krijuar me rrugë e mjete të paligjshme në këtë kohë. Kështu, si përfundim, lipset të shprehim që barazia përpara ligjit dhe mundësia e të drejtave të barabarta duhet të shihen të realizuar praktikisht e jo vetëm formalisht si të përmbajtur në nenet e ftohtë të ligjit.