E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata Kushtetuese rishqyrton imunitetin e Berluskonit

Gjykata më e rëndësishme e Italisë ka nisur rishikimin e një ligji që i jep Kryeministrit të vendit, Berluskoni, imunitet nga hetimi për çdo lloj çështjeje, për sa kohë që ai është në pushtet. Ligji i imunitetit i ka dhënë deri më tani Berluskonit mundësi që të tërhiqet e të shpëtojë nga një sërë akuzash e çështjesh penale e civile, mes të cilave edhe ajo e akuzave për korrupsion. Kundërshtarët e ligjit shprehen se ai dhunon parimin që të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit. Nëse gjykata e hedh poshtë këtë ligj, atëherë të gjitha gjyqet e pezulluara për Berluskonin mund të rifillojnë. Vëzhgues të ndryshëm thonë se një hap i tillë nuk do të çojë në rrëzimin e qeverisë, por në dobësimin e mëtejshëm të Kryeministrit të saj dhe kjo në një kohë kur figura e tij morale prej muajsh po merr goditje të njëpasnjëshme. Të hënën Berluskoni deklaroi se do të mbaronte gjithë mandatin e tij 5-vjeçar në krye të qeverisë dhe pas kësaj deklarate ai mori edhe mbështetjen e plotë të aleatëve të tij. Senatori Lucio Malan, anëtar i partisë së Berluskonit, Populli i Lirisë, tha se ishte i bindur që pavarësisht nga ky hap, ligji nuk do të ndryshonte në gjykatë. Gjykata Kushtetuese, që e ka marrë çështjen në dorë, është shprehur kundër një ligji të tillë disa vjet më parë dhe ligji aktual është hartuar duke pasur parasysh vërejtjet e kësaj gjykate. Menjëherë sapo Berluskoni erdhi në pushte, një vit më parë, ligji i miratuar në Parlament i dha atij imunitet nga hetimi për sa kohë që do të ishte në detyrë. Në atë periudhë ai ndodhej i përfshirë në një sërë çështjesh në gjykatë për korrupsion dhe deklarata të rreme në gjyq. Tani, prokurorët e të gjitha këtyre çështjeve të lëna pezull kanë apeluar në Gjykatën Kushtetuese, duke argumentuar se imuniteti i Berluskonit është një shkelje ligji. Deri më tani nuk është e qartë dhe e sigurt se çfarë do të vendosë gjykata. Gjykatësit thuhet se janë thuajse të ndarë në dysh për këtë çështje dhe ka edhe 5 të tjerë që janë ende të pavendosur. Një vendim në këtë gjykatë kërkon një shumicë të thjeshtë. Ligji i imunitetit gjithashtu mbulon edhe kreun e shtetit dhe të dy krerët e dhomave të Parlamentit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›