E Shtunë, 31 Tetor 2026

Saranda, ndihma për Tsunamin

29/03/2005  Diten e djeshme, shëtitorja e qytetit të Sarandës ka qenë e mbushur me njerëz të moshave të ndryshme, por kësaj here jo për shëtitje, por për të kontribuar për vendet e prekura nga tërmeti nënujor, që preku kontinentin aziatik.

Një makinë e vendosur në këtë shëtitore, është dhurata kundrejt blerjes së një bilete, e cila kushtonte vetëm 300 lekë. Veprimtaria humanitare organizohej nga “Qendra Sociale, Motrat Marcelina” në Sarandë, të cilat janë në qytetin jonian që prej më shumë se 10 vitesh. Motra Daniela Ricareli tha se kanë punuar shumë në bashkëpunim me bashkinë e Sarandës, shkollat e këtij qyteti dhe të gjithe organizmat e tjere privatë dhe shteterore si organizatat joqeveritare dhe fondacionet e ndryshme.

Një falenderim duhet treguar, sipas saj, për aktivitetin e biznesit, i cili mundësoi grumbullimin e dhuratave për llotarinë e djeshme, e cila do të pasohet edhe nga të tjera në javët që do të vijnë me synimin për t’ju gjendur pranë të gjitha familjeve aziatike, të cilat po e vuajnë pasojën e termetit shkatërrues, i cili mori jetën e qindra mijëra personave. Ndër dhuratat e djeshme, më të kushtueshmet janë dy vello për nuse, një kostum për burra, më pas vijnë pajisjet elektrike për shtëpi deri te kartolinat me pamje nga qyteti i Sarandës.

Vetëm gjatë ditës së djeshme të llotarisë u grumbulluan, sipas përfaqësueses së “Qendrës Sociale, Motrat Marcelina” rreth 40 mijë lekë, të cilat vendosen në një kuti prej xhami në të cilën grumbullohen të gjitha kontributet financiare për të prekurit nga Tsunami.

Kjo kuti, përveç kontributit të arritur nga llotaria e djeshme ka dhe ndihmën e dhuruar nga nxënësit e shkollave të mesme “Antoni Athanas” dhe “Hasan Tasini”, pasi kjo kuti ka shëtitur për disa ditë në këto shkolla, por dhe në institucione të tjera të Sarandës

Ndihma e deritanishme ka shkuar, sipas të njëjtit burim, në 150 mijë lekë.

Ato do të kalojnë të gjitha për në kontinentin e Azisë të shoqëruara dhe me disa dhurata të grumbulluara nga qytetarët e Sarandës për të prekurit nga tërmeti.

Grumbullimi i ndihmave për në Azi ka nisur një muaj më parë e iniciuar nga “Qendra Sociale, Motrat Marcelini” në Sarandë .

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›