E Diel, 1 Nëntor 2026

Të sëmurët me tumor, s’kanë ku të kurohen

29/03/2005  Kobaltoterapia është prishur, spitali është në rindërtim, në pavionin e përkohshëm s’ka asgjë

“Kemi ardhur dhe para dy javësh dhe përsëri kobaltoterapia nuk funksiononte. Tani do të kthehemi sërish në shtëpi”, thotë Marika Çelo, paciente. Kobaltoterapia e vjetër është prishur përsëri, ndërsa e reja nuk po vihet në punë ende. Të sëmurëve me tumor po ju shkurtohen ditët nga mosfunksionimi i kësaj aparature. Vitin e kaluar, në Spitalin Onkologjik janë trajtuar rreth 8000 të sëmurë me tumor malinj. Numri i të sëmurëve që pret ky stpital, shtohet edhe më tepër po të merren parasysh dhe pacientët, që vijnë nga Kosova për t’u kuruar aty. Për këta të sëmurë, kobaltoterapia është nevojë jetike. Pacientët protestojnë, pasi kjo prishje-ndreqje e aparaturës, duket si një lojë “kukafshehtas”, që bënë shteti me jetët e tyre. Një lajm i tillë, stresi, shpresa e tyre bie, duke rënë dhe efekti i barnave që përdorin. Nëse nuk e kryejnë kimioterapinë në kohë, sëmundja përparon. Por, jo vetëm kobaltoterapia, por dhe aparatura e rrezeve për tumoret e lëkurës është i prishur, madje për një kohë të gjatë.

Në Qendrën Spitalore Universitare ka mbërritur prej disa muajsh koka e kobaltoterapisë, aparaturës që bënë rreze për të sëmurët me tumor. Kjo aparaturë ka kushtuar totalisht 400 mijë dollarë, aparatura ka mbërritur që në muajin korrik, ndërsa koka ka ardhur në muajin shkurt. Spitali Onkologjik është duke u restauruar dhe bashkë me të edhe një pjesë e aparaturave do të jenë të reja. Në spitalin e rindërtuar një vend i posaçëm është caktuar për këtë aparaturë. Aparatura e re ka mbëritur pas marrëveshjes së shëndetësisë shqiptare me agjencinë atomike INATOM, në Vjenë. Pala shqiptare ka paguar vetëm 15% të shumës së aparaturës, ndërsa pjesa tjetër është dhuratë e kësaj agjencie për vendin tonë. Aparatuta është e tipit Teratron 80, dhe kushton 400 mijë USD. Ajo do të vendoset në bunkerin e ndërtuar enkas për të pranë Spitalit Onkologjik, me fonde të QSUT, rreth 16 milionë lekë. Kjo aparaturë duhej të instalohej nga specialistë të huaj, por asgjë nuk është bërë deri tani. Ndërkohë bashkë me të do të punonte dhe e vjetra, e cila ka vite që më tepër gjendet e prishur sesa e rregulluar.

Po bëhet gati në vit që Spitali Onkologjik zëre se nuk ekziston fare. Kjo pasi ndërtesa ekzistuese në Qendrën Spitalore Universitare po rindërtohet, ndërsa të sëmurëve iu është lënë një pavion në Spitalin e Sëmundjeve të Mushkërive, Senatorium, ku gjithashtu janë të paktë ata që rrinë shtruar. Kjo i ka hapur rrugë klinikave private, ku kryejnë ndërhyrje kirurgjikale një sërë pacientë dhe trajtohen më pas.

Onkologjiku, ku shkelen të drejtat e njeriut

Vitin e kaluar, Komiteti i Helsinkit e radhiti Spitalin Onkologjik dhe Spitalin e Burgut, si vendet ku shkelen të drejtat e njeriut katërcipërisht. Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë u detyrua që ta fuste Spitalin Onkologjik në listën e spitaleve që do të rindërtoheshin. Sa kaq, ndërtimi i Spitalit Onkologjik ka përfunduar së ndërtuari, megjithatë nuk dihet se përse nuk vihet në funksionim. Ndoshta sikundër dhe për rrugët edhe për këtë spital pritet afrimi i zgjedhjeve, për të prerë shiritin në mënyrë solemne.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›