FMN dhe Banka Botërore kundër INSTAT: Shqiptarët jetojnë në varfëri
Shifrat zyrtare të Institutit të Statistikave në vend, tregojnë se 2007 ka qenë një vit goxha i mbarë për ekonominë vendase. Madje të ardhurat për frymë kanë pësuar rritje, por këto shifra bien ndesh me të dhënat e institucioneve ndërkombëtare të FMN-së dhe Bankës Botërore. Sipas “Deutsche Welle”, INSTAT-i për vitin 2007 ka publikuar shifrën prej 3.465 $ USA. Kjo do të thotë se për çdo shqiptar, qoftë edhe fëmijë, plak apo i paaftë për të punuar, gjatë vitit të kaluar u prodhua një vlerë e re, që llogaritet me shifrën e sapopërmendur. Kjo shifër, e krahasuar me 2.904 $ USA, që i përket të ardhurave për frymë të popullsisë për vitin 2006, tregon rritje ekonomike. Por për FMN-në dhe Bankën Botërore ekonomia ka pësuar rënie. Për FMN-në të ardhurat për frymë të popullsisë janë 3.354 dollarë dhe Shqipëria renditet në vendin e 96-të në botë për nivelin e tyre. Banka Botërore i llogarit edhe më të ulëta, 3.323 $ USD, duke e renditur Shqipërinë të 87-ën. Sipas “Deutsche Welle”, të dhënat e dy institucioneve financiare ndërkombëtare të pranishme në Shqipëri, FMN dhe BB, janë në një linjë me opozitën e majtë, e cila e akuzon qeverinë Berisha se ka manipuluar shifrat dhe se gjatë vitit 2007 nuk është shënuar rritje ekonomike, por ulje. Shifrat që publikojnë ekonomistët dhe financierët e opozitës për produktin e përgjithshëm bruto, GDP, janë alarmante. Sipas tyre, më shumë se 200 mijë familje pensionistësh jetojnë në varfëri të thellë me gjysmë euro në ditë. Shtrenjtimi i çmimeve të mallrave ushqimore e ka çuar gjendjen e tyre financiare në kufijtë e mbijetesës. Por situata nuk paraqitet më e mirë edhe për të punësuarit. Edhe pse qeveria ka rritur pagat e administratës shtetërore, një pjesë e mirë e punonjësve buxhetorë e kanë shumë të vështirë për të përballuar jetesën. Kriza e ushqimeve që ka prekur shumë vende të botës është reflektuar edhe në Shqipëri. Të parët që preken nga kjo rritje çmimesh janë familjet pensioniste dhe ato buxhetore, të cilët janë të detyruar që për të njëjtët produkte ushqimore të shpenzojnë më shumë para nga buxheti i tyre familjar.