FMN dhe Banka Botërore priten me protesta
Qindra vetë janë grumbulluar dje në Stamboll, në shenjë proteste kundër Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, zyrtarët e lartë të të cilave u takuan dje në takimin e tyre vjetor në Stamboll. Protestat kanë qenë kaq të ashpra, sa policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome kundër demonstruesve. Njerëzit ishin mbledhur në sheshin "Taksim", disa qindra metra larg godinës ku organizohej takimi mes Bankës dhe Fondit. Si pasojë u dëmtuan nga ana e jashtme disa banka dhe disa nga protestuesit janë arrestuar. Ata kanë kërkuar largimin e zyrtarëve të lartë të këtyre institucioneve financiare nga Stambolli. Në takimin vjetor ka pasur veç krerëve të Fondit Monetar dhe Bankës Botërore, edhe shumë ministra financash nga vende të ndryshme të botës, si dhe guvernatorë të bankave qendrore. Qëllimi i takimit ka qenë debati dhe diskutimi në lidhje me ekonominë globale. Protestat janë organizuar nga disa sindikata turke, por ishin relativisht të vogla krahasuar me ato të organizuara nga anti-globalistët në vende të tjera të botës në raste të takimeve dhe mbledhjeve të tilla. Marrja e një lejeje për t‘u organizuar në protesta është shumë e vështirë në Turqi, për shkak të rregullave të forta që kanë vënë për veprimtari të tilla autoritetet vendase. Në gjirin e studentëve turq ndihet një armiqësi e madhe ndaj organizmave të tilla si Fondi Monetar Ndërkombëtar apo Banka Botërore, të cilat e ndihmuan financiarisht Turqinë që të shpëtonte nga kriza financiare ku ishte futur në vitin 2001. Aktualisht Turqia dhe FMN po negociojnë një marrëveshje të re kreditimi, pasi e mëparshmja skadoi një vit më parë. Një javë më parë, një student u arrestua pasi e goditi me këpucë shefin e FMN-së, Dominique Strauss-Kahn, gjatë një fjalimi që ai mbajti në Stamboll. FMN po debaton në lidhje me rolin e saj të ri që kërkon të marrë në rendin e ri botëror financiar, ku vendet në zhvillim përbëjnë thuajse një të dytën e ekonomisë, por ndërkohë kanë vetëm një të tretën e votave në Fondin Monetar Ndërkombëtar.